Dinamika diplomatike ruse në Ballkan në optikën e Shaban Muratit

Opinione

Dinamika diplomatike ruse në Ballkan në optikën e Shaban Muratit

Nga: Halil Rama Më: 15 qershor 2022 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Në 97 artikuj të librit të tij të 17-të, “Rusët po vijnë”, Shaban Murati – Mjeshtër i Madh në Diplomaci Karriere, sjell për lexuesin një përmbledhje të analizave diplomatike për politikën e Jashtme të Rusisë, në harkun kohor të tetë viteve të fundit (nga agresioni i parë rus në Ukrainë i vitit 2014 deri në këto ditë të agresionit të dytë rus po në Ukrainë). Siç pohon vetë studiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, nëse me librin “Rusia Ballkanike” (botim i vitit 2014) jemi njohur me analizat e mëparshme për diplomacinë dhe për politikën e jashtme ruse në Ballkan 1998-2014, në librin e sapobotuar “Rusët po vijnë”, është dinamika diplomatike ruse në Ballkan e harkut kohor 2014-2022.

Gjithsesi, fokusi i analizës së studjuesit dhe analistit diplomatik me përvojë 55-vjeçare në fushën e politikës së jashtme shtrihet edhe më tej në hapësirën kokore të tri dekadave të fundit.

Jo pa qëllim, libri hapet me titullin intrigues “Bashkimi Sovjetik vdiq. Dhe bëri mirë” (Shënime nga një autopsi politike), me referencë deklaratën e nënshkruar më 21 dhjetor 1991 në Alma Ata nga kryetarët e 11 republikave, që bënin pjesë në ish-Bashkimin Sovjetik, dhe që shpallën krijimin e “Komonuellthit të Shteteve të Pavarura”, sipas së cilës Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston më. Nisur nga ky fakt ai argumenton se shkatërrimi mi ideologjisë komuniste, mbi të cilën ishte ndërtuar kjo perandori, nuk mund të mos çonte në shkatërrimin vetë perandorisë.

 

Më tej, në koherencë me zhvillimet e fundit, ambasadori Murati ndalet hollësisht në pretendimin absurd të Presidentit Putin për rikthimin e statusit të Rusisë si superfuqi.

“Është e njohur se Vladimir Putin, që kur erdhi në fuqi 14 vjet më parë, nuk është pajtuar me humbjen e e statusit të superfuqisë nga ana e Rusisë dhe vazhdimisht ka deklaruar se prishja e Bashkimit Sovjetik është katastrofa më e madhe kombëtare për popullin rus”, shkruan autori. (fq.11 – “Ideja e Putinit për rinegocimin e Luftës së Ftohtë”) Lidhur ngushtë me këtë ide të çmëndur, libri “Rusët po vijnë” ka një rezonancë interesante me ngjarjet aktuale të agresionit rus në vazhdim e sipër në Ukrainë dhe të pasojave të tij në politikën europiane dhe ndërkombëtare. Kështu, që në artikullin e datës 27 janar 2022 ( “Kërkesa ruse për largimin e NATO-s nga Ballkani”-fq.389-394) amabasadori Murati flet për mundësinë e një agresioni të ri ushtarak rus në Ukrainë, që sipas tij do të shënonte një shkallëzim shumë të madh të rrezikut për lirinë dhe pavarësinë e shteteve anëtare të NATO-s në rajon.

 

Fenomeni i penetrimit rus në gjitha vendet e Ballkanit

 

Nisur nga përvoja e tanishme tragjike e pushtimit rus në Ukrainë, diplomati i mirënjohur Sh. Murati e shtrin analizën e tij edhe në qëndrimet e Serbisë ndaj Rusisë si aletatë strategjikë.

Referuar agresionit barbar serb të vitit 1999 kundër Kosovës, njësoj si Rusia tani kundër Ukrainës, autori i kësaj vepre me rëndësi shumëpërmasore arrin në konkluzionin e drejtë se “Mësimi i rëndësishëm që del nga agresioni rus dhe rreshtimi i Serbisë me Rusinë është që BE-ja duhet të bëjë një rivlerësim rrënjësor të qëndrimeve dhe të gjithë politikës së saj kundrejt Serbisë”. Parë nga ky këndvështrim në librin “Rusët po vijnë” autori tërheq vëmendjen në fenomenin e penetrimit rus në të gjitha vendet e Ballkanit, pavarësisht nga shkalla e lidhjeve të tyre me Moskën.

Në këtë kontekst duket fare qartë se në laboratorin e tij krijues, studjuesi dhe analisti diplomatik Murati është udhëhequr nga parimi dhe metodologjia e mozaikut, për të ndërtuar me analizat e tipareve kryesore të veprimit shtetëror rus portretin real të diplomacisë dhe politikës së jashtme ruse ndaj Ballkanit, ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës.

Kështu, nëse te “Projekti i një blloku Rusi-Serbi Maqedoni”, autori nënvizon idenë e konturimit të Ballkanit si faza tjetër e strategjisë ruse të zgjerimit të influencës në kontinentin europian (15.12.2014), tetë vjet më vonë ai argumenton me fakte bindëse “një mbushje të kupës nga ana e Serbisë me apologjinë e agresionirt rus në Ukrainë, veprim që nxjerr lakuriq rolin e Serbisë si një shtet vasal diplomatik dhe ushtarak i Moskës në rajon”(fq.396). Madje, sipas ambasadorit të mirënjohur Murati (ish-ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë) apologjia e Serbisë ndaj Rusisë mori përmbajtje më skandaloze, kur Beogradi doli me tezat ruse të justifikimit të agresionit kundër Ukrainës.

 

“Shqipëria shtet armiqësor për Rusinë” dhe rreziku rus ndaj Kosovës

 

Në librin voluminoz prej 419 faqe të diplomatit Murati zë vend të merituar analiza që ai i bën deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin të datës 4 mars 2022 se: “Në Ukrainë ne po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e treat, përfshirë Shqipërinë”. Nisur dhe nga fakti se tre ditë më vonë (7 mars 2022) në faqen e saj zyrtare “government” Moska e klasifikon zyrtarisht Shqipërinë një shtet armiqësor për Rusinë, analisti diplomatik Murati konkludon se “Në planin diplomatik dhe strategjik lëvizja e tij në drejtim të Shqipërisë tregon se Presidenti Vladimir Putin ka krijuar një çeshtje artificiale me emrin ‘Shqipëria’ dhe kjo duhet të krijojë shqetësim dhe reflektim në zyrat qeveritare në Tiranë”. Pikërisht nga ky qëndrim, autori nënvizon domosdoshmërinë e konsiderimit të çështjes artificiale ‘Shqipëria’ që krijoi presidenti Putin, si sinjal të formave të reja të ndërhyrjes ruse në punët e brendshme të Shqipërisë, pas mbylljes së çështjes “Ukraina”. Në këtë kontekst Sh.Murati paralajmëron pasoja të rënda negative nga ndërhyrjet ruse në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, sepse sipas tij, përbërja politike dhe sociale e partive kryesore shqiptare karakterizohet nga lidhje të vjetra okulte me Serbinë dhe me Rusinë.

Me argumente bindëse e trajton autori në këtë libër edhe rrezikun rus ndaj Kosovës si, në planin e veprimtarisë dhe të angazhimit direkt diplomatik të Mokës në arenën ndërkombëtare kundër shtetit të pavarur të Kosovës, ashtu edhe në planin e përdorimit të Serbisë për provokimin e tensioneve të vazhdueshme në kufi me Kosovën dhe për sposorizimin e intransigjencës serbe në mbajtjen gjallë të një konflikti të ngrirë me Kosovën.

 

Mbi stretegjinë e Moskës për të dobësuar vendet e NATO-s

 

Në këtë libër Sh.Murati analizon gjithashtu bindshëm stretegjinë e Moskës për të dobësuar vendet e NATO-s një e nga një, për të sabotuar kohezionin e tyre, dhe për të depërtuar me influencën e saj në sfera të ndryshme të jetës së anëtarëve të NATO-s. Ai tërheq vëmendjen në kuintesencën e politikës së jashtme dhe të strategjisë ruse në Ballkan, e cila konsiston në të vërtetën se Moska nuk është pajtuar me shtimin e rradhëve të NATO-s me shtete nga Ballkani. Dhe jo vetëm kaq, por në zbërthim të ideve të tij, autori sjell në vëmendjen e lexuesit ndërhyrjet e vazhdueshme të Moskës në vendet e NATO-s në Ballkan si në Bullgari, Rumani, Kroaci, Slloveni dhe në Turqi, ndërsa analizon angazhimin dhe lëvizjet konkrete ruse për të ndaluar anëtarësimet e reja në NATO nga vendet ballkanike, si përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në 2016, trazirat atiqeveritare në Maqedoninë e Veriut për të bllokuar nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës për emrin, si dhe organizimin e fushatës së protestave të klerit ortodoks në Greqi kundër marrëveshjes së Prespës, me qëllim që të bllokohej anëtarësimi i Shkupit në NATO. Referuar këtyre fakteve Sh.Murati argumenton se anëtarësimi në NATO nuk duhet parë si imunitet i paprekshëm nga penetrimi shumëformësh dhe nga lufta hibride e Rusisë kundër vendeve të NATO-s në Ballkan, të cilat Moska para pak kohësh zyrtarisht i klasifikoi si “shtete armiqësore”.

Në këtë përmbledhje të analizave diplomatike mbi politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan në 8 vitet e fundit, studiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati argumenton se Rusisë i intereson sabotimi i kohezionit atlantik dhe europian në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo e ndihmon strategjinë ruse të tensioneve që nëpërmjet Serbisë të mbajë në kapacitet të plotë dy vatrat e tensionit në rajon: Bosnje-Hercegovinën dhe veriun e Kosovës. Ndaj dhe BE-ja, sipas tij nuk e ka përkrahur nismën serbe të “Ballkanit të hapur” dhe asnjë dokument zyrtar i BE gjatë tre viteve e deri tani nuk e ka përmendur kurrë si term, pale më të shprehë mbështetje.

*Mjeshtër i Madh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat