Miqësia personale Rama-Erdogan, kërcënim për integrimin e Shqipërisë në BE

Opinione

Miqësia personale Rama-Erdogan, kërcënim për integrimin e Shqipërisë në BE

Nga: Hajro Limaj Më: 7 janar 2021 Në ora: 17:53
Hajro Limaj

Shteti dhe populli turk janë miq, ndërsa strategjia e Erdoganit ndaj Shqipërisë përbën rrezikshmëri. Kryeministri Rama miqësinë personale me kreun e shtetit turk, e ka kthyer në strategji të politikës së jashtme të vendit. Këto vlerësime unë i kam trajtuar në dy librat e mi. I pari “Midis Ankarasë dhe Tiranës 1990-2000” dhe i dyti “Ku po e çon Erdogani Turqinë?“. Kualifikimet e larta në Turqi dhe detyrat shtetërore që kam kryer me këtë vend, veçanërisht me atë të atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në vitet 1994-2000 më kanë dhënë mundësinë që ta njoh nga afër këtë vend, të vlerësoj zhvillimet politike të brendshme dhe të jashtme, zhvillimet ekonomike dhe ushtarake të tij.

Para ardhjes në pushtet të Erdoganit, Turqia veçanërisht me drejtimin e Turgut Ozalit dhe Sulejman Demirelit konsolidoi shtetin demokratik, ligjor dhe laik të ngritur nga Ataturku. Turqia ishte në lulëzim të te drejtave të njeriut, të lirive të shprehjes dhe të medias së lirë, të unitetit kombëtar dhe veçanërisht të funksionimit të shtetit me ndarjen e tre pushteteve ; pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushteti drejtësisë-gjyqësor. Sistemi ishte shumë partiak, parlamentar. Vlen të nënvizoj se në këtë periudhë marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë ishin shumë të mira, marrëdhënie me interesa reciproke dhe të dyja paralelisht kishin për objektiv integrimin në Bashkimin Evropian. Turqia e asaj kohe mbështeti Shqipërinë nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme që po i vinin ne vitin 1997, kohë në të cilën ish kryeministria Ciler paralajmëroi Greqinë, apo mbështetja politike dhe ushtarake që dha për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb në vitet 1998-1999. Dhe e gjithë kjo mbështetje ishte e natyrshëm dhe pa ngarkesa neo otomane apo islamike që bëhet sot.

Kam qenë për një kohë të gjatë në Turqi atashe ushtarak dhe e njoh mirë këtë vend. Ruaj respektin më të lartë për lidershipin politik dhe ushtarak të asaj kohe. Por, fatkeqësisht në vitet 2002 në Turqi fitoi islami politik, partia islamike e drejtuar nga Erdogani. Turqia nën drejtimin e tij shkoi drejt shkatërrimit të plotë te shtetit të krijuar nga Ataturku i madh: shtetit demokratik , ligjor dhe laik. Ndryshoi kushtetutën duke krijuar shtetin presidencial ,ku presidenti ka fuqi dhe pushtete të gjithanshme. Pra është, president, kryeministër, kryetar i partisë në pushtet, kryetar i këshillit të lartë të drejtësisë dhe komandant i përgjithshëm. Liria mori fund. Burgjet janë mbushur me kundërshtarët e Erdoganit: 2400 shkencëtarë, 165 gazetarë, 7800 kolonelë,190 gjeneralë dhe me mijëra qytetarë me mendime ndryshe. Liria e shtypit dhe e mendimit ndryshe janë varrosur. Me qindra diplomatë e ushtarakë po marrin strehim politik në Amerikë, Gjermani, Holandë, etj. Politika shqiptare duhet të ishte distancuar prej kohësh nga Erdogani dhe politikat e tij, të cilat përbëjnë kërcënim për të gjithë botën shqiptare, për të cilën ka ngritur një strategji të ripushtimit të saj me konceptet otomane. Me investime masive në institucionet fetare, në kulturën osmane nëpërmjet pushtimit të kanaleve televizive me filma turq, me qendrat kulturore etj., të cilat janë edhe një nga shkaqet kryesore që Franca dhe Holanda kundërshtojnë dhënien e statusit të negocimit për anëtarësim ndaj Shqipërisë. Miqësia private e Edi Ramës me Erdoganin po i sjell pasoja të rënda të ardhmes integruese Shqipërisë në Evropë. Ai miqësinë personale e ka kthyer në strategji të politikës së jashtme. Shteti dhe populli turk janë miq, ndërsa strategjia e Erdoganit ndaj Shqipërisë përbën rrezikshmëri, një kërcënim serioz për të ardhmen e saj. Mbajtën dhe zhvillimin e marrëdhënieve natyrale me Turqinë nuk e kundërshton askush, por kur Edi Rama e ka kthyer Erdoganin aleatin kryesor strategjik duke braktisur bashkëpunimin e shtete e Bashkimit Evropian e deri Amerikën nuk mund t’i lejohet vazhdimi kërcënues kombëtar atij. Turqia nuk është partneri kryesor ekonomik, por i katërti dhe më e keqja investimet kryesore nuk janë në ekonomi dhe tregti, por ne islamizimin jetësor, me në krye xhamitë dhe kultet e individit. Si mund të mbushet vendi me xhami dhe institucione te tjera islame kur Evropa islamizimin e ka kundërshtuar ashpër dhe përbën një rrezikshmëri integruese.

Erdogani e komandon Z.Rama deri ne gjëra të çuditshme. Ai i kërkon që shoqëritë arsimore me origjine turke t’i shpallë organizata terroriste dhe ti shpërbejë ato. Erdogani sulltani e shikon Shqipërinë si vilajet të tij, ndërsa Ramën si pashain e këtij vilajeti që drejtohet nga ai. Me këto qëndrime Edi Rama është kundër Amerikës dhe të gjithë Evropës, pasi këto shkolla nuk i lidhin me asnjë organizatë terroriste që krijon sulltani në Ankara për interesat e tij të brendshme politike. Ato janë qendra arsimore më me vlerë ne Shqipëri dhe jashtë saj dhe çdo tentativë e kundërligjshme e Ramës për t’i ndëshkuar sepse ja kërkon Erdogani do të ketë pasoja vendi jonë në raportet me vendet demokratike. Do të ketë se vetëm Rama si kryeministër i një vendi po i qaset kaq shumë Erdoganit në këtë pikë. Nëse ai do të vazhdojë rrugën e shtrembër që ka nisur me këto shkolla do të humbas të gjitha gjyqet e brendshme dhe të jashtme dhe do të paguajë nga djersa e populli haraqet, siç po i paguan tani Behgjetit.

Politika e jashtme e Shqipërisë vitet e fundit është në rrugë shumë të gabuar. Në vend që ajo të jetë me përparësi me shtetet evropiane dhe Amerikën, ai ka vendosur në plan të parë Turqinë dhe Serbinë, Erdoganin dhe Vuçiqin, dy presidentët e dy vendeve që në histori e kanë pushtuar dhe copëtuar Shqipërinë.

Autori-drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat