“Dramë ose tragjikomedi nga Kosova në shumë akte”....!

Opinione

“Dramë ose tragjikomedi nga Kosova në shumë akte”....!

Nga: Agron Shabani Më: 13 tetor 2021 Në ora: 12:44
Autori

Siç dihet, jeta e njeriut ose qytetarit të rëndomtë shqiptarë edhe në Kosovë dhe mërgim, është relativisht e rëndë. Mbase, me peripeci, tramvaje, krajata dhe mundime të ndryshme për t´i siguruar ekzistencën ose kafshatën e bukës për vetveten dhe familjen këtu në mërgim dhe atje në vendlindje. Ajo bëhet akoma me e rëndë kur populli (kombi) dhe atdheu e kanë vështirë apo kur ndodhën përballë sfidave, udhëkryqeve, fenomeneve, turbulencave, anomalive ose patologjive të ndryshme objektive dhe subjektive që të lënë shpesh pa trohë gjumi në sy.

Aty janë edhe punët ose obligimeve e përditshme për të siguruar bukën e gojës ose ekzistencën e përgjithshme jetësore ose familjare, që e bëjnë akoma me të rëndë jetën e njeriut shqiptarë ose kosovarë.

Mos të flasim këtu mbi "pellgun e madh" të një gjaku të bërë ujë strehëve dhe këtyre udhëkryqeve të huaja !

Për dhembjet, frakturat, eklipsimet, plasjezemrat, plazmimet ose pezmatimet e ndryshme skeletore dhe gjenetike. Për gjakun e censuruar, palcën dhe limfën.

Copëza ose fletëza të pathëna dhe të pashkruara të një jete të ndodhur diku mes ditë netësh ose dritëhijesh të mistershme dhe tepër enigmatike, që nuk u këputet kurrë toja.

" Vëllaçko, deshëm apo nuk deshëm, kjo është ajo jetë jona që dikur e zgjodhëm ose përzgjodhëm në kohë njerke dhe kolere. Kur popullit (kombit) dhe atdheut tonë u kishte shkuar thika e serbit në asht dhe laku i thellë i robërisë serbe në fyt. Do me thoshte dikur një i afërmi dhe miku im poet dhe publicist i njohur që nuk ndodhët më në jetë. Ndjesë pastë!

Në mos gabohem, mërgimtarët tanë shqiptarë të shpërndarë ose shkapërderdhur pothuajse në të të gjitha vendet ose meridianët e ndryshme të globit, aq sa ditën dhe aq sa munden, dikur e dhanë angazhimin dhe kontributin e tyre për kombin dhe atdheun kur ata e kishin më së vështiri dhe kur kishin nevojë. Gjatë kohës së luftës së njohur çlirimtare dhe patriotike të UÇK-së sidomos. Duke mos kursyer asgjë nga vetvetja dhe punët e rënda të krahut, mërgimtarët shqiptarë asokohe i dhanë ndofta madje edhe qindarkat e fundit nga djersa e ballit dhe ata "xhepa të shtjerrë" të fatit për lirinë ( çlirimin), shtetin dhe pavarësinë e shumëpritur të Kosovës.

Shumë prej tyre atëbotë e dhanë (e falen) edhe jetën e tyre në themelet e njohura të lirisë, shtetit dhe pavarësisë së popullit dhe atdheut tonë.

Ranë për të mos vdekur kurrë në Altarin e Lartë të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Duke u ndodhur në ballë të togjeve, çetave, kolonave ose batalioneve të ndryshme të UÇK-së në luftëra të ndryshme dhe beteja të lavdishme çlirimtare dhe heroike me armiqtë e egër dhe gjakatar dhëmb për dhëmb, sup me sup, fyta fyt dhe ballë për ballë, shumë mërgimtar ose vullnetar shqiptarë nga vendet dhe meridianët e ndryshme të botës, u bën akter, personazhe ose protagonist të rëndësishëm dhe tepër sublim të ngjarjes dhe të ndodhjes. Respektivisht, heronj dhe dëshmorë të të kombit dhe atdheut.

Shumë prej syresh ishin në lulen e jetës dhe rinisë kur ranë dëshmorë. Për t´u bërë lulëkuqe të lirisë dhe UÇK-së.

Lulet me të bukura ose kryesore në kopshtin e madh të kombit dhe atdheut tonë që nuk vyshkën as nuk venitën kurrë në shpirtin dhe kujtesën e përhershme historike dhe patriotike të çdo shqiptari të vërtetë. Jo kurrë, por...!

Si për çudi dhe një koincidencë të pashkruar e të pathënë asgjëkund, angazhimet dhe kontributet e lartpërmendura çlirimtare dhe patriotike të shumë intelektualëve dhe patrioteve shqiptarë në Kosove dhe gjithandej, sikur i shpartalloi dhe davarisi mëngjesi. Agu i shumëpritur i lirisë, shtetit dhe pavarësisë së Kosovës!

Sa çel e mbyllë sytë nga ana e strukturave, nomenklaturave ose "par exelencave" të ndryshme shtetërore, qeveritare, politike dhe të tjera në vendin tonë, sikur u harruan dhe injoruan tërësisht intelektualët, veprimtarët ose patriotët e njohur shqiptarë në Kosovë dhe emigracion.

Dhe, së bashku me këta të fundit, edhe luftëtarët e lirisë së bashku me heronjtë e lartpërmendur nga diaspora e madhe shqiptare në Evropë dhe Amerikë që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.

Në vend të tyre në Kosovën e pasluftës, gjegjësisht, në Kosovën e kontrasteve, paradokseve, turbulencave, anakronizmave, anomalive dhe patologjive të panumërta, u ngritën dhe promovuan hajnat ( hajduutet), profiterët, matrapazët ose kontrabandistët e njohur dhe të panjohur të luftës dhe pasluftës së bashku me tregtarët ordiner dhe ambulant te flamujve dhe "stërshitësit e sofistikuar" të shpirtrave të pafajshëm dhe moralit të gjithëmbarshëm shtetërorë dhe nacional në vendin tonë.

Në lirinë e zorshme dhe aq të kushtueshme të popullit (kombit) dhe atdheut tonë, heronjtë, dëshmorët, luftëtarët, intelektualët, atdhetarët ose patriotët e vërtetë shqiptar, jo rrallë u harruan, u përbuzën ose injoruan me forcë dhe dinakëri të njohura serbo-bizantine. Apo, u burgosën, arrestuan, akuzuan, gjykuan, linçuan, kriminalizuan dhe pushkatuan shpirtërisht, moralisht , publikisht, familjarisht dhe në të gjitha format tjera të mundshme.

Ndërsa, poltronët, servilët, bedelët, debilët, vasalët, kameleonët, qatipët, pseudopatriotët, antiprofesionistët, kontraiinstitucionalistët, renegatët , matrapazët, profiterët, kontrabandistët dhe dezertorët e ndryshëm politik, ushtarak ose luftarak, u ngritën dhe avancuan vazhdimisht në "xhunglën e madhe" të atyre ligjëve të pashkelura kushtetuese, politike, institucionale, kadrovike, administrative, juridike dhe të tjera në kuader të "shtetit ligjor" dhe "demokratik" të Kosovës. Çudi e madhe reaksionare, paradoksale dhe anakronike!

Ç´t´i besh "fatit" kur Kosovës së pasluftës ( lexo: Kosovës së djegur, përgjakur, shkrumbuar, vjedhur dhe shkatërruar deri në palcë nga ai varg i zgjatur shovenësh, animalësh dhe piromanësh të tërbuar serbo-cetnik!) iu ndërsyen ose vërsulen " komandantët" ose " komisarët" e Bllacës dhe Stankovecit së bashku me hajnat ( hajdutët), matrapazët dhe analfabetët e ndryshëm institucional dhe funksional! Duke i vjedhur, privuar, shitur ose stërshitur edhe ato pak resurse ose pasuri që kishin ngelur ose shpëtuar nga lufta dhe masakrat serbe në Kosovë....!

Eklips moral, apokalips njerëzore, sfilatë turpi, arenë gladiatorësh të ri....!

Apo, mos ndofta " duke i shikuar ose soditur ata , vdekja t´vjen prej syve të tillë"!

Të flisje apo të shkruaje hapur ose publikisht asokohe ( e sot..)- kundër "engjëjve" ose "apostujve" të ndryshëm të luftës dhe pasluftës, të ngjante paksa në punë Sizifi ose në Gogol të Madh. Në "salto mortale" ose në "fizkulturë akrobatike" mbi kalin e Trojës!?

Shteti dhe pushteti ("hyqymeti" )-gjithmonë e kanë dorën e gjatë. Në raport me " shtetin", "pushtetin" ( regjimin) dhe " popullin e ri kosovar" të " dalur" ose të " lindur nga lufta", të tjerët ( shumica e atjeshme shqiptare) si duket janë vetëm " njerëz numra" ! Vegla të lehta elektorale, manuale ose mekanike si në " rendët" ose "sistemet" e pandryshuara ordinare, mesjetare, ose arkaike....???!!!!

Aty janë edhe disa të të ashtuquajtura "medie të pavarura", "nacionale" ose "publike" në Kosovë, të cilat ka kohë që janë shndërruar në servise ose zëdhënëse të sofistikuara (agjenturore, komplotistë, konspirative dhe dekonspirativiste ) të ish nomenklaturave të kaluara pushtetmbajtëse, politike dhe të tjera. Përkatësisht, në "kolonë të pestë" të shërbimeve të ndryshme sekrete, informative ose kundërinformative nga Kosova, Serbia, Rusia, Turqia etj. Duke i stisur dhe imituar në këtë vorbulle "stilin" dhe manarin e njohur të radiove, televizioneve ose gazetave dhe revistave të ndryshme ditore ose periodike të Medelinos ose Bogotas në Kolumbi, apo të simotrave të tyre në Venezuelën e Hugo Çavezit, në Rusinë e Vladimir Putinit etj.

Ndonëse, është shkruar dhe folur aq shumë (shpesh) mbi rolin dhe pozicionin e fuqishëm moral, simbolik, reflektivë, tradicional, afirmativë, rekonstruktime dhe paradigmatik të medieve të shkruara dhe atyre elektronike në të gjitha shtetet dhe shoqëritë e njohura qytetare dhe demokratike gjithandej globit. Në përhapjen, përçarjen dhe artikulimin e vazhdueshëm ose permanent të nevojave, kërkesave, idealeve dhe vizioneve të njohura njerëzore ose qytetare-sidomos.

Një fjalë e urtë arabe thotë se ai që ia bën varrin ose gropën tjetrit, le t´i mbajë trupin dhe shpirtin e tij mbi supe.

Thonë se pjesën dërmuese të "prokurorisë" dhe " senatit bizantin" të Romës, atëbotë e përbenin spiujt e ndryshëm, gladiatorët, pedofilët, homoseksualët, të mundurit, renegatët e ndryshëm ose dezertorët, komplotistët e ndryshëm konspirativë dhe dekonspirativistë, bedelët, debilët e ndryshëm stupid ose nebuloz, injorantët etj...

Kishte edhe profiter të luftës, demagog, hipokrit të ndryshëm ose tregtar flamujsh dhe shpirtrash të pafajshëm luftëtarësh dhe komandantësh të rënë në fushën e nderit ose frontin e luftës....

Edhe hedonist, alkimist, papus, guenon ose okultist të ndryshëm që e përhapnin dhe propagandonin të " vërtetën" dhe "lavdinë e madhe" mbi "pemën e bekuar" dhe "eliksirin" e "rinisë së përhershme" dhe "jetës së pasosur" përtej asaj "anës tjetër" të vdekjes...Si "Sizifi mitik" i Homerit dikur me atë guri të rende mbi supe fund e krye asaj kodre të madhe të Golgotës gjatë asaj rruge të mundimshme për në Had!

Sytë ose reflektorët e shumtë shqiptar dhe ndërkombëtar, janë kthyer kah Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët populli ose elektorati shqiptar (kosovar) i kanë nxjerrur fitues absolut të zgjedhjeve të fundit shtetërore ose nacionale në Kosovë.

Integrimi, postulimi dhe afirmimi i parlamentarizmit dhe pluralizmit partiak ose politik së bashku me vlerat e synara shtetërore, nacionale, politike, liridashëse (çlirimtare), historike dhe patriotike, dhe jo integrimi ose afirmimi i diktatit, monopolitik ose monizmit politik me theks të ndryshme revanshiste, dogmatike, forumiane, kabinetike, unilaterale, monologjike, reaksionare ose anakronike të liderëve-shtet ose shtetit-parti, mendoj se do duhet tè ishin narracion, vizion dhe ideal intelektual, profesional, institucional ose funksional i z. Kurti dhe znj. Osmani.

Kjo për faktin se parlamentarizmi dhe pluralizmi politik ose partiak, nuk janë vetëm "një grumbull" idesh ose qëndrimesh të ndryshme elitare ose egalitare, të cilat as nuk duan të pohojnë dhe as të mohojnë gjithëçka ose çdo gjë në politikën e lartë shtetërore ose nacionale. Përkundrazi.

Centrifuga ose boshti kurrizor i etikës shtetërore, nacionale, qeveritare, politike ose patriotike e Albin Kurtit, dhe Vjosa Osmanit, do duhej të mbështetej tek aftësia ose zgjuarsia e tyre intelektuale dhe profesionale për universalizimin dhe globalizimin e koncepteve dhe postulimin e parimeve, idealeve dhe vizioneve të njohura shkencore dhe humaniste, respektivisht, shtetërore, nacionale, çlirimtare ose patriotike etj.

Pa i harruar këtu edhe mirë shëndetin, mirëqenien dhe lumturinë e gjithëmbarshme objektive dhe subjektive të individit dhe kolektivitetit së bashku me familjen, karierën, profesionin, standardin ose kualitetin e njohur jetësor, inteligjencën e brendshme shpirtërore ose emocionale, stabilitetin e preferuar psikofizik, psikosocial, modelin pesë faktorial dhe të ngjashme, në kuadrin e faktorëve të tjerë determinant ose paradigmatik.

Ndërkaq, për të nxjerrur ose mësuar diçka nga skena, panorama ose mozaiku i përgjithshëm shqiptar ose kosovar, në këtë veçanti ose specifikë shkencore ose metodologjike, do i kisha futur edhe dallimet esenciale ose substanciale në mes analizave të njohura shkencore, politike, strategjike ose gjeopolitike dhe interesave të njohura shtetërore, nacionale, politike, historike, gjeografike dhe të tjera.

Kosova dhe shqiptarët, pos problemeve të tjera jetike ose ekzistencialiste, e kanë edhe çështjen ose problemin e madh, kardinal, kolosal ose kolateral- lidhur me fatin e mëtutjeshëm e disa liderëve ose çlirimtarëve të saj në burgun ose tribunalin e Den Hagës, së bashku me dialogun (monologun) e imponuar (rubi et orbi) me Serbinë, ku shtetit dhe politikës kosovare, pos tjerash iu nevojitet figura stoike, epike, kalorësiake, intelektuale dhe inteligjente, e jo figura ose personalitete qyqare, hamletiane, makiavelistë ose don kishotike!!!

Behgjet Pacolli si për shembull, sot shprehët :"mbi rolin vendimtar ose krucial të Hashim Thaçit dhe UÇK-s, pasi që sipas tij" Thaçi i duhet Kosovës, sepse Kosova ende (akoma) -sipas Pacollit, nuk e ka përmbyllur procesin e shtet formimit dhe pavarësisë."

Sjih ti "patriotin e zjarrtë" të Kosovës dhe UÇK-së, Behgjet Pacollin, i cili dikur në gazetat e Moskës, Beogradit, Tiranës dhe Prishtinës, luftën e organizuar dhe konvencionale të UÇK-së e quante si një konflikt të armatosur grupesh guerile e jo luftë të mirëfilltë konvencionale dhe çlirimtare!!!

I pyetur dikut nga të tjerët se ç'është më se lehti dhe më se vështiri për njeriun? Talesi (Tali) u përgjigj: "Më se lehti është të këshillosh, mësosh, qortosh, akuzosh ose kritikosh të tjerët, ndërkaq më se vështiri është të njohësh, këshillosh, mësosh, qortosh, kritikosh dhe pranosh vetveten tënde ashtu siç je.",duke shtuar në vazhdim se "forma ose mënyra me e lehtë për t'i përballuar dhe tejkaluar dhembjet ose fatkeqësitë e ndryshme objektive dhe subjektive, është ajo kur nuk i përsëritni gabimet ose mëkatet e mëhershme.

Në Kosovë, akoma (ende) nuk dihet me saktësi se kush është heroi, apo kush është antiheroi!?

Behgjet Pacollit (jo vetëm Pacollit), si dukeni janë përzier "telat" ose "kabllot e trurit"...!?

"Shumicën e kohës as nuk përpiqem t'i përkthej mè fare fjalët ose mendimet e mia që më qëndrojnë si mjegullnaja nëpër kokë. Ato me dukën të pa formë dhe të papëlqyeshme, pastaj kridhen: i harroj shpejt. Pak më parë ndodhèsha tek Kopshti Publik ku rrënja e gështenjës (gënjeshtrës) ishte futur thellë në tokë, nën bankinë. Nuk më kujtohej më ne ishin rrënjë e saj. Fjalët ishin zhdukur dhe, bashkë me to, kuptimi i sendeve, mënyrat e përdorimit të tyre, shenjat e dobëta të njohjes që njerëzit kishin përbiruar e përvijuar mbi sipërfaqet e tyre. Rrija ulur, pak i përkulur, me kokën poshtë, i vetëm, përballë asaj mase të errët dhe të nyjëzuar, shëmtirë e tëra, që të fuste frikën. Dhe, pastaj, pata atë shkëndijën e ndriçimit. M'u zu fryma. Kurrë, para këtyre ditëve, nuk e kisha parandier se çfarë do të thotë 'të jesh ose ekzistosh'." (J. P. Sartre "Neveria")

Në fakt, e pandërgjegjshmja, irracionalja ose sistemi psikik autonom, i lindur tek çdo njeri si dhe i karakterizuar nga një lloj energjie e drejtuar, burmuar dhe derivuar prej "egos", "libidosë" ose vetëkënaqësisë së pastër personale ose individuale që interferon dhe reflekton drejtpërsëdrejti edhe në anën seksuale ose erotike (epshet), është natyrisht individualiste dhe tepër egoiste ose egocentrike në esencën ose substancën e saj, do thoshte Frojdi i cili merrej jo vetëm me turma spontane, por edhe me ato "artificiale" që të tjerët do i quajnë kolektivitete të organizuara si shteti, pushteti, kisha, ushtria, xhandarmëria (policia) etj.

Kështu që sipas Frojdit: ajo që e mban së bashku një tërësi ose kolektivitet të tërë, nuk është sugjerimi i thjeshtë hipnotik (një fenomen sipërfaqësor dhe i derivuar, konservuar ose ambalazhuar), por, investimi epshor ndaj figurave të dashura ose jo të dashura nga të gjithë, që përbëjnë një surrogat të babait të madh për fëmijët e vegjël, që e adhurojnë, e ndjejnë të gjithëfuqishëm, ia kanë frikën shumë, por ndërkohë ndjehen edhe të mbrojtur nga ai ose nga ata.

Prej respektit ose dashurisë së idealizuar, valorizuar ose glorifikuar ndaj shefit ose padronit, ndjekësit dhe viktimat e tyre shpesh ose vazhdimisht e duan njëri-tjetrin.

Ndaj, për pasojë, nëse ka diçka morale dhe normale ose racionale në fushën ose terrenin e ndërgjegjes, sipas Frojdit (Freud) është pikërisht përvoja bazë e të pandërgjegjshmes ose racionales - përreth të së cilës gjithçka nga "parimi edipian" duhet të rrotullohet ose rrokulliset në raport me figurat prindërore.

Sidomos në marrëdhëniet ose raportet protofëminore kundrejt nënës, të cilën e bija ose "vogëlushi politik", do kishte dëshirë të donte ose dashuronte në mënyrë ekskluzive dhe ekzotike, si dhe ndjenja dashuri-urrejtje ndaj babait (kryeministrit shqiptar figurativisht) që e nënshtron nënën e tyre (...) si kompleks malicioz dhe surrogativ.

Një baba i ndjerë, njëherazi edhe i plotfuqishëm, shumë i dashur, por edhe armik, si babai i Edipit: Domethënë "kompleksi evolutivë" i Edipit i cili rreth moshës pesëvjeçare, do duhej të tejkalohej.

Kuptohet, nëse incesti ose inçestuoziteti i pandërgjegjshëm ndaj nënës dhe dashuri-urrejtja ndaj babës (babait) nuk kanë kaluar në ndonjë proces të pandërgjegjshëm, irracional ose neurotiko-hipnotik, ku personi ose individi, të lënduar ose plagosur diku thellë edhe psiçikisht, edhe moralisht, edhe shpirtërisht ose emocionalisht, do ngelin të atillë deri në tejkalimin eventual të bllokadës foshnjore ose fëmijërore që ka bllokuar tërësisht zhvillimin normal të psikikës së tyre drejt heteroseksualitetit dhe përtej incestit fëmijër, mbipersonal, ose neurotiko-hipnotik, që ka bllokuar tërësisht zhvillimin normal të psikikës së tyre drejt heteroseksualitetit dhe përtej incestit fëmijërore ose kundërshtarëve tuaj, dhe kur e shihni dhe vërtetoni se ata janë më të ligj, më të dobët ose më të mjerë se ju."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat