Duke kujtuar 05 korrikun e 1990-tës - Bota Sot
Duke kujtuar 05 korrikun e 1990-tës

Opinione

Duke kujtuar 05 korrikun e 1990-tës

Nga: Dibran Demaku Më: 5 korrik 2020 Në ora: 11:45
Dibran Demaku

Si sot tridhjetë vite më parë pushteti serb me forcë e mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës.Në paraditen e asaj dite(05 korrik 1990)Serbia me forcën e armës e kishte suspenduar Kuvendin e Kosovës dhe po me forcën e armës në pasditën e të njejtës ditë kishte pushtuar lokalet e Radiotelevizionit.Të nesërmen e asaj dite(me 06 korrik) policia serbe kishte zënë të gjitha portat hyrëse të lokaleve të televizionit dhe të radios, dhe nuk e linte asnjë punëtor shqiptarë t‘u afrohej as portave hyrëse,të cilët kishin ardhur që në orët e herëshme të mëngjesit si në asnjë ditë tjetër.Punëtorët e nacionaliteteve tjera si serbë,turq e romë hynin në lokalet e televizionit dhe radios pa u penguar nga policët serbë...Në fytyrat e tyre nuk vërehej asnjë brengë apo dhimbje për kolegët e tyre shqiptarë,përkubdrazi sikur u shkëlqente një gëzim i papërmbajtur!...

Ne punëtorëve shqiptarë nuk na mbeti tjetër vetëm me brenga në mendje e në zemër të largoheshim ,nën kërcënimin e policëve serbë me tyta armësh të drejtuara drejtë nesh dhe premtimit të ndonjërit nga udhëheqësit e lartë të Radiotelevizionit tonë se së shpejti do të ktheheshim në vendet tona të punës!...

Të nesërmen,edhepse ishte ditë e shtunë,ne punëtorët e Radiotelevizionit ju drejtuam vendeve tona të punës,por policia serbe këtë herë ishte kujdesur që priten ta vendiste në të gjitha rrugët që shpinin drejtë lokaleve të të televizionit dhe të radios...
Dikush e solli një lajm i cili vinte nga strukturat udhëheqëse  të Radiotelevizionit se ishte më mirë që ne të shpërbdaheshim dhe të shkonim në shtëpitë tona,sepse nga pushteti serbë i kohës mund të pritej gjithçka...Dhe në fund edhe premtimi se së shpejti do të ktheheshim në punë sepse pa ne nuk do të mund të funksiononte ?!...

U shpërndamë gjithkush drejtë shtëpisë apo banesës së vet,në kryeqytet apo në qytete dhe fshatra prej nga vinim,sepse ishim nga të gjitha viset e Kosovës...

Ne disa që jetonim në kryeqytet,me banim të përhershëm,qoftë në shtëpi apo banesa vetiake apo në shtëpi apo banesa me qëra,çdo ditë të zotit dilnim që me mëngjes dhe shihnim nga larg lokalet e Radiotelevizionit nga ku ishim përzën me forcë.Silleshim e pështilleshim nëpër qytet kush i vetëm e kush me  shok apo kolegë të zyrës ku kishim punuar për vite të tëra?!...

Në një nga mbrëmjet e atyre ditëve plot tension,shkova për vizitë tek një shok e mik imi që kishim punuar vite të tëra bashkë.Edhe në atë ndejë si në të gjitha ndejat e atyre ditëve dhe netëve,e tërë biseda bëhej,se si do të zhvillohej situata politike,që ne të papunët të ktheheshim në vendet tona të punës.Babai i shokut dhe mikut tim,xha Hyseni e kishte përcjellë tërë bisedën tonë plotë brenga,kishte ndërhyrë me fjalët:-Mos u brengosni aq shumë,sepse njeriu i gjallë gjithnjë gjen rrugëdalje edhe nga situatat më të vështira!...Dhe pasi kishte pushuar për pak çaste kishte vazhduar:-Vetëm në tri vitet e para do ta keni vështirë!-dhe sërish kishte pushuar.

-Përse çfarë do të ndodhë pas tri vjetësh,xha Hysen?- e kisha pyet unë.
-Pas tri vjetësh do të mësoheni!...Them pas tri vjetësh,sepse mbase edhe më shpejt,sepse siç thash edhe pak më parë njeriu i gjallë gjen mjete e forma për t‘i tejkaluar vështirësitë e jetës!...
Dhe vërtetë,pa u bërë tri vite,së pari miku im,e pastaj edhe unë,në kërkim të mbijetesës,morëm rrugët e botës!Se a bëmë mirë apo keq,ende nuk e dimë?!...

Kështu ikën tridhjetë vite nga ajo pas dite e trisht e 05.korrikut.1990,dhe ne të gjallëve nga ajo ditë nuk na mbetët tjetër vetëm ta kujtojmë me nostalgji si ditën që na i përmbysi fatet dhe ëndrrat e jetës!...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat