Gjashtë ministrat më të pasur në Maqedoni “peshojnë” 35 milionë euro - Bota Sot
Gjashtë ministrat më të pasur në Maqedoni “peshojnë” 35 milionë euro

Maqedonia

Gjashtë ministrat më të pasur në Maqedoni “peshojnë” 35 milionë euro

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 23:03
Foto ilustrim

Shtatë ministrat e parë më të pasur të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë kanë deklaruar se posedojnë pronë me vlerë prej 35 milionë eurosh. Pa konkurrencë, funksionari më i pasur me pronë prej 30 milionë eurosh është Koço Angjushev, Zëvendës-Kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështjet ekonomike dhe koordinimin me resorët ekonomikë. Përveç në Shkup, Angjushev posedon një banesë në Beograd dhe një shtëpi në Greqi. Stolia e arit, orët e tija të dorës, pikturat dhe skulpturat artistike janë me vlerë prej 240.000 eurosh. Flota e makinave të Angjushevit është e jashtëzakonshme dhe përbëhet nga Maserati GT, Porsche Cayenne dhe Mini Countryman, si dhe Varka me motor Regal. Angjushev fiton të ardhura nga dhënia me qira e dy lokaleve afariste dhe dy banesave, ndërsa posedon edhe pesë depozita në denarë. Ai ka realizuar të ardhura edhe nga shitja e pjesës prej 10 për qind të pronësisë së kompanisë “Fero Invest”.

Ministri 39-vjeçar i Ekonomisë, Kresnik Bekteshi, është ministri i dytë më i ri në garniturën qeveritare, por njëkohësisht i dyti sipas pasurisë të cilën ka deklaruar se e posedon. I propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI), Bektashi në kreun e këtij resori është emëruar nga viti i kaluar. I lindur në Kërçovë dhe me diplomë nga Universiteti Shefild nga Britania e Madhe, ai në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka deklaruar se posedon një pronë me vlerë prej 2 milionë eurosh. Përveç se posedon një tokë dhe një shtëpi në Kërçovë, ka edhe tri makina. Prindërit e tij, përveç shtëpisë në Prishtinë (Kosovë), kanë dy banesa në Kavajë (Shqipëri), një banesë në Bazel (Zvicër), si dhe tri toka dhe një hapësirë afariste në Kërçovë

ÇFARË NUK ËSHTË DEKLARUAR?
Aksel Ahmedovski, ministër pa resor, përgjegjës me implementimin e Strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në Republikën e Maqedonisë, aspak nuk e ka deklaruar pronën e tij.
Ministrat Tevdovski, Dimitrov, Deskovska, Filipçe, Mançevski, Sheqerinska dhe Sugarevski nuk e kanë deklaruar pronën e prindërve të tyre.

Përveç kësaj, Ministrja e Drejtësisë, Deskovska nuk ka deklaruar vlerën e pronës për 19 nga gjithsej 23 shkallë që kanë të bëjnë me: honorarët e autorit, kontratat mbi vepër, llogarinë devizore, librezat e kursimeve dhe kartelat e pagesës, si dhe prejardhjen e kësaj pjese të pronës.

I treti në listë është Hazbi Lika, Zëvendës-Kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë dhe sistemit politik. Vlera e pronës së tij të deklaruar është 1.123.800 euro. Lika, si pronë personale, ka deklaruar pagën mujore për të cilën nuk ka deklaruar vlerën e saj dhe kredinë në vlerë prej 54.000 eurosh, të cilën duhet ta paguajë deri në vitin 2028. Prona tjetër i takon vëllait të tij, prindërve të tij dhe gruas së tij.

I katërti në listën e anëtarëve më të pasur të qeverisë është Nikolla Dimitrov nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ai ka deklaruar se ai posedon një pronë me vlerë prej 830 mijë eurosh. Ai ka një banesë në Shkup dhe posedon një makinë “Mercedes B180”. Megjithatë, ai me bashkëshorten e tij posedon edhe një banesë në Hagë (Holandë), kanë edhe dy libreza të kursimeve të devizave dhe një kredi prej 280.543 eurosh.

Kryeministri Zoran Zaev është i pesti në listë me pronë të deklaruar në vlerë prej 700 mijë eurosh. Por, në emrin e tij figuron vetëm kërkesa për rreth 70 mijë eurosh. Depozita e afatizuar devizore prej 7 mijë eurosh është në emrin e bashkëshortes së tij, ndërsa 27 mijë eurot janë deklaruar në llogaritë e fëmijëve të tij. Shtëpia, hapësira afariste, banesa në Strumicë, toka bujqësore në Murtinë dhe aksionet në vlerë prej 200 mijë eurosh i takojnë prindërve të tij.

Vendi i gjashtë, sipas pasurisë, i takon Ministrit të Kulturës, Asaf Ademi, i cili ka deklaruar pronë në vlerë prej 520 mijë eurosh, por nuk ka asgjë në emrin e tij. Prindërit e tij posedojnë një shtëpi me hapësirë afariste dhe një oborr në Gostivar, makinë “Renault 9”, qira nga një hapësirë afariste prej rreth 300 eurosh në muaj dhe një kredi prej rreth 20 mijë eurosh. Bashkëshortja e tij drejton një makinë “BMW 530D”.

MAKINA MODESTE, POR PIKTURA TË SHTRENJTA ARTISTIKE
Hulumtimi i SCOOP-it në kuadër të projektit “Personat e eksponuar politikisht” tregon se funksionarët në Maqedoni posedojnë pasuri të ndryshme. Shtëpi, banesa, automobila, kullota, toka ndërtimore, por edhe kredi dhe depozita janë pjesë e gjërave që janë në listat e deklaruara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Makina të tipit Mercedes, BMW dhe nga ndonjë Golf vozisin ministrat aktualë. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska është e vetmja nga ministrat aktualë e cila nuk ka automobil. Për dallim nga ajo, familjet e ministrave Kreshinik Bekteshi, Suhejl Fazliu , Arbër Ademi dhe Mila Carovska posedojnë nga tri makina. Nga dy makina posedojnë Oliver Spasovski, Sadulla Duraku, Venko Filipçe, Ljupço Nikollovski, Asaf Ademi dhe Renata Deskovska, ndërsa nga një makinë kanë Nikolla Dimitrov, Damjan Mançevski, Goran Sugarevski dhe Dragan Tevdovski.

AUTOMOBILAT E VËLLEZËRVE DHE MOTRAVE TË MINISTRAVE
Vëllai i ministrit Ljupço Nikollovski – “Fiat Stilo” me vlerë prej 3.000 eurosh.
Motra e ministrit Suhejl Fazliu – “Audi A2” për të cilën nuk është shkruar vlera.
Vëllai i ministrit Arbër Ademi – tri makina: makina transportuese “Citroen Jumper” me vlerë prej 4.062 eurosh, “Volkswagen Crafter” me vlerë prej 6.499 eurosh dhe “Volkswagen Passat” me vlerë prej 6.499 eurosh. Të gjitha këto tri makina janë me vlerë prej rreth 17.000 eurosh.
Vëllai i ministres Mila Carovska – “Honda Accord” me vlerë prej 5.800 eurosh.
Në mesin e ministrave ka edhe dashamirës të artit. Radmilla Sheqerinska ka pikturën artistike “Gabelja” nga Nikolla Martinovski. Sepse për të njëjtën nuk është shkruar vlera e saj, ekipi i SCOOP-it kërkoi një përgjigje nga ministrja për vlerën e pikturës së ministres.

“Piktura artistike “Gabelja” nga Nikolla Martinovski është në pronësi të familjes më shumë se 40 vjet, ndërsa ministrja e ka fituar si trashëgim nga gjyshja dhe gjyshi i vdekur, kështu që familja nuk ka të dhënë për vlerën e saj”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Sheqerinskës.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Oliver Spasovski, ka deklaruar se posedon piktura artistike me vlerë prej rreth 4.000 eurosh, por pa dhënë informacione se si i ka fituar ato.

Bashkëshortja e ministrit Arbër Ademi ka stoli ari në vlerë prej rreth 5.000 eurosh, ndërsa ministrja Renata Deskovska ka metale të çmuara në vlerë prej rreth 9.000 eurosh.

MË TË PASUR, BASHKËSHORTËT E SHEQERINSKËS DHE TEVDOVSKIT
Radmilla Sheqerinska Jankovska (BASHKËSHORTI) 256.033 euro (Llogari devizore 515 euro, Librezë kursimesh në denarë 16.275 euro, Llogari transaksioni 1.892 euro, Llogari transaksioni 4.575 euro, Kredi 7.210 euro, Kartelë kreditore 6.332 euro, Kartelë kreditore 4.264 euro, banesë 214.970 euro, për dy banesa të bashkëshortit nuk ka shkruar vlerë)

“Vlera e banesës në Ohër, pronë e partnerit martesor të fituar në vitin 2006, është 55.620,00 euro. Vlera e banesës në Shkup, pronë e partnerit martesor të fituar me marrëveshje për dhuratë nga prindërit, është 65.619,00 euro”.
Dragan Tevdovski (BASHKËSHORTJA) – 20.499 euro depozitë devizore
Sadulla Duraku (BASHKËSHORTJA) – 16.927 euro (tokë bujqësore në vlerë prej 14.979 eurosh dhe një makinë motorike 1.948 euro)
Asaf Ademi (BASHKËSHORTJA) – 14.614 euro (vlera e makinës “BMW”)
Arbër Ademi (BASHKËSHORTJA) – 10.740 euro – (Makina “Volkswagen Golf 5” – 4.871 euro, depozita e afatizuar në denarë me vlerë prej 998 eurosh dhe metale të çmuara me vlerë prej 4.871 eurosh).
Oliver Spasovski (BASHKËSHORTJA) – 487 euro – kartela e pagesës në denarë
Damjan Mançevski (BASHKËSHORTJA) – 2.896 euro (libreza e kursimeve të devizave me 3.293 franga zvicerane ose 2.896 euro)
Venko Filipçe (BASHKËSHORTJA) – 3.431 euro – Makina Mazda 2
Renata Deskovska (BASHKËSHORTI) – 1.625 euro (vlera e makinës Lanos)

PRINDËRIT ME PRONË EDHE JASHTË VENDIT
Tevdovski, Dimitrov, Deskovska, Filipçe, Mançevski, Sheqerinska dhe Sugarevski nuk kanë deklaruar pronën e prindërve të tyre.
Nga ministrat të cilët kanë deklaruar pronën e prindërve të tyre, pronën më të vlefshme e posedojnë prindërit e ministrit Kresnik Bekteshi, me vlerë prej mbi 660 mijë euro, të cilët janë njëkohësisht prindërit e vetëm me prona jashtë vendit, gjegjësisht dy banesa në Kavajë (Shqipëri) dhe një shtëpi në Prishtinë (Kosovë).

Prindërit e ministrive të tjerë më së shpeshti posedojnë banesa, shtëpi, toka bujqësore, kullota si dhe objekte ndërtimore nëpër Maqedoninë.

MINISTRAT PA RESOR: MË I PASUR ADNAN QAHIL, MË I VARFËR EDMOND ADEMI
Prona e ministrave pa resor varion prej 300 deri në 400 mijë euro individualisht.
Rreth 408 mijë eurosh vlen prona e Ministrit pa resor përgjegjës për investimet e huaja, Adnan Qahil. Aika deklaruar se me bashkëshorten e tij kanë nga një banesë në Shkup, automobila “Mercedes klasa E” dhe “Ford Mondeo”. Bashkëshortja e Qahilit ka stoli me vlerë rreth 1.000 eurosh dhe dy kartela të pagesës me denarë në shumën totale prej 10 mijë eurosh. Prindërit e tij kanë një shtëpi me oborr, si dhe një hapësirë afariste në Shkup.

Në vendin e dytë të ministrave më të pasur pa resor, me një listë të pronave prej rreth 406 mijë eurosh, është Zorica Apostoloska, ministre pa resor përgjegjëse për investimet e huaja. Ministrja Apostoloska vozit “Ford Focus” dhe ka dy libreza të kursimeve të devizave nga gjithsej 4.200 euro. Bashkëshorti i saj posedon tri shtëpi në Shkup, Rostushë dhe Resnjë. Ai ka edhe një banesë në Shkup, ndërsa merr qira nga një banesë në vlerë prej 200 eurosh. Apostoloski vozit “Polo Classic Volkswagen” dhe ka dy llogari në denarë prej rreth 10 mijë eurosh. Fëmijët e tyre kanë një depozitë prej 3.200 eurosh.

Bardhyl Dauti, ministër pa resor përgjegjës për tërheqjen e investimeve të huaja, posedon nj[ pronë me vlerë prej 372.516 eurosh. Dauti ka një kredi prej 14 mijë eurosh dhe vozit makinën “Mercedes Klasa a”. Bashkëshortja e tij ka një pagë prej 340 eurosh. Prindërit e Dautit kanë një shtëpi, një hapësirë afariste, një tokë bujqësore dhe gardhe në Tetovë, si dhe një pagë bë vlerë prej rreth 500 eurosh.

Lista e pronës e ministrit Robert Popovski, ministër pa resor përgjegjës për komunikim, llogaridhënie dhe transparencë, është në vlerë prej 365.203 eurosh. Ai së bashku me bashkëshorten e tij kanë një banesë në Shkup. Popovska posedon edhe ka piktura artistike me vlerë prej rreth 20 mijë eurosh. Së bashku, ata kanë një shtëpi dhe një oborr në Shkup, ndërsa prindërit e Popovskit kanë një banesë në Shkup.

Zoran Shapuriç, ministër pa resor përgjegjës për rregulloren për përmirësimin e klimës së investimeve për ndërmarrjet vendase, ka një listë të pronës prej 369.843 eurosh.

Ai ka tri banesa, prej të cilave dy janë në pronësi private dhe një të përbashkët me bashkëshorten e tij. Shapuriç vozit “Hyundai 1.6”, ndërsa bashkëshortja e tij “Seat Ibiza”. Ministri ka edhe më shumë aksione, si dhe një honorar autori në vlerë prej 800 eurosh dhe një kërkesë në bazë të punës së kryer në vlerë prej 1.400 eurosh. Ministri ka një pagë prej 1.000 eurosh, ndërsa paga e bashkëshortes së tij është rreth 550 eurosh. Ajo ka edhe një librezë të kursimeve të devizave prej 2.000 euro dhe një borxh – një kartelë kreditore prej 1.000 eurosh. Ndërsa Shapuriç, si një pronë personale, ka edhe disa depozita të afatizuara të devizave në euro, franga dhe dollarë.

Zëvendës-kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështjet evropiane, Bujar Osmani, ka deklaruar se posedon një pronë prej 270.000 eurosh. Bashkëshortja e tij merr një pagë mujore prej 400 eurosh dhe posedon një makinë “Opel Corsa”, ndërsa prindërit e tij marrin një pension mujor prej rreth 270 eurosh dhe posedojnë një shtëpi me oborr në Shkup, me vlerë prej 170 mijë eurosh.

Ministri pa resor me vlerën më të ulët të listës së pronave është ministri Edmond Ademi, përgjegjës për diasporën me një listë të pronave me vlerë prej 78 mijë eurosh. Ai ka deklaruar se ka një borxh – lizing prej gati 10 mijë euro dhe një makinë “Toyota Corolla”. Bashkëshortja e Ademit ka një librezë të kursimeve në denarë prej rreth 26 mijë eurosh dhe është themelues i kompanisë për konsultim “IMPAKTA” SHPKNJP. Si pronë e përbashkët, ata kanë një para-kontratë për shitjen e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 28 mijë eurosh.

Çfarë parashikon Ligji për parandalimin e korrupsionit?
Sipas nenit 33 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit, të miratuar në vitin 2002, funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar duhet të deklarojnë pronën e tyre dhe pronën e familjes së tyre brenda 30 ditëve nga marrja e funksionit. Funksionarët janë të detyruar të deklarojnë çdo ndryshim të pronës, si dhe të dorëzojnë dokumente për pronën e tyre. Në nenin 36 thuhet se është e mundur të hetohet prona e funksionarit nëse ai nuk ka dhënë të dhëna për pronën e tij. E njëjta gjë vlen edhe nëse ai ka dhënë të dhëna të rreme, nëse nuk ka deklaruar ndryshimin e pronës ose nëse prona e tij gjatë kryerjes së detyrës së tij është rritur në mënyrë jo proporcionale.

As paralajmërime, as dënime
Në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk mund të shihen dënime të publikuara për mosdeklarimin e pronës apo ndonjë parregullsi rreth gjendjes së pronave të funksionarëve. E vetmja gjë që mund të shihet është një sërë paralajmërimesh publike për konfliktin e konstatuar të interesave, por ato më shumë kanë të bëjnë me funksionarët e eshalonëve më të ulët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test