Orkestrës së Londrës iu dha leje të udhëtojë në Francë

Muzikë

Orkestrës së Londrës iu dha leje të udhëtojë në Francë

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 00:09
Orkestrës së Londrës

Pavarësisht Brexit dhe pavarësisht kufizimeve nga COVID-19, orkestra simfonike e Londrës do të marrë pjesë në Festivalin e mirënjohur të “AIKSEN-PROVENCE” që zhvillohet në Francë nga data 30 qershor, deri më 25 korrik.

26 kombësi të ndryshme, mbi 100 muzikantë dhe një dirigjent i mirënjohur si Simon Rattle, e bëjnë orkestrën simfonike të Londrës një prej më të famshmeve në Evropë.

Megjithatë, pas Brexit dhe me ardhjen e COVID-19, dirigjenti britanik dha alarmin mbi gjendjen aktuale të orkestrës dhe muzikantëve të saj.

“Njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë se Orkestra Simfonike e Londrës nuk është një orkestër me rrogë fikse. Ne jemi një grup i përhershëm muzikantësh, por njerëzit paguhen kur performojnë. Kështu që shumica e orkestrave në Evropë, të gjitha pa përjashtim, kanë një rrogë bazë, dhe kanë mundur të jetojnë. Neve na u desh të bëhemi piratë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është një kohë delikate, në një shtet që nuk e mbështet financiarisht kulturën, ashtu siç bën shumica e Evropës”, u shpreh Simon Rattle.

Pas shumë negociatave mes qeverisë britanike dhe asaj franceze, orkestrës së Londrës iu dha leje nga Mbretëria e Bashkuar, me një periudhë karantinimi, për të udhëtuar në Francë e për të marrë pjesë në festivalin prestigjioz AIKSEN-PROVENCE FESTIVAL.

“Kështu që, për ne është një mrekulli që kemi mundësinë të shkojmë në një festival të jashtëzakonshëm, të cilin unë e njoh mirë, të cilin edhe orkestra e njeh gjithashtu. Dhe të performosh një opera si “Tristan e Isolda” Të Vagnerit është një ëndërr për ne”, tha dirigjenti Simon Rattle.

Orkestra simfonike e Londrës do të performojë kryeveprën monumentale të Vagnerit, “Tristan dhe Isolda” nga data 2 deri më 14 korrik. Festivali AIKSEN PROVINCË përfundon me 25 korrik, dhe personat që do të marrin pjesë në këtë festival duhet të pajisen me një certifikate vaksinimi, ose test negativ të COVID-19.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat