Rrëshqitja në të përpjetë e Lut Hazirit!

Opinione

Rrëshqitja në të përpjetë e Lut Hazirit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 20 gusht 2020 Në ora: 07:56
Lutfi Haziri

Lutfi Hazirin e njoh prej shumë vitesh. Kavalier, i komunikueshëm, një njeri që të bën për vete edhe në rrethana të zymta. Luta hyn te politikanët e shkathët që di të rrëshqasë në akull dhe në rrëpira! Ai di të bëjë edhe punë, të cilat jo gjithkush mund t’i bëjë, ndaj shihet si i dobishëm në politikë dhe Lidhja Demokratike për këtë arsye e mban si aset të saj. Të shumtën e rasteve është i kujdesshëm edhe në kthesat nga më të fortat, ku lypset të udhëtosh me 5 km në orë. Ky lloj raporti me rrëshqitjen e ka bëtë të suksesshëm në politikë. Si nga njerëzit e parë të stërvitur në Shqipëri për rezistencë të armatosur ose siç thuhej atëherë për vetëmbrojtje kundër ndonjë sulmi të ushtrisë dhe policisë serbe për asgjësimin fizik të shqiptarëve, ai u promovua në politikë përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës. Burgosja në fillim të viteve 1990 i dha kredite nacionaliste dhe patriotike të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga çdo lloj akuze për të kundërtën e patriotizmit.

Megjithatë unë e njoh Lutën për një politikan pragmatist, një tipar ky pozitiv për politikanët e karrierës. Ndaj nuk prisja që ai të rrëshqasë e të rrëzohet në në të përpjetë. Ai përsëriti këto ditë se zgjidhja e konfliktit me Serbinë do të ishte shkëmbimi i Luginës me 17 fshatra të veriut të Kosovës dhe Lesopaviçin. Ndërkaq Vuçiç para disa kohësh pati deklaruar se me marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve me Kosovën, Serbia do të përfitonte Veriun e Kosovës si  dhe një pjesë të Anamoravës. Asokohe Luta nuk reagoi.

Ndërsa tani iu rikthye opsionit të Thaçit, Ramës, Batonit dhe presidentit serb për shkëmbim territoresh. Në këtë rrëshqitje në të përpjetë të Lut Hazirit shihet se ka marrë drejtimin e Beogradit. D.m.th po i bën një argat Serbisë, sepse ai dhe të gjithë ata që propagandojnë zgjidhje të tilla e dinë se përfituesi i kësaj zgjidhjeje është Serbia dhe Rusia.  Nuk besoj se motivet e këtij argatllëku janë të njëjta me ato të Thaçit, Ramës dhe Batonit, por ama është e njëjta gjellë që ai u ofron shqiptarëve.

Problemi është se Luta e identifikon veten me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryeministri i së cilës është zotuar se në bisedimet me Serbinë do të respektojë kushtetutën e vendit, si dhe integritetin territorial të tij. Ndërsa Lidhja Demokratike, ashtu si në të kaluarën, edhe në këtë rast, hesht! Isa Mustafa nuk hesht nëse Vjosa Osmani e sheh pak shtrembët, por hesht përballë qëndrimeve të nënkryetarit të vet, kur ky në kundërshtim me Kushtetutën kërkon ndarjen e Kosovës, edhe pse e di se Luginën nuk do ta shohë as në ëndërr!

Derisa reagimi i Mustafës nuk vjen edhe pas kësaj deklarate, atëherë duhet besuar se plaku i LDK-së po luan një lojë të rrezikshme prapa shpinës së vendit të vet. Nga njëra anë shfaqet në publik si kundërshtar i ndryshimit të kufijve, nga ana tjetër teston përmes Lutë Hazirit e Baton Haxhiut se mos ndoshta qytetarët e Kosovës e përkrahin këtë opsion të rrezikshëm për Kosovën dhe gjithë rajonin e kontinentin evropian! Eshtë si gjuetari që i di pritat e gjahut të vet dhe nuk e ndjek atë nga pas, por e pret t’i vijë vetë në pritë.

Abdullah Hoti, nga ana e tij, duhet të kuptojë se ndodhet përballë kësaj trysnie, e cila vjen nga bashkëbiseduesi i tij, Presidenti i Serbisë, Vuçiç dhe mbështetet nga zëdhënësit e vet në Kosovë. Ajo, me të cilën përballet e do të përballet kryeministri i Kosovës ka të bëjë me faktin se partneri i vet në bisedimet në Uashington apo Bruksel, pra Aleksandër Vuçiç, nuk e pranon si realitet faktik shtetin e pavarur të Kosovës. E refuzon dhe e kundërshton faktin se Kosova është shtet i pavarur e sovran me kufij të përcaktuar.Ndërsa në fakt shteti i Kosovës ekziston. Ai është njohur nga së paku 100 vende të botës si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Edhe sikur atë ta kishin njohur 10 shtete, vendimi i 22 korrikut 2010 i Gjykatës së Drejtësisë e ka legjitimuar përfundimisht pavarësinë e Kosovës.  Kosova ka kushtetutën dhe institucionet e saj të pavarura e legjitime.

Ndaj them se argumenti në mbrojtje të shtetësisë dhe territorit është i pakontestueshëm nëse Abdullah Hoti di ta përdorë me guxim e vendosmëri. Por deklarata të tilla, si kjo e Lutë Hazirit, e dobëson pozicionin e delegacionit dhe kryeministrit të Kosovës në bisedime me delegacionin e Serbisë. Kjo sepse Vuçiç mund t’i përdorë këto deklarime si argument në dobi të opsionit të tij për ndarjen e Kosovës. Mund të thotë: “Se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës është i pavlefshëm dhe se këtë të vërtetë e pranojnë edhe disa politikanë dhe udhëheqës të Kososovës. E pranon vetë presidenti i vendit, Thaçi, ish zv. Ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, këshilltari i zotit Rama, Baton Haxhiu, gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këshilltarët e Hashim Thaçit dhe një nga përfaqësuesit kryesorë të partisë në pushtet të kryeministrit Hoti, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri. Edhe sikur thjesht këtë efekt të sillte deklarata e Lutës për shkëmbime territoresh, është e mjaftueshme që ai të marrë ndëshkimin e merituar politik nga partia e tij dhe të izolohet nga faktorët e tjerë, po ashtu politikë e qytetarë! Lutës e kujtdo i duhet bërë mësim që të “mos rrëshqasin më në malore”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat