Problem për Kosovën janë Serbia, tradhtia dhe korrupsioni

Opinione

Problem për Kosovën janë Serbia, tradhtia dhe korrupsioni

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 12 mars 2020 Në ora: 12:16
Skënder S.Kapiti

Prej 2 shekujsh problem më i madh dhe kryesori për Kosovën ka qenë Serbia, e cila është problem edhe sot , dhe që do të jetë edhe për shumë kohë. Edhe aktualisht Serbia nuk ka ndryshuar aspak nga shqiptarofobia, nga urrejtja patologjike që serbët, politika por edhe kombi serb që kanë për shqiptarët.Këtë urrejtje e sëmundje histerike kundër shqiptarëve e ka gatuar kisha shoviniste kriminale serbe dhe akademia shkencore serbe të cilën e kanë zbatuar shteti ,politika dhe diplomacia serbe gjithmonë.Por sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, Serbia gjithmonë ka gjetur edhe bashkëpuntorë shqipfolës të blerë si mercenarë dhe lehtësisht  asish të korrupturish të cilët i kanë shërbyer strategjisë antishqiptare të Beogradit. Edhe sot aktualisht pavarësisht se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur atë e kërcënon gjithnjë rreziku serb, por edhe tradhëtia dhe korrupsioni.

Politika kosovare gjatë këtyre 20 viteve që nga çlirimi i Kosovës nuk e ka kryer si duhet detyrën kombëtare shtetndërtuese dhe demokratike. Korrupsioni, hajnija, papërgjegjshmëria, krimi i organizuar, lakmija dhe egoizmi i politikës penguan zhvillimin dhe progresin demokratik, atë ligjor, zhvillimin ekonomik, arsimor dhe akademik si dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Politika kosovare deri më sot ka zhgënjyer shumë jo vetëm shqiptarët por edhe miqt dhe aleatët ndërkombëtarë të shqiptarëve, shtetet kryesore të BE-së si dhe SHBA-të. Serbia gjatë gjithë këtyre viteve pavarësisht se e orientuar politikisht dhe ushtarakisht nga Rusia, ajo ka punuar shumë , dhe me shumë finesë e diplomaci që të prishë e të vendosë gurë në rrota marrëdhënieve të Kosovës me perendimin.

Si rezultat i ofensivës politike e diplomatike serbe rreth 15 shtete kanë tëhequr njohjet për Kosovën , dhe për dy vitet e fundit nuk ka njohje të reja. Po kështu Kosova dështoi edhe në pranimin në INTERPOL dhe në UNESKO.

Populli i Kosovës me 6 Tetor 2019 e ndëshkoi elitën politike që keqqeveriste prej vitesh pasi ai e  konstatoi se fajtore për këto ishte pikërisht elita politike kosovare ,sidomos ajo që ka pasur pushtetin. Kjo sepse  interesat e elitës politike  ishin jashtë interesave kombëtare, ishin mbi to, dhe nuk ishin brënda tyre por ishin interesa  private, klanore, nepotike, partiake e korruptive. Dhe kur interesat politike parciale,personale e partiake dalin mbi ato publike e kombëtare kjo do të thote se politika kryen tradhtinë publike, tradhëtinë kundër interesave të pergjithshme dhe publike.

Tradhtia politike është edhe mashtrimi,djallëzia, gënjeshtra, hipokrizia si dhe spekulimi me moralin demokratik, me demokracinë, me patriotizmnin dhe me vullnetin popullor. Korrupsioni është kërcënimi më i madh që i vjen dhe rrezikohet sovraniteti i individit, shoqërisë, shtetit dhe atij kombëtar.

Korrupsioni është krimi më i madh prej të cilit burojnë krimet e tjera: ai shtetëror, ekonomik,politik, juridik, krimi i organizuar dhe mafia,krimi ordiner dhe ai i hajdutërisë.

Prandaj Kosova ka sot si probleme kryesore Serbinë, tradhtinë dhe korrupsionin.

Fatkeqësisht Kosova sot në vënd që të kishte në mbështetje Shqipërinë, por si zakonisht, Shqipëria vetë është zhytur në një krizë shtetërore; krizë ndërinstitucionale, demokratike dhe konstitucionale. Shqipëria vetë ka probleme ekonomike, punësimin, varfërinë, paqëndrueshmërinë politike dhe sidomos korrupsionin, borxhin  dhe eksodin, gjë e cila jo vetëm pamundëson ndihmën për Kosovën ,por përkundrazi po  i  bën dëme  asaj.

Prandaj edhe qeveria e re e sotme në Kosovë nuk e ka të lehtë ndryshimin e shpejtë të gjëndjes së trashëguar nga paraardhësit e saj, sidomos nga Presidenti, pasi: qeveria sot  nuk përballet vetëm me pasojat e rënda që  e gjeti vëndin nga pushteti paraardhës, por ajo përballet edhe me rezistencën , pengesat dhe me sabotimin e të të ndëshkuarve me votën  e 6 Tetorit 2019 të cilët dëshirojnë vetëm dështimin  e qeverisë së re, e  madje duke e akuzuar si përgjegjse për ato të cilat ishpushteti e Presidenti janë autorët  dhe fajtoret.

Se si duhet të sillet Kosova me Serbinë, më mirë se sa vetë shqiptarët e Kosovës nuk e dinë askush prej të tjerëve; se cilët dhe se çfarë është politika, shteti, kisha dhe strategjia antishqiptare e Serbisë e dinë shqiptarët e Kosovës.

Prandaj para se të na japin receta politike të tjerët është mirë që ata të tjerët t’i dëgjojnë dhe t’i marrin në konsideratë ato çfarë thonë dhe kërkojnë Kosova, pasi tashmë ajo është shtet sovran dhe i pavarur që ka politikën, qeverinë, shtetin, institucionet, kushtetutën dhe integritetin e sovranitetin e vet. Kosova nuk është problemi, por me Kosovën shqiptare do të zgjidhet problemi shqiptar i cili është akoma i pazgjidhur në Ballkan. Nuk ka zgjidhje të problemit të Ballkanit në dëm të interesave kombëtare shqiptare, pasi çdo alternativë e tillë  jo reale vetëm sa e përkeqëson dhe e agravon gjëndjen.

Dhe  parimi është ky: drejtësi, vërtetësi, patriotizëm, dinjitet dhe personalitet kombëtar; reciprocitet dhe respekt i ndërsjelltë; mirësi dhe mirënjohje ndaj atyre që na duan të mirën dhe të cilët tashmë dihet se kush janë, e që janë ata që na ndihmuan dhe që e cliruan Kosovën, Kombi i pari dhe mbi të gjitha.

Miqtë dhe aleatët e shqiptarëve nuk duan fjalë e retorika rrahagjoksesh, respekti e dashamirësie hipokrizie e servilizmi, por ata dhe sidomos SHBA kërkojnë nga politika shqiptare punë dhe rezultate konkrete në Kosovë në luftën për shtertndërtimin modern e ligjor, në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe në zhvillimin ekonomik e  demokratik drejt   rrugës së  integrimit europian të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat