Të qenurit shqiptar është fat, të qenurit evropian është privilegj, andaj këto dy vlera janë të pandashme!

Opinione

Të qenurit shqiptar është fat, të qenurit evropian është privilegj, andaj këto dy vlera janë të pandashme!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 korrik 2020 Në ora: 19:45
Rexhep Elezaj

Pa u kthyer shumë pas në historinë tonë kombëtare, si popull dhe si etnikumi më i vjetër autokton në Ballkan, me gjitha vuajtjet, padrejtësitë, eksodet dhe copëtimet e tokave tona, nga Kongresi i Berlinit 1878 e deri në mbarim të LDB-re, 1945, duhet ta pranojmë faktin, se qysh atëherë koha po punonte në favor të shqiptarëve, hiç këtu për fat të keq, ato 50 vitet e budallallëkut të Enver Hoxhës me shokë, të cilët në vend që t’i bashkëngjiteshin në fillim të Luftës së Dytë Botërore (LDB- 1939-40) Aleancës Verio-Atlantike (SHBA-Angli-Japoni), e që sot kombi shqiptar do të ishte i bashkuar në një shtet të zhvilluar dhe shumë të fuqishëm ekonomik, e edhe si faktor kyç politik në jug të kontinentit evropian, ata (komunistët naiv shqiptar) të mashtruar nga shovinistët e Serbisë, Milladin Poppoviçi, Dushan Mugosha dhe Svetozar Vukmanoviç-Tempo, e përqafuan vullnetarisht komunizmin si ideologji kombëtare, duke u futur nën kupolën kriminale të komunizmit ruso-sllav, pasojat e të cilit po i vuajmë edhe sot si komb..!?

Dhe, kjo histori tanimë është vetëm një kapitull i shkruar dhe i arkivuar në sirtarët e së kaluarës, por të cilin me siguri historianët tanë do ta hulumtojnë, analizojnë dhe studiojnë për ta zbardhur të vërtetën, se sa ishte e dëmshme radhitja e kombit shqiptar në kampin komunist-socialist-stalinist të bllokut të Lindjes në fillim të Luftës së Dytë Botërore (LDB)!

Mirëpo, ajo që dëshiroj ta trajtoj në pika kryesore në këtë shkrim, ka të bëjë me aktualitetin politik në relacionin Kosovë-Evropë perëndimore-BE, si dhe gabimet e udhëheqësve politik të Kosovës, që nga dita e çlirimit të saj nga pushtimi serb (10 qershor 1999), të cilat në esencë çuan në izolimin e Kosovës nga shtetet më të fuqishme të Evropës, siç janë Gjermania, Anglia, Franca, Italia, etj., të cilat siç dihet pas një shekulli e më shumë, u pajtuan që në kuadër të NATO-s ta bombardojnë  Serbinë, duke dalë hapur në mbrojtje të shqiptarëve dhe të Kosovës. Ishte kjo një kthesë historike në raportet dhe marrëdhëniet e ish fuqive të mëdha të Evropës me shqiptarët, si dhe anasjelltas, kur i krahasojmë qëndrimet e tyre anti-shqiptare në Kongresin e Berlinit me 1978, e më vonë edhe me të njëjtat në Konferencën e ambasadorëve në Londër me 1913.       

Për mua shtrohet pyetja kruciale; se si është e mundur që këtë kthesë historike pro-shqiptare të vendeve kyçe të BE-së, lider-shipi shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë të mos dinë ta shfrytëzon me tërë kapacitetin politik dhe diplomatik në favor të kauzës shqiptare në Ballkan dhe Evropë, si është e mundur që kthesën e madhe politike, ekonomike dhe diplomatike të Evropës perëndimore kundrejt kombit shqiptar, politikanët tanë, sidomos ata në Prishtinë, të mos dinë ta kapin hapin si dhe kuptojnë procesin e ndryshimeve ekonomike dhe historike brenda Evropës të cilat pasuan në dritën e rënies së Murit të Berlinit (1989), si nuk mundën t’i vërejnë rrjedhat e reja sociale-kulturore tek popujt evropian, pjesë e të cilave nominalisht ishte edhe vetë Kosova, ani pse e shkatërruar nga lufta..!?

Si ishte e mundur që shtetet më të fuqishme të Evropës perëndimore, anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta ndihmojnë Kosovën financiarisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, duke i dhënë asaj ndihma të ndryshme me miliona euro, duke dërguar në Kosovë në kuadër të KFOR-it me qindra dhe mijëra ushtarë të tyre me një kosto marramendëse financiare, duke investuar me miliona euro në shumë projekte rindërtimi dhe rivitalizimi të ekonomisë në Kosovë, etj., derisa në anën tjetër, Kosova në vend se të rindërtohej dhe ekonomikisht të forcohej, ajo çdo vit e më tej rrëshqiste në varfëri, papunësi, hajni, korrupsion si dhe krim të organizuar ekonomik, deri në masën sa që pas vitit 2010 e deri më sot, në raportet e organizatave ndërkombëtare të OKB-së, BE-së dhe instituteve me renome shkencore, ajo radhitej dhe ende vazhdon të jetë në grupin e parë të vendeve me shkallën më të lartë të korrupsionit në Ballkan, etj., etj. ..!?

Si ishte e mundur që ajo Evropë demokratike e cila para dhe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, të pranojë, strehojë, mbajë dhe ushqejë me bukë dhe ndihma sociale mbi dy milion refugjatë shqiptarë të ikur nga tmerret e luftës, t’i marrë në punë me mijëra syresh, t’iu lejojë të themelojnë dhe hapin në krejt Evropën me mijëra firma, biznese dhe kompani të ndryshme prodhuese dhe tregtare, si ishte e mundur që e vendet kryesore të BE-së ta pranojnë pavarësinë e Kosovës si dhe t’i hapin menjëherë përfaqësitë e tyre diplomatike dhe konsullore në Prishtinë, kurse në anën tjetër ta izolojnë Kosovën, duke mos ia hequr vizat këtu e mbi 20 vite që nga mbarimi i luftës në Kosovë..!?,

E bëra këtë analogji midis këtyre fakteve të panumërta, që në fakt dëshmojnë katërçipërisht se shqiptarët, fjala është vetëm për ata nga Kosova, sepse Shqipërisë iu kanë hequr vizat para disa viteve, ishin dhe janë jashtëzakonisht të mirëpritur në mesin e vendeve dhe popujve të Evropës perëndimore, ishin dhe janë të pranuar mjaft mirë edhe si punëtorë të zellshëm, edhe si njerëz të kulturuar, dhe tani janë të integruar plotësisht në jetën dhe rregullat e shoqërisë ku jetojnë dhe punojnë. Madje sot në shumë vende të BE-së shqiptarët kanë pozita kyçe shtetërore, dhe kështu me radhë, por që vendit të tyre të origjinës, pra Kosovës, të njëjtat shtete dhe popuj brenda BE-së nuk bien dot dakord që t’ua heqin vizat për lëvizje të lirë, duke e lënë Kosovën si vendin më të izoluar në Evropë..!?

Pra, ku qëndrojnë shkaqet për këtë izolim kaq të gjatë të Kosovës, si dhe kush janë fajtorët kryesorë që vetëm shtetit të Kosovës BE-ja, gjegjësisht 27 anëtarët e saj, të mos pranojnë liberalizimin e vizave vetëm për Kosovën, derisa në gjirin e tyre jetojnë dhe punojnë me mijëra e mijëra shqiptar nga Kosova, dhe jo vetëm..!?

Sipas mendimit tim të prerë, shkaktarët kryesorë për mos heqjen e vizave nga ana e BE-së vetëm ndaj Kosovës, pra për mos liberalizim të vizave, fajtorët kryesor për këtë ndëshkim të Evropës ndaj shqiptarëve, janë ekskluzivisht politikanët e korruptuar shqiptar në Prishtinë, të cilët, jo vetëm se e bartin fajin kryesor për mos liberalizim të vizave, por ç’është edhe më keq se kjo, ata janë edhe shkaktarët kryesor për dështimin politik, ekonomik dhe diplomatik të Kosovës brenda Evropës si dhe më gjerë në arenën ndërkombëtare. Kjo temë pa dyshim, se kërkon trajtim dhe analizë shumë më të gjerë, sepse pa identifikimin e shkaktarëve të vërtetë, bartësve të gabimeve dhe dështimeve politike-diplomatike, të cilët faktikisht Kosovën e sollën në këtë gjendje të mjerueshme sociale dhe ekonomike, të cilës ia shkatërruan edhe imazhin në Evropë dhe botë, është iluzore të mendohet se Kosova dhe populli ynë i mrekullueshëm mund të ecën me këta injorantë përpara..!?  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat