Putini, Srebrenica dhe diplomacia dogmatike ruse

Opinione

Putini, Srebrenica dhe diplomacia dogmatike ruse

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 19 dhjetor 2019 Në ora: 08:56
Shaban Murati

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shkaktoi një befasi diplomatike ndërkombëtare në datën 10 dhjetor, kur deklaroi në Paris pas takimit me presidentin ukrainas, se në qoftë se Ukraina merr kontrollin e kufijve në zonat e forcave proruse në Donbas, atje mund të ndodhë një masakër si Srebrenica. Le ta themi menjëherë që jehona dhe interesi diplomatik ndërkombëtar për këtë deklaratë nuk u shkaktua nga çështja e pazgjidhur e Ukrainës Lindore, por nga fakti se presidenti i Rusisë pranoi publikisht se Srebrenica e 11 korrikut 1995 është një masakër. Është hera e parë që presidenti rus shpall nga mesi i Europës një distancim apo një ndryshim qëndrimi të Kremlinit ndaj çështjes së Srebrenicës. Deri tani diplomacia ruse gjatë 25 viteve në forumet ndërkombëtare i është përmbajtur pikëpamjes serbe se Srebrenica nuk ka ndodhur dhe ajo është frut i fantazisë së boshnjakëve. Me një fjalë diplomacia ruse ka propaganduar në arenën ndërkombëtare qëndrimin e udhëheqësve ultranacionalistë serbë si A.Vuçiç, T. Nikoliç, M. Dodik, etj, për të cilët masakra dhe gjenocidi i Srebrenicës janë një shpikje e Perëndimit.

Ministria e Jashtme e Rusisë, që për specifikën e profesionit duhet të ishte treguar e përmbajtur në klasifikimet publike të ngjarjeve historike në rajonet e tjera si Ballkani, përkundrazi ka manifestuar një zell të pakufi filoserb, që zakonisht e kanë diplomacitë e shteteve të vegjël për shtetet e mëdha, por jo shtetet e  mëdha si Rusia për shtete të vegjël si Serbia. Një zell të tillë të tepruar filoserb manifestoi edhe zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në datën 12 dhjetor, ku bëri një revizionim akrobatik të historisë së Ballkanit, duke bërë të paqenë një masakër tjetër masive serbe si ajo e Reçakut në janar 1999. Zëdhënësja e diplomacisë ruse pa iu dridhur buza e bëri të paqenë këtë ngjarje tragjike historike dhe deklaroi se: “Në Reçak ishte një provokacion cinik i përdorur nga Perëndimi për shpërthimin e agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë”. Përfaqësuesja e MPJ të Rusisë i bëri apologjinë diplomatike ruse qëndrimit millosheviçist të presidentit serb Vuçiç, i cili në 6 dhjetor guxoi të sulmonte të vërtetën historike të Reçakut, duke akuzuar me një gjuhë vulgare ambasadorin e shquar amerikan Uilliam Uoker, se “kishte fabrikuar masakrën e Reçakut”. Madje Zaharova e uli stekën e diplomacisë ruse në atë pike, sa që nga podiumi i saj diplomatik mori në mbrojtje një ekstremist të pakicës serbe në Kosovë, i cili u dënua me të drejtë nga gjykata në Prishtinë për falsifikimin e karakterit të ngjarjeve të Reçakut.

Rishkruarja e historisë për të fshehur krimet është obsesion i gjithë forcave dhe shteteve agresore. E kanë bërë pareshtur të gjitha qeveritë në Beograd pas rënies së Millosheviçit, por më shumë po e bën garnitura shtetërore aktuale e Serbisë, që ka qenë pjesë e qeverisë së Millosheviçit, për të fshehur të vërtetën mbi agresionet kriminale serbe kundër popujve joserbë, kundër Bosnjës, Kosovës dhe Kroacisë. Mëkati i madh i Perëndimit është që pas atyre agresioneve nuk i dha ndërkombëtarisht Serbisë statusin e shtetit agresor të mundur, ndaj të cilit NATO përdori dy herë forcën ushtarake në Bosnjë dhe në Kosovë. Po të kishin atë status prej shteti agresor të mundur, udhëheqësit serbë nuk do të guxonin sot të mohonin Srebrenicën dhe Reçakun. Mjafton të kujtoni nëse mund të guxojë, jo udhëheqës, por dhe një nëpunës i fundit i një shteti europian të mohojë sot holokaustin. Neglizhenca e disa shteteve perëndimore dhe bashkëfajësia e disa shteteve perëndimore me teorinë e tyre idiote të simetrisë së fajit, sipas së cilës në luftërat në Jugosllavi e kishin fajin të gjithë njësoj, u dha zemër pinjojve të sotëm të Millosheviçit në Beograd që të pretendojnë se ata nuk janë agresorë, por janë viktima.

Që e shtrembëron historinë Serbia, udhëheqësit e së cilës gjatë 20 viteve kanë dalë të gjithë nga qyrku i kasapit të Ballkanit, Millosheviç, është e kuptueshme. Por është i pashpjegueshëm në planin diplomatik, historik dhe etik, fanatizmi i diplomacisë ruse për të amplifikuar qëndrimet dhe pikëpamjet shtrembëruese serbe për luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi. Madje kaq dogmatike është treguar diplomacia ruse, sa që gjithë këto vite ka mohuar masakrën dhe gjenocidin e Srebrenicës, që është vrasja më e madhe masive shtetërore në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Është vërtet e habitshme që diplomacia ruse ka dalë kundër përkufizimit të Srebrenicës si masakër dhe gjenocid edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi e vendosi me verdikt juridik në vitin 2007 se aktet e Srebrenicës janë një gjenocid. Tribunali i lartë juridik i OKB jep verdiktin pas shqyrtimit juridik dhe kompetent të të gjithë dokumentacionit, kurse Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, refuzon të pranojë përcaktimet e tribunalit të OKB. Mbi bazën e akuzave për gjenocid në Srebrenicë Gjykata e Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar dy kriminelët përgjegjës kryesorë të masakrës së Srebrenicës: Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç. Kur kasapi i Srebrenicës dhe i Bosnjës Ratko Mlladiç u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid në 22 nëntor 2017, zëdhënësja e MPJ Ruse, Maria Zaharova, ndërmori një sulm të tërbuar kundër Gjykatës Ndërkombëtare dhe në mbrojtje të xhelatit të Srebrenicës. Në Rusi është krijuar me sponsorizimin e shtetit “Shoqata e miqve të gjeneralit Mlladiç” dhe Rusia e ka dekoruar kriminelin Karaxhiç me  çmimin “Shollohov”, me urdhrin “Andrej Pervizvanov”, me urdhërin “Kalorësi i artë”, etj. Në vitin 2015 diplomacia ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB vuri veton ndaj rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe, që i propozonte Asamblesë së Përgjithshme të OKB dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Diplomacia ruse i ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme fushatave të udhëheqësve separatistë të “serpska republikës” për mohimin dhe fshirjen e të vërtetës mbi Srebrenicën. Në 20 shkurt të vitit 2019 ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në një konferencë shkencore u vetlavdërua për veton, që Rusia i vuri rezolutës britanike për Srebrenicën, qëndrim i cili sipas tij ”ndihmoi që të bllokoheshin akuzat pabazë për gjenocid, që i drejtoheshin Serbisë”. Lavrovi njoftoi se për këtë veto ruse në KS të OKB serbët i ishin mirënjohës Rusisë dhe se serbët në 2017 i kanë ngritur ish-ambasadorit rus në OKB Çurkin një monument në Sarajevën  e re Lindore me dedikimin ”Faleminderit për veton ruse”.

Diplomacia ruse mbështeti aktin teatral të “serpska republikës” në mars të këtij viti për të ngritur një të ashtuquajtur komision ndërkombëtar, i cili gjoja do të hetojë krimet në Srebrenicë kundër të gjitha etnive.  Zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova,  deklaroi në 4 prill 2019 se MPJ e mbështet ngritjen e këtij komisioni të ndërkombëtar në “serpska republika” për hetimin e krimeve në Srebrenicë në vitet 1991-1995. Është i panatyrshëm ky dogmatizëm i diplomacisë ruse, sepse vetë Sergej Lavrovi pat deklaruar publikisht, kur zhvilloheshin takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën para 20 vitesh, se Rusia nuk do të tregohet më serbe se serbët.

Kthesa e tanishme e presidentit Putin e ka vënë në pozitë të vështirë diplomacinë ruse, shefin e saj Lavrov dhe zëdhënësen me hove kolkoziane Zaharova. Diplomacia ruse nuk mund të thotë dot tani se Srebrenica nuk ka ekzistuar, përderisa presidenti e shpalli publikisht si etalon masakre.

Për sqarim të lexuesit duhet theksuar se presidenti Putin, i cili pranoi se Srebrenica ka qenë një masakër masive, ka arsyet e veta që e deklaroi pas samitit në 9 dhjetor në Paris të asaj, që quhet “formati i Normandisë”, me presidentin e Francës, me kancelaren gjermane dhe me presidentin ukrainas, për të zgjidhur krizën e Ukrainës Lindore. Duke paralajmëruar me gjëmën e Srebrenicës, nëse nuk jepet amnistia për forcat separatiste proruse dhe nëse Ukraina vendos kontrollin e saj në kufijtë lindorë me Rusinë, presidenti rus kërkon në rradhë të parë të kërcënojë Ukrainën se Moska nuk do të lejojë që forcat ukrainase të vendosin sovranitetin në kufirin dhe në territorin ukrainas, që mbahet nga rebelët prorusë. Në radhë të dytë, Putin i drejtohet shteteve perëndimore si presion që të mos përkrahin kërkesat e drejta të Ukrainës për vendosjen e sovranitetit në territorin dhe në kufijtë e vet. Në rradhë të tretë, evidentimi i Srebrenicës si masakër masive dhe si etalon i një të keqeje historike mund të merret edhe si një paralajmërim drejtuar Beogradit. Deklarata e Putinit për Srebrenicën shkaktoi një shock elektrik në Serbi. Kremlini nuk është i kënaqur nga loja me dy karrige e Beogradit: edhe me Rusinë, edhe me Perëndimin. Në mediat qeveritare ruse janë shtuar kritikat dhe akuzat për udhëheqjen e Serbisë dhe është shprehur shqetësimi rus që Beogradi mund të cedojë në favor të Perëndimit në çështjet e ndryshme, nga investimet e deri te dialogu me Kosovën. Duke ngritur tabelën e Srebrenicës presidenti rus synon ta trembë Serbinë dhe t’i kujtojë se veto ruse në KS të OKB ka çmim dhe qëndrimi rus mund të ndryshojë sipas çmimit.

Deklarata e presidenti Putin për Srebrenicën duhet parë në një spektër më të gjerë të lojrave diplomatike dhe gjeopolitike, që po luhen midis Rusisë dhe Europës për Ballkanin. Presidenti rus, pas takimeve me udhëheqësit më të lartë të Europës, duket po e kupton se nuk mjafton vetëm Serbia për të garantuar rolin, që Moska aspiron në Ballkan. Ndaj Kremlini po lëviz ta zgjerojë hapësirën e veprimit në Ballkan, duke u tërhequr në një farë mënyre nga sintagmat e gurta të diplomacisë serbe dhe diplomatëve filoserbe në MPJ të Rusisë, lidhur me karakterizimet e ngjarjeve historike në ish-Jugosllavi. Shtetet, që dolën nga ish-Jugosllavia janë shtatë, dhe katër prej tyre janë anëtarë të NATO-s. Vetëm Serbia kërkon të revizionojë ngjarjet dhe zhvillimin e luftërave në ish-federatën jugosllave. Presidenti rus nuk duket i bindur se Rusia duhet t’i kundërvihet të gjashtë shteteve të tjera ish-jugosllave lidhur me Srebrenicën dhe luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi.

Kjo formë distancimi e presidentit Putin nga qendrimet e deritanishme zyrtare serbo-ruse për Srebrenicën mund të jetë dhe një farë “mea kulpa” për pjesëmarrjen e Rusisë në anën e forcave ushtarako-policore serbe në agresionet kundër Bosnjës, Kosovës, Kroacisë. Është vërtet për t’u habitur përse, qoftë faktori perëndimor, qoftë shtetet e goditura nga agresioni serb si Kroacia, Bosnja dhe Kosova, nuk kanë bërë të duhurën për të denoncuar pjesëmarjen e mercenarëve rusë në luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi. Dr. Svetllana Broz, mbesa e ish presidentit historik të federatës jugosllave Tito, mjeke e njohur kardiologe, e cila i ka kushtuar jetën mjekimit të traumave psikike dhe moralë të qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës në vitet 90’, ka deklaruar në një intervistë:”Millosheviçi ftoi “qentë e luftës” nga Rusia, të cilët kishin luftuar në Afganistan. Ata kryen krimet më të mëdha në krahinën mbi lumin Drina. “Qentë e luftës” nga Rusia ishin kriminelët më të egër. Interesante që asnjeri prej tyre nuk u vu në bankën e të akuzuarve në Tribunalin e Hagës”.

Kemi një provë të padiskutueshme se sa e dëmshme është në diplomaci kur hesht dhe nuk flet për realitetet tragjike të luftërave kriminale dhe për shkaktarët e tyre. Nëse do të ishte folur për luftërat agresive të Serbisë ndaj popujve joserbë, ashtu siç është folur dhe flitet prej 75 vitesh për krimet e nazistëve ndaj hebrejve, nuk do të kishte guxuar as Beogradi dhe as MPJ Ruse të mohonin masakrën e Srebrenicës, masakrën e Reçakut dhe vrasjet masive e spastrimin etnik serb ndaj popujve joserbë. Edhe presidenti rus nuk do të kishte reflektuar kaq vonë në pranimin e tij të tërthortë të masakrës masive të Srebrenicës.

Pohimi i presidentit rus për Srebrenicën ka rëndësinë e vet për të treguar se të vërtetat historike, sado që të pengohen e të shtrembërohen, çajnë përpara drejt ndriçimit. Kështu po zgjerohet në kuadrin e diplomacisë ndërkombëtare edhe e vërteta mbi Srebrenicën, mbi Reçakun dhe mbi krimet e tjera masive të Serbisë në Ballkan. Kambana e madhe e historisë duhet t’i kujtojë cilitdo naivi, levantini apo sharlatani në Ballkan se nuk mund të jetë kurrë Serbia shteti që të udhëheqë shtetet e tjera dhe paqen në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat