Kosova është e pozitës dhe e opozitës, prandaj ajo duhet mbrojtur nga të gjithë, pa përçarje!

Opinione

Kosova është e pozitës dhe e opozitës, prandaj ajo duhet mbrojtur nga të gjithë, pa përçarje!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 6 gusht 2024 Në ora: 20:45
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sa mirë do të ishte sikur të funksiononte koordinimi i qeverisë së Kosovës me ndërkombëtarët! Secili nga ne do të ndjehej i lumtur, nëse do kishim një gjë të tillë. Ndërkaq për tri vite e më shumë kjo gjë nuk po ndodh. Disa, opozita e Kosovës, qeveria shqiptare e mediet që ato sponsorizojnë fajësojnë kryeministrin e Kosovës për këtë moskoordinim. Janë bërë palë me çdo kritikë të ndërkombëtarëve. Asnjë rast, po ama asnjë rast të vetëm, këta nuk dolën në krah të qeverisë së Kosovës. A është e mundur që qeveria të ketë gabuar në të gjitha rastet?! A është e mundur që ndërkombëtarët të kenë patur në çdo rast të drejtë? 

Asnjëra, as tjetra! As qeveria e Kosovës nuk ka gabuar në të gjitha iniciativat e saj për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit? As ndërkombëtarët nuk kanë pasur gjithnjë e për çdo rast të drejtë. Le t’i marrim konkretisht: - Qeveria vendosi afate për përdorimin targave jozyrtare në Kosovë. Ndërkombëtarët i thanë shtyjeni zbatimin e vendimit. Qeveria e bëri këtë. Por kur mbaroi afati ajo zbatoi ligjin për t’i detyruar qytetarët, sidomos në veri të përdorin targat e RKS, u bë alarm! Joooo! Do ketë destabilizim! Në fakt serbët e Serbisë erdhën në veri të Kosovës dhe u përpoqën të dhunojnë KFOR-in. 

Por nuk mundën të destabilizojnë vendin. Procesi vazhdoi pa prishur asnjë balancë. Më pas e njëjta gjë u përsërit edhe për përdorimin e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës, edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore, edhe për përdorimin e monedhës, për veprimtarinë e biznesit të paligjshëm të karburanteve, për qendrat postare. Asgjë nuk ndodhi. Ndodhi Banjska pas vendosjes së kryetarëve të komunave në zyrat e tyre. Ndërkohë, sikur terroristët të mos merreshin në mbrojtje nga KFOR-i, ata do të ishin asgjësuar një e nga një. Sot kemi një panoramë krejt tjetër të ushtrimit të sovranitetit shtetëror në veri. Por Brukseli, SHBA-të dhe vendet e tjera aleate vazhdojnë të kundërshtojnë si mbylljen e qendrave postare, që ndodhi të hënën e shkuar edhe hapjen e Urës së Ibrit. T

honë se po u hap ura, destabilizohet Kosova. Thonë se me mbylljen e qendrave postare, vështirësohet jeta e serbëve në veri të Kosovës. Thonë se nga mos-koordinimi do të vijë dita e kiametit në rajon. Çfarë nuk thonë. Prej tri vitesh e më shumë kanë thënë të njëjtën gjë. Megjithatë Kosova është aty, asgjë nuk ka lëvizur dhe asgjë nuk ka ndodhur. Nëse serbët plagosën nja 50 a më shumë ushtarë të KFOR-it, kjo erdhi më shumë si hakmarrje e Serbisë për “indiferencën” e KFOR-it dhe si test për të provuar deri ku shkon durimi i NATO-s. Analistë të shumtë ende vazhdojnë të kërkojnë që qeveria të koordinohet me ndërkombëtarët dhe Ura e Ibrit të mos hapet pa lejen e tyre. Edhe unë do të isha dakord me këtë opsion, nëse ndërkombëtarët do të vinin një afat, e të thoshin “Ok, ne ju themi të prisni tre muaj psh, se ne do ta zgjidhim me paqe këtë çështje! 

Dhe nëse nuk e zgjidhim, atëherë veproni ju”! Por nuk e thonë këtë, sepse duan që Kosova të mos jetë unike si tërësi territoriale për një kohë të pacaktuar. Se kanë plane të tjera. Së paku një plan B ekziston. Dhe nëse shtrihet sovraniteti në të gjithë territorin, atëherë dështon ky Plani B, siç po e quaj unë. Derisa ndërkombëtarët prej më shumë se tri vite e më parë çdo lëvizje për shtrirjen e autoritetit të shtetit ligjor në veri të Kosovës e kontestojnë me akuza bajate „veprim i njëanshëm”, kjo dëshmon qartë se ata duan bisedime të Kosovës me Serbinë për rendin publik dhe çështjen e territoreve të saj. Pikërisht kësaj tentative po i kundërvihet Albin Kurti. 

Dhe sa kohë zoti Kurti qëndron fort, aq kohë duhet ta ketë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë, pa përjashtim, edhe anëtarët e PDK-së, LDK-së AAK-së dhe të tjerë opozitarë duhet ta mbështesin kryeministrin e vendit në përpjekjet e veta për sovranitet dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës. Le të mos e votojnë Vetëvendosjen! Kjo është e drejtë e tyre. Por të mos pranojnë që liderët e partive të tyre t’i kundërvihen këtyre përpjekjeve të qeverisë. Nëse bëhen të gjithë bashkë, pozitë dhe opozitë, Kosova ka të ardhme të sigurt, pavarësisht projekteve serbe e ndërkombëtare për ta ndarë e copëtuar atë. Nëse vazhdon përçarja, atëherë vështirësohet shumë puna e pushtetit, në cilëndo dorë të jetë ai, për ta mbrojtur Kosovën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat