Integriteti i Sali Berishës përballë perversitetit politik e moral të Edi Ramës!

Opinione

Integriteti i Sali Berishës përballë perversitetit politik e moral të Edi Ramës!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 26 maj 2021 Në ora: 16:08
Sali Berisha dhe Edi Rama

Viti 1997 ishte viti më i vështirë për ish-presidentin Sali Berisha. Gjithkush duhet ta perceptojë sesi ndjehet kreu i shtetit kur sheh sesi po i shkërmoqen institucionet para syve, se si i vriten zyrtarët e tij (nëntë punonjësit e SHIK-ut në Vlorë) dhe ndërkohë nuk mundet të bëjë asgjë për mbrojtjen e tyre. Se si ndjehet ai kur sodit hapjen e burgjeve dhe sulmet kundër reparteve ushtarake pa mundur të reagojë. Në krye të kësaj lufte të paprecedentë për shkatërrimin e shtetit dhe institucioneve të tij ishin politikanët e majtë, socialistët dhe kriptodemokratët, miq dhe bashkëpunëtorë të diktatorit në kohën e diktaturës.

Kohët e anarkive prodhojnë sa e sa thashetheme, shpifje, trillime, intriga dhe e tillë ishte edhe periudha e vitit 1997. Gjithçka u organizua gjithashtu me frymëzim antikombëtar, me parullën e “luftës kundër malokëve”! Të gjitha këto u bënë me një regji të përsosur nga ata që humbën pushtetin në vitin 1992 e në bashkëpunim me qeveri e qarqe anti-shqiptare në rajon. Milosheviçi p.sh kishte investuar 19 milion dollar amerikanë për destabilizimin e Shqipërisë. Kurse humbësit e vitit 1992 (socialistët e vitit 1997) ishin të pacipë, pa moral, të pa zakontë dhe të paduruar për t’u rikthyer me çdo mjet në pushtet. Ata ishin mësuar me teorinë se “pushteti merret dhe mbahet me grykën e pushkës”! Dhe e aplikuan këtë teori revanshiste në vitin 1997.

Këta revanshistë kishin përvojën e kompromiseve të mëdha në funksion të pushtetit. Paraardhësit e tyre qenë gati në vitin 1946-1947 ta bënin Shqipërinë republikë të ish-Jugosllavisë, vetëm që të garantonin vazhdimësinë e pushtetit. Ata ruajtën dhe mbrojtën stalinizmin si kështjellën e vetme të ushtrimit të pushtetit mizor në vendin tonë. Përvoja e kompromiseve e socialistëve në funksion të pushtetit funksionoi dhe funksionon edhe sot në mbështetjen që ata marrin nga aktorë të fuqishëm në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq Sali Berisha kishte dhe ka principe për forcimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera, sidomos me miqtë e Shqipërisë si SHBA-të, sipas kritereve dhe sjelljes që përcakton kodi I kësaj miqësie. A ishte ky qëndrim pragmatik dhe i dobishëm për pushtetin e Berishës? Sigurisht që jo. Por qëndrimi i tij dëshmon së paku një dëshmi të karakterit dhe qëllimeve të tij. Marrëdhëniet me “të fortët” brenda e jashtë vendit Berisha nuk i trajtoi si marrëdhënie në shërbim të pushtetit të tij. Por si marrëdhënie në funksion të rilindjes kombëtare shqiptare! Karakteri dhe principet e Berishës fatkeqësisht në shumë raste nuk përkuan me demokratët amerikanë, miq të Sorosit. Por u përputhën vazhdimisht me modelin dhe principet e republikanëve amerikanë.

Me këtë frymë Doktor Berisha bëri opozitë të fuqishme në tetë vite, 1997-2005 dhe u rikthye fuqishëm si kryeministër e Shqipërisë. Ishte një rikthim i jashtëzakonshëm. Dukej kjo si një vepër biblike, sepse rrënimi i autoritetit të tij në vitin 1997 nuk jepte asnjë shpresë se lideri i demokratëve mund të vinte sërishmi në pushtet. Partia Demokratike erdhi në pushtet e vetme, e mbështetur nga pak aleatë të vegjël.

Nusërimi për të dytën herë e bëri Doktorin më luajal, dhe më të suksesshëm! Vitet 2005-2009 janë vitet më të begata të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Partia Demokratike arriti standarde, me të cilat Departamenti i Shtetit e përmend Shqipërinë si model i demokracisë për rajonin. U realizuan projekte të mëdha si Rruga e Kombit! Ndërkaq socialistët ishin të përçarë. Ata u dobësuan jo vetëm nga përçarja, por edhe nga shkëputja e aleatëve, të cilët iu bashkuan Partisë Demokratike. Ndaj dhe Sofo Lazri, i cili ishte eminenca gri e Ramiz Alisë në kohën e diktaturës, udhëzoi socialistët që të hiqnin Nanon e të sillnin në krye të PS-së të birin e Anetës, d.m.th Edi Ramën. Kur shkrova "të birin e Anetës",duhet ditur se po perifrazoj këtë lloj nominimi të Sofokli Lazrit. Arsyetimi i këtij emërtimi ishte i kuptueshëm. Aneta ishte lidhja më e sigurt, si motër e Spiro Kolekës, për Edi Ramën. Kjo ishte formula që përdori atëherë i gjithëpushtetshmi Sofo Lazri, në lidhjet e tij me shërbimet e huaja ruse, greke, serbe e franceze.

Kësisoj, me ndihmën e Sofos dhe angazhimin e Gramiz Ruçit, Partia Socialiste e zgjodhi Edi Ramën në krye të saj. Vetëm një njeri pa principe, pa norma, pa familje, pa nder e pa iman, mund ta rrëzonte Berishën dhe mund ta mbante atë larg pushtetit! Vetëm një politikan i tillë mund të aplikonte në shekullin e XXI standardin e viteve 1945-1948 të Partisë Komuniste në marrëdhëniet me Federatën Jugosllave dhe me Serbinë. Vetëm një politikan arrogant, mashtrues dhe aleat i krimit dhe kriminelëve si Edi Rama mund ta sfidonte Sali Berishën!

Megjithatë gjatë qeverisjes së tij Doktori arriti kulme të tjera jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në lidhjet e tij me Amerikën dhe merr Bashkimin Evropian. Nënshkroi pranimin e vendit në Aleancën Atlantike. Ndërsa para këtij anëtarësimi (qershor 2007)Tiranën e vizitoi presidenti amerikan Georg W. Bush. Kjo vizitë shënoi kulmin e marrëdhënieve dhe lidhjeve shqiptaro-amerikane. Vizita e Gerog. W. Bush përbën ngjarjen më të rëndësishme e më të shënuar në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kjo jo vetëm se ishte e para vizitë e një presidenti amerikan në Tiranë, por edhe se nga zyra e Berishës Georg W. Bush shpalli pavarësinë e Kosovës!

Sa do ta ëndërronte Edi Rama dhe çdokush tjetër një sukses si ky! Ndërkohë xhelozia e Edi Ramës u shpreh në intrigën e tij të “orës së Bush-it”! Ishte kjo një manovër për ta errësuar suksesin e viztës së zotit Bush, por dhe dëshmi tjetër, se lideri i opozitës së asaj kohe nuk e kishte e nuk do ta kishte kurrë mendjen te interesi kombëtar. Interesi i tij personal prevaloi dhe prevalon në raport me çdo interes tjetër! Ky ishte dhe mbetet kundërshtari pervers i Sali Berishën. Pra, PS kishte kuptuar se vetëm perversiteti dhe tipa përvers si Edi Rama dhe Erion Veliaj mund ta nxirrnin doktorin jashtë politikës!

Pas këtyre zhvillimeve ndodhi ngjarja e Gërdecit. Kjo ngjarje nuk qe e rastësishme. Më e pakta mund të thuhet se ajo ishte qëllim-keqe. Dy javë pas kësaj ngjarje vendet e NATO-s do të ftonin Shqipërinë të anëtarësohej në aleancë. Duhej një Gërdec që të dështonte pranimi i vendit në NATO. Në fillim Edi Rama nuk reagoi egër. Por më pas ai dhe bashkëpunëtorët e tij e shfrytëzuan Gërdecin si dështim të Berishës. Ndërsa armiqtë lindorë e panë atë si shans për ta dështuar Shqipërinë në integrimin e saj euro-atlantik. Kjo krijoi një lidhje midis palëve.

Ndërkohë që akuzat dhe sulmet arritën kulmin për qeverisjen e zotit Berisha dhe lidhjen e kësaj qeverisjeje me “korrupsionin” e Gërdecit, askush nuk u mor me faktin se ajo qeveri ishte pala e dëmtuar politikisht nga ngjarja e 15 marsit 2008. Gjithkush e di se krimi bëhet për të dëmtuar dikë tjetër, në rastin konkret zotin Berisha. Megjithatë ai u tregua me gisht si autor i krimit. Ndërkaq historia nuk njeh raste kur i dëmtuari të mund të jetë njëkohësisht autor i krimit. Propaganda perverse e Edi Ramës e ndërtoi një skemë si kjo!

Në mandatin e dytë PD qeverisi me LSI-në. Pati ngjarje të tjera. Edi Rama ngriti barrikadat e luftës kundër qeverisë së Sali Berishës me moton “hap kutitë ose largohu”! U organizuan qindra protesta, të cilat bllokuan jetën ekonomike e politike të vendit. Greva e urisë në Bulevardin e Dëshmorëve ishte një nga kulmet e presionit opozitar! Kriza e përgjithshme gjithashtu ndikoi për uljen e ritmeve të zhvillimit ekonomik, ndërkohë që protestat e pandalshme të opozitës së Edi Ramës e dyfishuan ndikimin e saj. U bllokuan rrugët e autostradat.

Ishte kjo një situatë absurde, të cilën vetëm armiqtë e kombit mund ta skenarizonin! Derisa ndodhi 21 janari 2011. Për këtë ngjarje u fajësua përsëri Berisha. Në fakt pati katër viktima, për të cilat ende nuk dihet se kush ishte fajtori. Megjithatë akuzat shkojnë te Berisha e ndërkaq padrinoja i la ata “jetimë”, pa e sqaruar në tetë vite se kush dhe si u vranë! Pavarësisht këtyre ngjarjeve, në nëntor 2012 sekretarja e Shtetit të SHBA-ve, Hillari Clinton, erdhi në Tiranë dhe në fjalën e saj në parlamentin shqiptar e shpalli Shqipërinë "kampion rajonal të demokracisë" dhe Berishën kalorës të saj!

Kurse në fund të vitit 2010 Shqipëria kishte arritur një sukses tjetër të madh: Liberalizoi vizat me vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian. Pavarësisht kërcënimit të opozitës destruktive, se liberalizimi i vizave do të mundësonte ikjen e shqiptarëve nga vendi, Brukseli i vlerësoi pozitivisht zhvillimet demokratike e në fushën e sigurisë të vendit tonë. Qeveria e Sali Berishës ia arriti që t’u japë shqiptarëve lirinë e lëvizjes në Evropë, një premtim ky i kahershëm i Partisë Demokratike. Prej asaj kohe (11 vite më pas) Shqipëria thuajse nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të integrimeve evropiane. Edhe statusi i vendit kandidat, i dhënë në vitin 2014, ishte produkt i reformave të qeverisë së Sali Berishës!

Ndonëse Sali Berisha ua plotësoi shqiptarëve ëndrrën e lëvizjes së lirë në Evropë, Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, e izoloi atë. Deklarata e tij e shpall fajtor non-grata e të korruptuar zotin Berisha me motivacionin se paska ndihmuar bashkëpunëtorët e tij! Aludimet e zotit Blinken për favorizim të bashkëpunëtorëve nga ana e ish-kryeministrit Berisha mund të hamendësohen. Por nuk përbëjnë provë. Edhe nëse do të ishin të vërteta, përsëri ato nuk konsiderohen si shkelje ligjore. E nëse bëhet fjalë për abuzim me pushtetin nga pikëpamja politike, atëherë është e ditur se këtë ndëshkim Doktor Berisha e ka marrë nga elektorati shqiptar në qershor 2013, atëherë kur Blinken e quante ish-kryeministrin shqiptar promotor të luftës kundër korrupsionit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat