Mos po e imagjinojmë supermen kryeministrin e ri? - Bota Sot
Mos po e imagjinojmë supermen kryeministrin e ri?

Opinione

Mos po e imagjinojmë supermen kryeministrin e ri?

Nga: Gani Mehmetaj Më: 31 tetor 2019 Në ora: 08:39
Gani Mehmetaj

1.Kryeministri i ri ende nuk e mori postin, ndërsa votuesit dhe jo votuesit presin shumë nga ai. Pritja mund të bëhet barrë e madhe dhe presion psikologjik. Qeveria e re ka shumë punë për të bërë. Lufta kundër krimit të organizuar, luftimi i korrupsionit, ndërprerja e nepotizmi dhe përpjekja për shpëtimin e institucioneve nga degradimi i frikshëm, janë disa nga përparësitë. Njëzetë vjet kreu i shtetit dhe i institucioneve me ndonjë vjet më të ndritshëm, ka punuar mbrapshtë. Njëzetë vjet e zhvatën dhe e rrjepën shtetin si të qe vend armik, duke ia lënë vetëm brinjët.

Ikja e të rinjve nga vendi ka arritur kulmin. Dardania do të mbetet në pleq e në plaka, ashtu sikurse kanë mbetur dhjetëra katunde në Rrafshin e Dukagjinit. Ndërkaq, kapja e peshqve të mëdhenj, shkaktarë të kësaj fatkeqësie që u pasuruan me zhvatje e krim të organizuar, është kafshatë që s’kapërdihet për cilëndo qeveri sado ta kenë policinë, shërbimin inteligjent dhe gjyqësinë prapa, sado që t’i kenë duart e pastra. Gjykata Speciale mund t’ua lehtësoj punët, duke e shprishur piramidën e krimit, por nuk ua zgjidh problemet. Gjykata Speciale po zgjatet tërkuze si seritë e dobëta turke, ashtu sikurse po vonohet formimi i qeverisë për arsyet që askush nuk i di.

Krimi i organizuar ka kapur majat e shtetit, ka depërtuar në të gjitha institucionet publike, ka infektuar shoqërinë civile. Fatkeqësisht keq qeverisja është bërë model frymëzimi për brezin e ri të hutuar. Ballafaqimi me El komandantët e Dardanisë, një tip i përçudnuar i majtistëve dhe mafisë latinoamerikane e ka çmimin e vet, por edhe rrezikun. A do ta ketë guximin kryeministri t’i nxjerr para drejtësisë, apo do të kalojë edhe kjo stuhi, mbetet të presim. Zhgënjimi do të jetë më i madh se kurdo herë më parë.

2. Ç’ kapja e shtetit nga feja, përkatësisht ndarja e xhamisë nga shteti, është hap tjetër i madh që duhet ta bëjë qeveria, sepse jemi i vetmi shtet në Evropë që nuk e kemi ndarë fenë nga shteti, nuk i kemi vijat e qarta çka mund të bëjnë bashkësitë fetare e çka s’mund të bëjnë. Grupet islamike me fondet e tyre të pista bëjnë ç’të duan, veprojnë si t’u teket, kanë korruptuar instancat shtetërore e partitë politike, televizionet e portalet, grupet e individët me ndikim. Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës është bërë shtet mbi shtet, ose më saktë si vasal i Turqisë, vepron sipas urdhrave të kryeministrit të atij shteti.

Evropa Perëndimore e ka ndarë kishën nga shteti para 200-300 vjetësh, te ne islami-xhamia është futur në çdo pore të shtetit në emër të lirisë fetare. Islami politik krahas krimit të organizuar, në fakt mafia islamike është pjesë e krimit të organizuar, paraqet njërin ndër përparësitë e qeveritarëve tonë në pritje, nëse duan të bëjnë e të mbajnë shtet. Por varët sa i kanë shtetarët e rinj duart e lira? Sa kanë marr fonde nga islamikët e nga Turqia gjatë fushatës zgjedhore dhe sa janë të pavarur?

3. A do të ketë fuqi e gatishmëri kryeministri i ri të ndjek penalisht ata që urdhëruan vrasjen e mbi njëqind veprimtarëve të LDK-së? A do të hap dosjet kriminale të El Komandantëve?

Kur e shoh listën e premtimeve dhe listën e pritjeve, druaj se mos po e imagjinojmë kryeministrin e ri supermen.

Ndërkaq, Supermeni është strip për fëmijë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat