Minifundi dhe mini shengeni

Opinione

Minifundi dhe mini shengeni

Fadil Lepaja Nga Fadil Lepaja Më 23 tetor 2019 Në ora: 09:16
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev

Pikërisht me 22 tetor, 2019, rreth orës 14, gati të gjitha mediat në Kosovë e publikuan lajmin që mori vëmendjen e përgjithshme qytetare dhe për pasojë shumice e meshkujve mbetën pa frymë. Mbetën pa frymë edhe shumë gra nga xhelozia. Pra, Rita Orës, ikonës sonë, simbolit tonë të suksesit global, i ndodhi një “aksident”. Për fat gjithçka kaloi pa pasoja fizike, dhe politike. Kur jemi te politika, aksidentet e kësaj natyre, nuk paraqesin lajm.

E dimë të gjithë, pra, çka ndodhi. Mos të e bëjmë gocën të skuqet. I ndodhi ajo që

Politikës tonë i ndodhë përditë dhe kurrë nuk skuqet. Nën fustanin e kuq, padashur, ju duken të brendshmet e bardha. Ndërkohë që për politikën tonë kemi folur shumë herë, kemi folur tashmë për rrobat e mbretit, dhe për ”mbretin” dhe feudalët tonë lakuriq.

Falë zotit, lidhur me aksidentin që i ndodhi Ritës, nuk reagoi kësaj radhe as policia morale nëpër rrjete sociale, sikurse as drejtësia jonë që nuk reagon kur të palarat e politikës dalin nëpër media, sepse edhe ajo e mirëkupton politikën. Flenë bashkë në një shtrat.

Drejtësia nuk sheh as elefantin, te politika. Si e dini, te ne mund të jesh edhe bilioner, por askush nuk ka të drejtë as të dyshojë në origjinën e pasurisë tënde, të krijuar me rrogë.

Në fund të fundit, Ku me e bë, që me pas sa më shumë bilionerë, me na kapë edhe ne “Forbes”.

Deri këtu kemi ngjashmëri, të rasteve, prej këtu e këndej secila ngjarje ndjek specifikat e veta.

Rita shkëlqeu, dhe mori krejt vëmendjen në një ndejë jubilare, të një “brand”-i me renome botërore, ndërkohë që politika jonë tash me reputacion të keq global,  nuk arrin të marr më vëmendjen e askujt, edhe po të dal nudo.

Mund të thoni, po ja që Edi doli nudo fare dikur, dhe mori vëmendjen. Ju përfolën madje edhe përmasat, por kujt I bënë, pasi shumica mendojnë që madhësia nuk është kryesorja, e në politikë shumica është kryesorja. Mjafton një votë më tepër.

Pastaj edhe ai, si gjithë të tjerët, i hipi shtetit, ia vuri shalën me një fjalë. Nejse, e mori vëmendjen edhe kësaj radhe. Me mosveprim. E vuri në pozitë delikate kolegu i tij maqedonas, me të cilin vetëm pak ditë më herët nënshkroi “mini- shengenin”.

Pra, përpos Ritës, këtë javë ndodhën edhe ngjarje të tjera me rëndësi. Për shembull, republika e Maqedonisë Veriore, e shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme, pasi që kryeministri aktual Zajev dha dorëheqje për shkak të dështimit me hapjen e bisedimeve me BE. U ndie përgjegjës, tipi. Merreni me mend, nuk i lanë me ndej “mbi ve”  qeverinë aktuale, deri në zgjedhje, por vendosën që deri atëherë vendin do të e drejtojë një qeveri teknike. Po çfarë komplikimi i panevojshëm, për një vend aq të vogël. Sa Kosova, bre!

Ndërkohë në në Kosovë kemi një qeveri në detyrë, e në Shqipëri kemi një qeveri që nuk mendon se ka asnjë trohë përgjegjësi për dështimin. Macron, i ka të krejt fajet, për dështimet shqiptare.

Tash edhe Zaev, veproi pa lidhje. Përse me shkua  në zgjedhje, përderisa i kishte numrat?

E kishte edhe partnerin shqiptar. Edhe në Gostivar, nxënësit e përkrahën luftën “heroike” në Siri të perandorisë. Krejt senet në vijë, pra. Te ne, as numra nuk kishim, por te ne është ndryshe. Nuk dihet kush është përgjegjës për çka.

Sidoqoftë, për dështimin e njëjtë, askujt në Shqipëri nuk i shkon ndërmend të japë dorëheqje. Nuk ja kemi Evropës nevojën. Kur duash shkojmë. Pastaj e kemi edhe “mini shengenin” tash. Shqipëria e Serbia nënshkruajnë marrëveshje “ndërkufitare”, heqin kufijtë, pa pasur kufi të përbashkët. Kosova zyrtare, nuk ka institucione për të reaguar. Serbia mendon se e ka kufirin në Morinë, Shqipëria e ka njohur Kosovën, edhe njeh sërish kufirin me Serbinë, në Morinë.

Secili e interpreton si do vet. Interpretimi është çështje e lirisë së shprehjes. Ujku i ngitë dhe delet në numër. Askujt nuk i mbeti hatri, veç mbetet pyetje një milionëshe se si me përkthye këtë formulë edhe tek integrimet euro-atlantike. Edhe Serbia me u pranua në BE me Kosovën brenda, edhe në të njëjtën kohë Kosova me qenë e pavarur.

E tash, çfarë lidhje ka aksidenti i Ritës me “gafet” politike të shqiptarëve, përpos ngjyrës etnike të personazheve?  Nuk ka! Ritës i ndodhi, ndërsa këta e bëjnë me qellim. Pastaj, as Rita nuk kishte veshur mini fund, për të arsyetuar aksidentin. Kishte veshur një fustan të kuq, të gjatë gati për toke, por ... të hapur shumë, aman, aq sa e sfidoi edhe politikën  gjithë shqiptare me vëmendjen që e mori. Edhe na la pa frymë. Politika më nuk e ka këtë efekt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat