Rreth dialogut me Serbinë

Opinione

Rreth dialogut me Serbinë

Nga: Gani I. Mehmeti Më: 6 janar 2019 Në ora: 08:13
Gani I. Mehmeti

Çka duhet të përmbajë dialogu teknik?

A duhet të ketë kushte për dialog?

Pse duhet të ketë kushte për dialog?

Fillimisht, përse duhet të bëhet dialogu? Çka duhet të rezultojë prej tij, apo duhet zhvilluar dialog vazhdimisht, pa pasur një fund!

Kur u mor vendim për të zhvilluar dialogun me Serbinë, thuhej se duhet bërë dialog teknik. Por, asnjëherë nuk ka qenë kërkuar nga pala kosovare se çka na qenka ky dialogu teknik dhe deri ku duhet të shkojë e çka përfshin ai,

Por, jo vetëm atëherë, edhe sot është e njëjta këngë, nuk po ndalen të mendojnë se për çka duhet të dialogojnë.

Sipas mendimit tim, dialog teknik do duhej të përfshinte rregullimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy shteteve, ndarjen a pasurisë nga ish Jugosllavija si dy njësi federale. Nuk e di, me sa më duket, shtetet e tjera të dala nga ish Jugosllavija nuk e kanë zhvilluar fare këtë dialog, prandaj nuk ka qenë fare i nevojshëm të bëhet as mes Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime do të zhvilloheshin kurdo që do t’i normalizonin marrëdhëniet mes vete dhe nuk do të kishte fare nevojë tani as të zhvilloheshin e as të kërkohej nga Serbia njohja e Kosovës shtet. Kosova do ta bënte të sajën e do të ecte përpara si shtet, do të bëhej anëtare në arganizatat e ndryshme ndërkombëtare deri edhe anëtare e OKB, me e pa pëlqimin e Serbisë. Do duhej të bëheshin kufijt kufij, sikur me çdo shtet si dhe marrëdhëniet ekonomike kur ajo do të ishte e gatshme.

Me këtë shihet se ky farë dialogu është kërkuar nga ndonjë shtet proserb dhe nuk është dashur fare të fnorohej, aq më shumë kur ke të bësh me armikun që na ka vrarë,  masakruar e përëndjekur nga shtëpitë tona duke bërë gjenocid në ne.

Serbia nuk ka hyrë në dialog me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën si shtet, por për pengesat e saja të funksionimit të Kosovës shtet.

Kjo u pa që në fillim, kur ajo paraqiti kushtin e saj se do të hynte në bisedime me Kosovën jo shtet, për çka iu mohua shtetësia me pranimin e fusnotës nga ekipi negociator i Kosovës në krye me Edita Tahirin. Ekipi negociator i Kosovës dhe vetë Hashim Thaçi i dhanë të drejtën vetes t’ia heqin shtetësinë e Kosovës karshi Serbisë, pa e pyetur askë. E dimë se kanë pasur presione nga Bashkimi Evropian, por ky Bashkim Evropian nuk kërkoi asgjë nga Serbia, asnjë kusht nuk i vuri, madje as zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

POR, PO E LËMË, PRA, TË KALUARËN, ÇKA DUHET TË BËJË SOT EKIPI I BISEDIMEVE TË KOSOVËS ME SERBINË?

Ekipi kosovar fillimisht do duhej t’ia heq fusnotën Kosovës dhe t’i tregojë Serbisë se dialogu me të do të bëhet në nivel të barabartë – si një shtet i pavarur.

Të kërkojë nga Serbia dhe BE, që, Serbia të mos ndërhyjë më në çështjet e brendshme dhe të jashtme të Kosovës – pra të ndërpresë përfundimisht lobimin për tërheqje të njohjeve të Kosovës shtet nga shtetet e tjera.

Të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara,

Sipas meje, bisedimet rreth përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë bisedime teknike, prandaj, vetëm do duhej vërtetuar kufiri kah është e jo të bisedohet.  E, se, kah është kufiri, janë shënimet, janë gurët, janë shkrimet, janë hartat.

Serbia, siç do ta kishte interesimin për të drejtat e serbëve në Kosovë, do duhej këto të drejta t’ua garantojë edhe shqiptarëve në Serbi, kudo që ata jetojnë në Serbi, nëse ka të tillë edhe në Beograd, të mos flasim për shqiptarët në vendin etnik të  tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kushtet do të duhej të ishin kushte për të ecur përpara, jo për të ngecur e për ta degraduar shtetësinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarve në Serbi.

Pastaj, kur Serbia merr të drejtën e interesimit të saj për serbët në Kosovë, si mund t’i mohohet një e drejtë e tillë për shqiptarët në Serbi nga Kosova. Pra, të krijohet ajo platforma e kërkuar, dhe nëse asgjë tjetër, krejt çka Srbia kërkon për vete, edhe Kosova për vete, gjithherë si dy shtete të barabarta, ndryshe nuk do të ishin në nivelin e njëjtë dhe të barabartë dhe nuk do të kishte kurrfarë kuptimi dialogu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat