Treva e Rugovës nuk është çiflig i hajnave dhe uzurpatorëve ardhacakë..!?

Opinione

Treva e Rugovës nuk është çiflig i hajnave dhe uzurpatorëve ardhacakë..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 25 mars 2019 Në ora: 15:24
Trevat e Rugovës

Ata shqiptarë, sidomos ata Rugovas autoktonë të cilët nuk e njohin mirë historinë dhe traditat shekullore të trevës së vetë, qoftë në aspektin tradicional-kombëtar, qoftë në atë pronësor-juridik, duhet t’i shfletojnë librat e historisë, letërsisë, folklorit, këngët epike-kreshnike si dhe rrëfimet gojore, për të mësuar më afër mbi vlerat kombëtare, zakonet, traditat burimore dhe kanunet e fisit Kelmend, të cilat dallojnë mjaft nga ato në trevat tjera të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë vështrim të shkurtë dua ta trajtoj njërin nga shumë tiparet specifike të kësaj treve, denbabaden etnikisht e pastër, e që ka të bëjë me pronën private dhe shoqërore, gjegjësisht me pacenueshmërinë e saj, qoftë asaj në posedim privat, qoftë asaj që quhet “Mërë” (toka të përbashkëta të fshatit), të cilat Rugovasit i kanë shfrytëzuar shekuj me radhë si trashëgimi nga të parët e tyre, që nga koha e Perandorisë Ilire e deri me sot. Kthimi pas në histori mund të na kthej deri në kohën e njeriut të parë, Adamit, kur është në pyetje pronësia e tokave, por qëkur historia e njerëzimit mbanë mend, tokat janë bërë prona të atyre grupeve njerëzore që i kanë banuar dhe shfrytëzuar ato, dhe njëjtë edhe me formimin e kombeve dhe shteteve ato kanë ngelur prona të pacenuara për banorët autoktonë, për pronarë të tyre, që sipas kodeve, ligjeve dhe kanuneve vendore, më pas edhe sipas bashkëkohore, ato u kanë takuar banorëve në pronësinë e të cilëve kanë kaluar edhe me akte juridike-kadastrale.

Tokat dhe pronat e shqiptarëve në jugperëndim të Evropës kanë një histori ende të pa definuar por edhe tragjike, sidomos nga gjysma e shekullit 19-të e deri në fillim të shekullit 21, kur Kosova do del përfundimisht nga okupimet e huaja, e cila asnjëherë nuk e kishte të rregulluar çështjen e pronësisë së tokave të saj, sepse regjimet kriminale serbo-jugosllave gjatë gjithë shekujve nuk ishin të interesuara që shqiptarëve t’ua lehtësonin jetën dhe t’i bëjnë pronarë të rregullt të tokave të tyre, por se si t’i dëbojnë ata nga tokat dhe vatrat e tyre shekullore. Prandaj edhe sot e kësaj dite pjesën më të madhe të tokave të Kosovës, dhe jo vetëm, e gjejmë si pronë shoqërore-shtetërore dhe shumë pak si pronë private, sepse ua uzurponin dhe konfiskonin ato, duke mos u lëshuar vendime gjyqësore mbi pronësinë ku jetonin me shekuj. Është i njohur fakti se treva e Rugovës gjatë gjithë shekullit 20-të ka qenë cak i presioneve dhe diskriminimeve nga ana e regjimeve kriminale serbo-malazeze, siç dihet, për shkak të pasurive të saj natyrore, ujit, pyjeve dhe ajrit të pastër për banim, siç ishte nacionalizimi i pyjeve dhe i pronave private në vitin 1956 dhe 1963, e njohur si “reforma agrare” përmes të cilës banorëve të trevës së Rugovës iu shpronësuan-uzurpuan mbi 60% të pronave private siç ishin pyjet, tokat “mëre” (prona të fshatit), pyjet dhe shumë kullosa të përbashkëta në çdo fshat, një pjesë e të cilave iu është kthyer pas aprovimit të kushtetutës së vitit 1974, me njëqind vuajtje dhe peripeci ligjore dhe administrative, e që ua kanë nxirë jetën shumë familjeve rugovase derisa i kanë kthyer në pronësinë e vetë, por jo të gjithë banorëve iu janë kthyer pronat e tyre private!

Image

Nga këtu, dua ta potencoj faktin, se deri në vitin 1990 në trevën e Rugovës ka qenë i në fuqi (i gjallë) kanuni autokton dhe i cili është zbatuar në mënyrë rigoroze, i njohur në këtë trevë si “Sull”, sipas të cilit asnjë individ apo familje nuk ka guxuar t’ia shes kujtdo qoftë edhe një pëllëmbë tokë i cili nuk ka qenë banorë autokton i kësaj treve, sepse edhe nëse ka ndodhur ndonjë rast i tillë, e që kanë qenë raste të rralla, si p.sh. ndonjë familje e ka sjellë dhëndrin afër vetes duke i mundësuar të ndërtojë shtëpi, ajo familje ka qenë menjëherë e izoluar nga banorët tjerë të fshatit, sepse është konsideruar se e ka shkelë rënd “sullin” e Rugovës, që mos t’i shitet askujt tokë që nuk është banorë autokton i kësaj treve!? Pse dhe cilat kanë qenë arsyet e një ligji zakonor “sulli” të tillë në Rugovë, do ta shpjegojmë në ndonjë rast tjetër.

Por, me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999, pothuajse çdo gjë do ndryshon rrënjësisht në këtë aspekt, përfshirë edhe trevën e Rugovës në kuptimin e hapjes së dyerve për ardhjen e “banorëve” të rinj në këtë trevë të bukur, duke e bërë shkeljen “brutale” të “sullit”, ngase vetë Rugovasit për shkaqe të dobëta ekonomike të dalë nga lufta filluan me të madhe t’iu shesin “të huajve” troje-place për ndërtimin e vilave për pushime, në fillim me çmime mjaftë të ulëta, e që sot pas 20 viteve në liri një ari tokë do shitet deri në 10.000 euro, siç është rasti në fshatin Bogë, i njohur si vend i bukur turistik për skijimie dimërore dhe pushime verore!?

Image

Mirëpo, ajo që duhet theksuar në fund është fakti i pamohuar, se tendencat e disa matrapazëve dhe profiterëve mafiozë, së pari me blerjen me çmime simbolike të pronave shoqërore, pastaj stërshitjen e tyre me çmime marramendëse (del se edhe shpallja e trevës së Rugovës “Park nacional” ka pasur këtë qëllim djallëzor), duke fituar shuma enorme të hollash nga stërshitja e tokave në pronësi të shoqërisë dhe shtetit, duhet ta dinë mirë, se në trevën e Rugovës, shanset për hajni, grabitje dhe uzurpime të tilla të tokave “merë” (shoqërore) i kanë barazi me Zero (0), sepse të gjitha tokat e kësaj treve heroike dhe historike, janë pronë e Rugovasve, banorë autoktonë, të cilat i kanë poseduar dhe shfrytëzuar mbi 100 vite (në fakt mbi 2000 vite), e që sipas çdo ligji vendorë dhe ndërkombëtar mbi të drejtat e pronësisë së tokave, janë prona të tyre pa pëlqimin e të cilëve askush në këtë botë nuk mund t’ua tjetërsojë ato, duke përfshirë edhe shtetin!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat