Qytetarët të painformuar rreth ushqimeve që konsumojnë në Maqedoni

Maqedonia

Qytetarët të painformuar rreth ushqimeve që konsumojnë në Maqedoni

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Dita e botërore e ushqimit e gjen vendin tonë me sasi të madhe të ushqimit jo të sigurt për konsumim si dhe, nga ana tjetër, me sasi të madhe të ushqimit të hedhur. Për shkak të ekzistimit të dyshimeve nga Agjencia për ushqim dhe veterinari thonë se kanë shtuar numrin e kontrolleve, atyre të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Qytetarët thonë se primare është që ushqimi të jetë i sigurt dhe i shëndetshëm por se shpeshherë kanë pasur raste kur nuk kanë pasur mundësi të informohen për përmbajtjet e ushqimeve.

“Të jetë i shëndetshëm, të jetë i sigurt sepse ushqimi është puna kryesore e jetës, ekzistencës. Ushqimi nëse nuk është i pastër, nëse nuk është ekologjik atëherë ka pasoja të tjera, vijnë sëmundje të ndryshme. Ushqimi duhet të kontrollohet si duhet”

“Ushqimi duhet të jetë i sigurt por aq imët janë të shkruara shënimet, nuk mund të lexohen. Unë kujdesem edhe për afatet e skadimit edhe për gjithçka por për ushqim të sigurt duhen kontrolle më të shpeshta të bëhen”

“Duhet të kontrollohet cili ushqim është më i sigurti dhe më i shëndetshmi, çmimet jo edhe aq shumë. Shtrenjtësi është por megjithatë duhet të jenë më të sigurta sepse duhet të dimë çfarë blejmë”, shprehen qytetarët

Nutricionistja Tanja Turinxhieva apelon tek qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë blerjes së produkteve ushqimore pasi disa prej tyre mund të kenë përmbajtje toksike.

“Gjithmonë sugjeroj të dimë saktë çfarë blejmë në vlerë nutritive, jo vetëm në vlerë të kalorive por edhe në kualitetin e vet produktit që e marrim sepse ushqimi industrial përmban shumë emulgator, ngjyra dhe shije artificiale të cilat reagojnë në mënyrë agresive në organizmin tonë. Të lexohen mirë shënimet për përmbajtje kur blihen ushqimet dhe të vërtetohet afati i skadimit. E dimë se ka shumë që shesin produkte në rrethana të dyshimta dhe, edhe pse janë të klasifikuara si të shëndetshëm, mund të jenë me përmbajtje toksike”, theksoi Tanja Turinxhieva- nutricioniste

Nga Agjencia për ushqim dhe veterinari thonë se që nga janari i këtij viti deri më tani janë realizuar gjithsej 33.583 kontrolle, janë shkatërruar 14 ton ushqim i pasigurt. Ankesat e qytetarëve deri tek kjo Agjenci i referohen pranisë së ndotësve në ushqim, mos zbatimit të praktikave të mira higjienike, skadimi i afatit të ushqimit, dyshimeve rreth helmimit nga ushqimi dhe mashtrimeve me ushqimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat