Xhevat Rexhaj shpifë e provokon Vjosa Osmanin

Opinione

Xhevat Rexhaj shpifë e provokon Vjosa Osmanin

Xhafer Leci Nga Xhafer Leci Më 22 korrik 2020 Në ora: 13:26
Vjosa Osmani

Xhevat Rexhaj, alias Xhek Rexhaj, është mjaft aktiv në rrjetin e Facebook. Shquhet për subjektivizëm, me mugesë të theksuar drejtëpeshimi, orientimi. Hiçet i djathtë, por duke e parë se kënd mbronë, rezulton të jetë krejt i majtë. Ka një ngarkesë ideologjike enveriste, staliniste, pse jo, edhe titoiste.

Xhevati ka humbur një pjesë të familjes gjatë luftës. Ne bashkë-ndjejmë këtë dhimbje të madhe. Prandaj statusi i tij obligon sjellje korrekte dhe maturi njerëzore, në raport me njerëzit, për të cilët shkruan me subjektivizëm dhe fjalor aspak etik. Për rrjedhojë, shkrimet, komentet e tij lëndojnë jo vetëm Vjosa Osmanin me deputetët reformatorë, por edhe anëtarësinë, elektoratin e LDK-së, që është në anën e saj, në anën e së drejtës, pra, për ndryshimin e premtuar elektoratit. Shihni sondazhet, si dëshmi e mendimit masiv të popullit. Të gjitha kalojnë shifrën e 80 % pro parimeve të Vjosës.

Xhevat Rexhaj, tashmë, është i njohur për shërbime me porosi. I vënë në shërbim të klanit Isa Mustafa, ai krijon edhe shpifje monstrume. Njëra nga këto është edhe ajo kur thotë se Vjosa Osmani i ka quajtur "thaçista" vajzat dhe djemtë e të vrarëve politikë, duke i cilësuar me emëra. Pra, fjala është për ato kuadra të rinj të zgjedhur dhe të emëruar në struktura të LDK-së dhe postet tjera pushtetare apo legjislative.

E gjithë kjo është një shpifje dhe intrigë qëllimkeqe, sepse asnjëherë kjo nuk mund as të thuhet dhe aq më pak të mendohet nga Vjosa Osmani, një intelektuale elitë e skenës politike të Kosovës. Shkëmb Manaj, djali i kryetarit të LDK-së të Istogut, avokatit Shaban Manaj, i vrarë dhe i djegur, në Ozdrim të Skënderajt, nga "komandantët" e LPK-së, ka deklaruar publikisht se "unë kam votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit". Dëshmi më të qartë demantuese, karshi shpifjes së Xhevat Rexhaj, nuk ka pse kërkohet tjetër.

Kundërshtinë e Vjosës ndaj Hotit, lidhur se kush ka të drejtë ta shpallë - gjendjen e jashtëzakonshme -, Xhevati e cilëson "rrëshqitje në pisllëk" dhe në shërbim të Albin Kurtit.

Mjaft më me shpifje dhe intriga. Sulmet kundër Vjosa Osmanit, janë sulme kundër LDK-së. Është për t`u habitur pse nuk kuptohet drejt ajo, kur bënë politikë tej partiake, politikë kombëtare, me interesa për vendin dhe jo politikë provinciale e klanore?! Ajo i mundi rrënuesit e LDK-së, klanin e rrezikshëm brenda saj, uzurpuesit e pacipshëm, të cilët i tmerron vota e fshehtë demokratike. Tellallët e i këtij klani, nëse nuk reflektojnë, do të mbesin përjetësisht të turpëruar, për shpifjet dhe gënjeshtrat që ata lansojnë.

Një veprimtar i vjetër cili ka kontribuar për çështjen kombëtare , si ju, është paradoks të përkrahësh Isa Mustafën me rrethin e tij, edhe pas gjithë atyre mashtrimeve dhe veprimeve të tij, në dëm të LDK-së dhe Kosovës. Ai ka qenë dhe mbeti bisht i PDK-së, PAN-it. Njëherë pate reflektuar dhe shpërtheve në kritika: "Boll ma, Isë!" Bile i kërkoje edhe largimin nga drejtimi i LDK-së. Pse kjo metamorfozë e tanishme, kur nuk ka ndryshuar asgjë për të mirë Isa. Përkundrazi, e ka thelluar të keqen, deri në diferencim, linçim të kuadrave elitë të LDK-së, me qëllim që t`i këtë "duart e lira", për flirtime të dyshimta me PAN-in, i njohur për shumë të këqija, që i ka sjellur Kosovës, gjatë këtyre 20 viteve.

Vjosa Osmani e tha të vëtetën e pamohueshme, se LDK-ja është uzurpuar nga njerëz që nuk kanë fije legjitimiteti partiak. Prej shumë vitësh nuk janë provuar me votën e fshehtë demokratike. Si të tillë janë të paligjshëm. Ajo, me shumë mençuri e dinjitet, nuk kërkoi largimin e tyre, por kërkoi legjitimimin e kolegëve drejtues dhe të strukturave të partisë, nëpërmjet të një procesi zgjedhor demokratik brenda partiak, kryesisht, me votën e fshehtë demokratike dhe assesi me aklamacionin mashtrues, si metodë tipike komuniste, titoiste e staliniste.

Atëherë çfarë të keqe ka këtu? Pse duhet heshtur, kur janë thyer parimet bazë të demokracisë: debati në të gjitha nivelet partiake, konkurrenca e ndershme dhe votimi i fshehtë. Vjosa Osmani është vlerë për LDK-në dhe të gjithë spektin politik të Kosovës. Provokimet ndaj Vjosës, të orkestruara nga klani i Isa Mustafës, tashmë, dihen. Qëllimi i klanit është ta largojnë nga LDK-ja. Prandaj i kanë aktivizuar argatët e tellalët e tyre, për ta sulmuar dhe provokuar Vjosën, pa zgjedhur mjete e metoda të ulëta. Bënë përshtypje, pse strukturat e partisë nuk i thonë stop, provokimeve dhe shpifjeve të qëllimta, të cilat dirigjohen nga klani Mustafa?! Sjellje të tilla, deri në sulm fizik, aspak i motivuar dhe krejtësisht artificial, turpërojnë edhe vet partinë, LDK-në, dikur me nam të Presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat