Janari kryefjala e historisë kombëtare dhe kallzuesi i shtetit modern shqiptar - Bota Sot
Janari kryefjala e historisë kombëtare dhe kallzuesi i shtetit modern shqiptar

Opinione

Janari kryefjala e historisë kombëtare dhe kallzuesi i shtetit modern shqiptar

Nga: Azgan Haklaj Më: 20 janar 2020 Në ora: 09:24
Azgan Haklaj

Kur shfletohen kalendarët e shpalosen datat.

Janari kryefjala e historisë kombëtare dhe kallzuesi i shtetit modern shqiptar.

Ai flet me emrin e misionarëve të Kombit dhe ngjarjeve përcaktuese të fateve të tij.

"Dosjer."

Muaji janar është muaji i parë i Kalendait Gregorian.

Ai është adoptim nga emri janus, Perendia Romake e dyerve dhe udhëkalimeve.

Për shqiptarët ky muaj është i veçantë jo për faktin e fillim vitit të ri por sepse ditët dhe datat e tij gjatë rrugëtimit të përbashkët, në vite, dekada e shekuj, deshmojnë sagën tonë të gjatë, përmes shumë kasandrash, kalvarin e mundimshëm e mizor, por plot lavdi.

Në arkivin e tij ka ngjarje të mëdha, te dhimbshme kombëtare, por krenare që kanë lënë gjurmë në memorien tonë, të cilat kanë qenë përcaktuese për fatet e Kombit e që sot ndihemi krenarë dhe i kujtojmë me nostalgji.

Janari është prologu dhe epilogu i korifejëve të Historisë tonë Kombëtare, të cilët kanë luajtur rol të rendësishëm dhe e kanë shkruar emrin e tyre me shkronja të arta në Panteonin e Kombit.

552 vjet më parë me dt 17 janar 1468 kaloj në amshim Heroi ynë Kombëtar, Kalorësi i Lirisë, Moisiu Ynë, arkitekti i Nëntorit të Parë, ideuesi dhe krijuesi i Shtetit të Përqendruar Arbëror, Princi i Arbërisë, Atleti i Krishtërimit, Apologu i Qytetrimit Europian Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).

Ashtu si Shën Gjergji i Mitologjisë vrau kulçedrën, edhe Gjergji Ynë vrau Kulçedrën Aziatike dhe çliroi Kombin tonë nga zinxhirët e saj që e kishin lidhur si oktapod.

Ashtu si Moisiu me shkopin e tij magjik ndau përgjysëm detin dhe u hapi rrugën hebrejëve drejt Tokës së premtuar edhe Gjergji jonë me shpatën e tij magjike ndau përgjysëm Perandorinë Otomane, shpalli Pavarësinë dhe krijoj Shtetin e Arbërit.

Në krenohemi me Gjergjin e Madh të Motit të Madh, siç krenohet Kina me Konfucin, përsët me Zoraastrin, hebrejtë me Moisiun, hindusët me Brahman, fenikasit me Thefshin, spartanët me Likurgun, athinasit me Solonin, trakët me Orfeun, muhamedanët me Muhametin, kristianët me Krishtin, evangjelistët me Luterin, Anglia me Rikard Zemërluanin,Franca me Karlin e Madh dhe Napoleonin, Italia me Garibaldin, Gjermania me Oton, Frederikun e Madh dhe Bismarkun, Amerika me Xhorxh Uashingtonin.

Në janarin e vitit 1844 lindi ora e shqiptarisë Ati i Pavarësisë, arkitekti i Nëntorit të Dytë, Plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali.

Ai kaloj në amshim me dt 24 janar të vitit 1919 në Peruxhia të Italisë në rrethana të dyshymta pa mundur të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris.

Çdo nëntor e kujtojme me respekt e përkulemi me mirënjohje para veprës sublime të Ismail Bëj Vlorës.

Në janar 1862 lindi tribuni popullor Bajram Curri, luftëtari i paepur, që në moshën 18 vjeç rroki pushkën e u rreshtua në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavë- Gucisë.

Bajram Curri mori pjesë aktive në të gjitha kuvendet e kryengritjet për liri e pavarësi.

U shqua si strateg lufte e më trimëri të rrallë në Kryengritjen e Përgjithshme për çlirimin e Shkupit, e lirimin e të burgosurve politikë.

Kontribut të jashtëzakonshëm ka dhanë në vitet e më vonshme gjatë luftërave ballkanike, në Luftën e Parë Botërore për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në Kongresin e Lushnjes për krijimin e Shtetit Modern Shqiptar dhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë.

Ai u emërua ministër pa porofol në Qeverinê e Lushnjes.

Janari flet me emrin dhe veprën e Isa Boletinit.

Me dt 16 janar 1864 lindi Binjaku historik i Ismail Qemalit, Krahu i Shqiponjës në Flamur, patrioti, nacionalisti, sypatremburi, persenofikimi i qëndresës, simboli i luftës për çlirim kombëtar e pavarësi Isa Boletini.

"Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria deklaronte Baca Isë"

Jeta e tij ishte luftë e paepur perballë shumë armiqëve për mbrojtjen e Kauzës Kombëtare.

U vra në pabesi në Podgoricës me dt 23 janar 1915 nga malazezët me disa pjestarë të familjes së tij.

Vepra e tij sublime në sherbim të Atdheut kujtohet me nderim, respekt e mirënjohje përgjithmoně.
140 vjet më parë me dt 4 dhjetor 1879- 18 janar 1880, në Nokshiq, në Normandinë Shqiptare u nënshkrua Epopeja e lavdishme e Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Krajl Nikolla duke parë se Plavë - Gucia nuk mund të merreshin në rrugë diplomatike vendosi ti merrte ushtarakisht.

Në keto kushte Keshilli i Lidhjes dhe shtabi ushtarak me në krye Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrin shpallën luftën në Plavë- Guci.

Populli i kësaj treve nuk pranoj por hodhi poshtë vendimet e dhunshme për copëtimin e trojeve shqiptare.

Disa javë u zhvilluan luftime të ashpra e të përgjakshme.

Me aktet e tyre heroike u shquan në këtë betejë Nur Kurti e Kurt Asllani, djaloshi 20 vjeçar Bali Bajram Nokshiqi, rugovasit e udhëhequr nga Çel Shabani e Kadri Bajri, motra e Zhuj Selmanit Kajë Selmani, trimi legjendar Jakup Ferri.

Aq të tmerrshme janë zhvilluar luftimet sa i ngjanin një kasaphane të vertetë.

Lumi Lim atëkohë është skuqur nga gjaku i derdhur dhe kokat e të vrarëve janë rrokullisur nëpër ujë si gurë.

Në kët luftë mizore por heroike u shkatërruan tërësisht forcat e Mark Milanit.

Kjo betejë është një faqe e ndritur në historinë e luftërave që kanë bëre të parët tanë për mbrojtjen e trojeve tona kundër forcave serbo- malazeze, diplomacisë së fuqive të mëdha, synimeve ekspansioniste ruso sllave dhe akrobacirave, dredhive e intrigave osmane në kurriz të shqiptarëve për të shpetuar vehten.
Janari është djepi i Kongresit të Lushnjes.

100 vjet më parë në Lushnje u mblodh Kuvendi Historik në vitin 1920 me dt 21- 31 janar.

Në këtë vit Shqipëria ishte kthyer në shesh betejash të luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore që ishin zhvilluar prej disa vitesh.

Personalitetet e Shquara si Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Dr Mihal Turtulli, Medi Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, Ferit Vokopola, Ahmet Zogu zotëronin autoritet të padiskutueshëm në popull prandaj luajtën një rol të jashtëzakonshm në ngritën e vetëdijes kombëtare.
Kongresi i Lushnjes ua bëri me dije fuqive të mëdha vendosmërinë dhe vullnetin e popullit shqiptar për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë dhe se nuk njeh asnjë marrveshje të hapur apo të fshehtë që cënon kufijtë shqiptar.

Kuvendi Historik rrezoj Qeverinë e Durrësit dhe e shpalli atë tradhëtare.

Përmes akteve juridike krijoj dhe jetësoi Qeverinë Kombëtare të kryesuar nga Sylejman Delvina.

Celebroj unitetin krahinoro- fetar si gurëthemel të unitetit kombëtar nën një Flamur.

Caktoj Tiranën kryeqytet.

Do të apostofoj marrshimin e guximshëm e triumfatar të forcave shqiptare të prira nga djaloshi trim 25 vjeçari Ahmet Zogu përmes marionetave të armiqëve drejt Tiranës që sot feston 100 vjetorin.

Kongresi i Lushnjes i hapi rrugën shtetit modern, parlamentarizmit, monarkisë kushtetuese parlamentare.

Zgjodhi delegacionin që do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris të përbërë nga Imzot Luigj Bumçi, Dr Mihal Turtulli, Mehmet Konica.

Zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë nga Imzot Luigj Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Dr Turtulli.

Qeveria e Delvinës brenda 12 muajve me forcat e veta çliroj gjithë territorin, nga disa ushtri të huaja që e kishin okupuar vendin për ta coptuar.
Parlamenti i vitit 1921 zgjodhi kryetar Aqif Pashë Elbasanin.

Me dt 28 nëntor 1944 Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj, por të nesërmen u pushtua nga komunizmi bolshevik i ardhur nga Stepat e Rusisë.

Kjo ideologji e re në thelb ishte antishqiptare, dhe çdo vonese për ndalimin e saj kishte pasoja fatale për shqiptarët.

Malësorët e Malësisë Madhe në Malin e Shkrelit, në Bajzë të Kastriotit banë betimin solemn dhe lëshuan kushtrimin për rrokjen e armëve kundër komunizmit.

Në janar 1945 shpertheu kryengritja e parë antikomuniste në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore, në Malësinë e Madhe.

Ajo u shtri atëkohë në Kelmend ku si prijës do të kishin legjendarin Prek Calin.

Për fat të keq planet e kryengritjes po dekonspiroheshin tek komunistët.

Që në ditët e para deri me dt 10 janar Llesh Marashi e Mirot Paloka kishin grumbulluar disa malësorë trima nëpër çeta të përqendruara në katund - Kastrat.

Konkretisht në këtë ditë u ba përleshja e parë tek Kisha e Katundit Kastrat mes kryengritësve dhe komunistëve të cilët u thyen keq.

Në mbrëmjen e 14 janarit tek Kisha e Boltojës u mblodhën qindra burra trima të betuar kundër komunizmit.

Dt 25 janar i gjen kryengritësit në formacion luftimi tek Ura e Rrjollit përballë forcave të shumta komuniste, pasi Kryengritja e Berdicës ishte tradhëtuar.

Tashmë lufta ishte ndezur.

Malësorët trima luftonin kundër mijëra forcave komuniste.

Megjithë heroizmin e madh kjo kryengritje u shtyp me zjarr e hekur dhe me dredhitë e Mehmet Shehut se do ti amnistonte kryengritësit po të dorëzohen.

Kmerët e kuq organizuan një ekspeditë ndëshkimore kundër Malësisë Madhe.

Me dredhi arritën të kapin gjoja me besë Viganin e bjeshkëve, kreshnikin e alpeve shqiptare, kollosin e mbrojtjes së trojeve arbërore, Prek Calin e dhjetra të tjerë burra që u ekzekutuan me dt 25 mars 1945.

Në momentin e ekzekutimit toga e zezë u kërkoj të denuarve të kthehen me shpinë e të mbyllin sytë.

Prek Cali solemnisht u pergjigjet:

"Nuk shkohet me shpinë e më sy të mbyllun në parajsë".

Sot Malësia e Madhe por dhe gjithë Shqipëria e kujton këtë trim e trimat e tjerë që dhanë jetën për ndalimin e institucionalizimit të komunizmit në Shqipëri.

Prek Cali është strofë poezie, refren kënge, lejtmotiv I lahutës shqiptare.

40 vjet më parë me dt 25 janar 1980 është nderuar me Çmimin më të lartë civil të Indisë filantropja, humanistja, simboli i dashurisë njerëzore, persenofikimi i solidaritetit me nevojtarët, Engjëlli që pushtoj qiejt, lapsi i Zotit në Tokë, Nëna e Botës, Misionarja e Kombit, Shenjtorja Nënë Tereza.

Ajo deklaroj gjithmonë krenare së në damarët e saj rridhte gjak shqiptar.

Edhe në momentet e fundit të jetës së saj lutej për Shqipërinë.

Ju lut Presidentit Bill Klinton bëni diçka për Kosovën.

Sot Toka e Qielli flasin me emrin e Saj.

Shqiptarët krenohen se kanë ADN të përbashkët me Nënën e Botës.

Me dt 17 janar 1982 u vranë nga UDB- ja patriotët, veprimtarët e shquar të Çështjes Kombëtare vëllezërit Jusf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Në respekt të veprës tyre organizohet çdo vit Flaka e Janarit, në Kerçovë, dhe Gjilan.

Shpirti i tyre i ngjitur në parajsë ndriçon sëbashku me Flakën e Janarit kushtuar veprës së tyre në sherbim të Atdheut.

Natën e 11-12 janarit të vitit 1984 ranë heroikisht në përleshje me forcat serbe në Kodrën e trimave në Prishtinë herojtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Ky binom i pavdekësisë është simbol i rezistencës, sakrificës e qëndresës kombëtare.

Ata janë janë të shquar si prijës të levizjes studentore në Prishtinë në vitin 1981.

Vepra e tyre sublime kujtohet e ndriçohet çdo vit në Flakën e Janarit të Gjilanit.

Shpirti i tyre dhe Vepra e pavdekshme do të mbeten gjithmonë flakadan që nuk shuhen kurrë.

Me dt 31 janar të vitit 1997 rënë në fushën e nderit Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu.

Ky trinom, pushka e parë e lirisë së Kosovës ra për tu përjetësuar në Historinë Kombëtare.

Ranë heroikisht në emër të lirisë për të mbetur përjetësisht të pavdekshëm.

Ata janë pishtar të përjetshëm në pavdekësi.

Me dt 15 janar 1999 makina gjakatare e Çengis Khanit të Ballkanit Sllobodan Millosheviçi organizoj Serbrenicën e dytë, masakrën e Reçakut.

Atë çast Bota mbeti pa frymë dhe e denoj me forcë këtë krim kanibalesk.

Sot pas 21 vitesh ish ministri i tij, Gebëlsi i kohës, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e mohon autorësinë e saj.

22 vjet më parë me dt 22 janar 1998 makineria ushtarake e Zhupanit të ri Sllobodan Millosheviç sulmoj shtëpinë e Komandantit Legjendar të UÇK- së Adem Jasharit.

Familja Jashari me trimëri të pashoqe e përballoj sulmin me sukses duke zbrazur trupat serbe

Familja Emblematike Jashari u sulmua disa herë nga trupat gjakatare të Serbisë deri sa u flijua pothuajse tërësisht për lirinë e Kosovës.

Ajo mbetet burim frymëzimi për brezat e ardhshëm, kryefjalë e historisë së re të shqiptarëve, kallzuesi më autentik i qëndresës për liri.

Adem Jashari ka vertetuar mësëmiri postulatin e Filozofit të Lashtë Grek Aristotelit:

"Më e shtrenjtë se jeta ime, më e shtrenjtë se Familja ime është Atdheu im"

Jemi të lumtur që sot kjo familje legjendare është ripërtërirë dhe kontribon për konsolidimin e demokracisë në Kosovë.

14 vjet më parë me dt 21 janar të vitit 2006 pushoj së rrahuri zemra e Abrahamit Arbëror, pulsi i Atit të Kosovës, u ndal frymëmarrja e Gandit të Ballkanit, politikanit gjenial e vizionar, mentorit durimtar, Presidentit historik të Kosovës Dr Ibrahim Rugova.

Ndërroi jetë në kulmin e energjisë, maturisë e diturisë, eksperiencës e lavdisë, kur të paarritshmen e bënte realitet.

Lejtmotivi i Kauzës së tij ishte trinomi Kosova- Zoti -Amerika.

Priami Dardan ndërroj jetë pa arritur ta shoh Kosovën të stolisur me vellon e lirisë, pa parë krushqit e dasmës së madhe tek vinin jo të ngrimë por të shkrirë, me flamur në dorë e jo të fshehur në gji.

Sot pas 14 vjetësh të kujtojmë me mall e nostalgji dhe krenohemi me ty Gjeniu ynë që pushon në paqe i mbuluar me lavdi, për veprën tënde në sherbim të Atdheut.

Sa herë ndërrohen motmotet, shfletohen kalendarët e shpalosen datat e Janarit na sjellin në kujtesë veprën madhështore të misionarëve të Kombit, të cilët e kanë shkruar emrin e tyre me shkronja të arta në Panteonin e tij.

Në përkulemi me respekt e mirënjohje të thellë para vepër së tyre në sherbim të Atdheut.

Akujt e janarit do të shkrihen nga lumejtë e gjakut të derdhur për liri.

Mbi këtë det të kuq kanë mbirë lulëkuqet që nuk vyshken kurrë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat