Në fund të çdo nëntori ne shqiptarët si KOMB kemi në kalendarë dy ditë festash. Por, të paktën prej 35 vitesh është bërë e qartë, e kuptueshme, bindje masive se vetëm 28 NËNTORI 1912 është FESTË E VËRTETË! Për 29 nëntorin 1944 shumica e të vërtetave të përjetuara, e shifrave të propaganduara, e sukseseve dhe fitorjeve të sajuara dhe e krimeve, gabimeve, gjëmave, eksperimenteve të dështuara me ekonominë e vendit dhe me jetët e shqiptarëve, japin fakte dhe arsye të panumërta të mendohet dhe thuhet me plot gojën dhe bindjen se kjo ditë nuk meriton të shpallet e të nderohet si festë!
Natyrisht, pa e ul respektin dhe mirënjohjen për 1-3 vitet e luftës që bënë rreth 30.000 partizanë çetash dhe brigadash(jo 70.000) e sidomos për rreth 4800 dëshmorët dhe viktimat( jo 28.000), E VËRTETA nuk na lejon ta pranojmë dhe festojmë si festë! Sepse, më 29 nëntor 1944 Shqipëria dhe shqiptarët u çliruan nga pushtuesit italianë dhe gjermanë e ranë, si nga shiu në breshër, nën pushtimin gjase komunist, nën këmbët e një njeriu si Enver Hoxha, që ka hyrë e do të mbetet në histori si mashtrues, si antishqiptar, si DIKTATOR...!?
A mund të pranohet pa u revoltuar apo pa qesh sa të dhembin brinjët se “Enveri e bëri Shqipërinë me ekonomi, industri minerare dhe energjetike të fuqishme si dhe me bujqësi të rendimenteve të larta(shumica në shifra të fryra apo mashtruese?! Se Enveri e bëri “Shqipërinë socialiste” me arsim me shtrirje mbarëvendore, deri në nivelin universitar, kur në shumicën e fshatrave kishte klasa kolektive e kur programet dhe tekstet ishin me politizim dhe enverizim absurd dhe ekstrem, nga a-ja deri tek zh-ja? Se Enveri e bëri dhe e la Shqipërinë me shëndetësi edhe në fshatra të thellë e të largët, ndërsa nëpër spitale dhe ambulanca kishte mungesa të shumta në aparaturat moderne të kohës dhe për ilaçe me cilësi të lartë?! Se Enveri e bëri dhe e la Shqipërinë me transport automobilistik, kur rrugët ishin me dy korsi dhe mbush me gropa, sa rreth 160-175 km Tiranë-Kukës, Tiranë-Korçë, Tiranë-Sarandë..., bëheshin për 7-8 orë dhe me dhimbje të forta në veshka e kocka si dhe me transport hekurudhor, kur lokomotivat ecnin me shpejtësi rreth 30-40 km në orë?!
Se Enveri e bëri dhe e la Shqipërinë me ushtri moderne dhe të fuqishme, sa “mund të fitonte edhe me ushtritë e NATO-s e të BS bashkë”..., kur nëse do ta kishin ndërmend ata, mund të futeshin në vilën, kabinetin, tunelin, bunkerin, wc-në... e Enverit, për 1-3 muaj”?! A mund të besohet nga njerëzit me nivel normal mendor, logjik, intelektual...se nga 29 nëntori 1944 e deri ditën kur iku nga jeta tokësore, me 99.999% në ferr, se “Enver Hoxha ngriti nga mjerimi mesjetar nivelin e jetesës të popullit shqiptar, kur i la edhe pas mesnatës së 11 prillit 1985 shumicën e shqiptarëve nëpër radhët e gjata për të marrë me tollona, në dyqane ku edhe minjtë mund të thyenin dhëmbët apo të vdisnin nga uria, ato ushqime me gramatura të pakta e me autorizime, pas disa viteve, një tv bardhë e zi, një frigorifer, një makinë larëse; një kabinë druri apo një dhomë me sipërfaqe 6, 8 metra katrorë në plazhe?! E pra, fare SHQIP e troç, si mund t’i jepen të gjitha meritat për drejtimin e një shteti për mbi 40 vjet një njeriu kontrovers e pervers, me shumë mungesa e mangësi!
Për më keq, bosh për nga njerëzillëku, nga besa, keqardhja, mirënjohja edhe për njerëz të familjes, shokë, miq, bashkëpunëtorë, që i kishin bërë vetëm të mira, deri duke e mbajtur me muaj dhe vite me një krevat, me lekë dhe me bukën e gojës; duke i shpëtuar kokën, karrierën, fronin...!!!??? Si mund të harrohet se nëpër ministri kishte ministra me diploma universitetesh amerikane, angleze, italiane, franceze, sovjetike si dhe kuadro me diploma nga universitetet polake, çekosllovake, hungareze, rumune, bullgare, gjermano-lindore e deri më1961 këshilltarë nga këto vende?! Si mund të thuash se vrasjet dhe vetëvrasjet ishin në nivel minimal, kur Enveri ka vrarë, nëpërmjet spiunëve dhe xhelatëve, që nuk ia bënin fjalën dy, nga 5 maji 1942 e deri sa ngordhi me mijëra "armiq të partisë e të popullit", gjeneralë, gazetarë, shkrimtarë, për një dashuri, për fjalë goje, për një poezi, këngë, edhe më shumë se ushtritë pushtuese italiane dhe gjermane bashkë?
Si mund të quhet e drejtë dhe normale kur ai, një liceist jo ekselent Korçe, domethënë një shkollëmesëm, bënte profesorin dhe prokurorin para SPECIALISTËVE, PROFESORËVE, GJENERALËVE, SHKENCETARËVE...!? Është absurde e për t’u shqetësuar seriozisht si popull e shoqëri që tufa apo kope enveristësh të lashtë apo më të rinj, në zyra të piramidës politike, qeverisëse dhe shtetërore të pas 1990-tës e deri në vende kapitaliste, ku prej 35 vitesh e më pak kanë gjetur parajsa tokësore, vazhdojnë edhe tani, në fund të vitit 2026, ta duan dhe nderojnë kohën e diktaturës enveriane dhe vetë Enverin!
Ndërsa mijëra viktimat e persekutimeve çnjerëzore prej Enverit dhe diktaturës së tij nuk mund t’i harrojnë dhe falin masakruesit e tyre fizikë, shpirtërorë, jetësorë...dhe mund t’u vërsulen xhelatëve të tyre me një tufë pyetjesh fshikulluese, edhe më shumë se shufrat e thanës: - Si nuk ndjeni turp që e zbukuroni atë periudhë; që mohoni vuajtjet e shumë shqiptarëve, në veçanti të grave e fëmijëve?!
Si nuk ju vret aspak ndërgjegja që vazhdoni të mohoni mashtrimin e fëmijëve nëpër shkolla, ku nga tekstet dhe mësuesit u thuhej se gjithçka kishin ishin vepra dhe dhurata të ”nënës parti” e të “xhaxhit Enver”, thua se prindërit e tyre nuk punonin e nuk fitonin as bukën e tyre të gojës?! Nuk është e drejtë, e logjikshme, e nevojshme te bëhemi nostalgjikë për atë periudhë, vetëm sepse situata e tanishme në Shqipëri, edhe pas 82 vjet qeverisjesh gjase socialiste e gjase demokratike, është masivisht mjerane e skandaloze, shumë larg premtimeve të PD-së dhe PS-së më 1991-1992 e deri në fund nëntor 2026. Apo me ca përmirësime sipërfaqësore e jo ndjeshëm jetësore, nga mijëra pallatet, vilat, kullat, resortet nëpër plazhe; nga 10-12 milionë turistët e huaj në vit...!?
Nga çdo anë që ta analizosh, del përfundimi se kjo gjendje e vështirë, sidomos në paga e pensione, në nivelin e jetesës; me plotpushtetizimin e pafre, deri në enverizim të Edi Ramës; të korrupsionit, të kultivimit dhe trafikimit të drograve e të industrisë së pastrimit të qindra milionave dhe të miliardave prej tyre, të emigracionit të pandalshëm..., është rrjedhojë e kohës dhe e trashëgimisë të Enver Hoxhës Nostalgjikët e enverizmit kanë paturpësinë të shprehen se në kohën e tij jetonim më mirë, kur në qytete, një familje me 4-8 frymë, jetonte në një apartament 1plus 1 ose 2 plus 1, me sipërfaqe 40-60 metra katrorë e me një komoditet të varfër dhe uniform?!
Kur në shumicën e apartamenteve kishte furrnela me vaj guri që merrej me rradhë për disa orë, me të cilat gatuhej në nevojtore!? Enveristët fanatikë bëjnë sikur harrojnë edhe gjendjen e mjerueshme në fshatra. Fshati socialist që prodhonte edhe grurë, hante bukë gruri e misri, si tulla! Për më keq, në kohën e tufëzimit, nuk iu lejua të mbanin as pula e gjela, rosa e pata... Tufat e enveristëve kapen fort tek fakti se në kohën e Enverit të tyre kishte qetësi, sa edhe femrat mund të lëviznin, edhe nga mesnata vetëm apo me grupe të vegjël. Por, enveristët fanatikë deri në çmenduri bëjnë sikur harrojnë se vrasjet, vetëvrasjet, përdhunimet e femrave... i bënte vetë Enveri dhe shteti i tij, me duat e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve, oficerëve të sigurimit e të policisë, të drejtorëve, sekretarëve të partisë, kryetarëve të kooperativës, brigadierëve…!?
Nuk mund të harrohet se në kohën e Enverit, në shumicën e vendeve të punëve në institucione, ndërmarrje, (në ushtri, polici, sigurim... ca më e lartë) paga mujore ishte 450-850 lekë në muaj!? Ndërsa në kooperativa bujqësore, dita e punës paguhej 3-12 lekë, duke i detyruar shumë familje të punonin me vite për të larë borxhin!? Të burgosurit e të internuarit jetonin në kushte të tmerrshme trajtimi, ushqimi, përkujdesjeje shëndetësore, sa qindra nuk arritën të dilnin të gjallë!? Shumica e enveristëve, masivisht ish ushtarakë, ish aparatçikë e pensionistë, bëjnë sikur kanë harruar se Enveri i zemrave të tyre, zhduku qindra intelektualë të diplomuar jashtë vendit, kur erdhi në pushtet me 1944-ën!?
Gjithashtu, bëjnë sikur harrojnë se ai i izoloi shqiptarët edhe nga familjarë e kushërinj në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Greqi..., deri aty se e rrethoi brezin kufitar me tela me gjemba e zona kloni, ku nëse duhej të shkoje tek njerëzit e tu apo tek miqtë në zonat kufitare, për ngjarje të gëzueshme ose fatkeqësie, duhej të merrje leje në Ministrinë ose Degën e Punëve të Brendshme? çdo 3-4 vjet do të sajonte e shpallte vetë grupe armiqësore në arsim, kulturë, bujqësi, industri, në shkencë e mjekësi, në ushtri e polici...!?
Për më tepër, pa nguruar të pushkatonte edhe ajkën e ushtrisë popullore, anëtarë të Byrosë Politike, gjeneralë dhe heronj të popullit, që kishin bërë luftën për liri si drejtues të njësive partizane dhe të ushtrisë popullore, ndërsa ai hante e pinte dhe flinte nëpër çadra e baza të luftës me “vëllezërit jugosllavë”, Miladinin e Dushanin si dhe me ushtarakët e misioneve amerikane dhe britanike...?! Një thirrje e sinqertë për “kopenë njerëzore” të enveristëve të 3 brezave: meqenëse nuk ndjeni shtytje të brendshme dhe presion ligjor për pendesë dhe ndjesë, do të ulnit stivën e ligësive, të këqijave, krimeve dhe denjësinë e ferrit për shpirtrat tuaj, nëse nuk vazhdoni t'i gënjeni fëmijët tuaj, nipër e mbesa, lindur pas vitit 1985, se "Enveri ishte kolos, klasiku i gjallë apo i fundit i marksizëm-leninizmit, udhëheqës legjendar, shqiptar i madh"..., kur në të vërtetë ai u bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve gjëma të shumta e të mëdha, me rrjedhoja të përjetueshme e ndikuese edhe sot, sa me shumë gjasa nuk do t'ua bënin as Serbia dhe Greqia me ushtri!!! Përfundimi i logjikshëm del lehtësisht!
Duke u bazuar tek fakti i përjetueshëm se enverizmi, kopje e keqe e stalinizmit dhe titizmit, nëpërmjet edramizmit, është në pushtet edhe sot e kësaj dite, shumica e shqiptarëve, nuk kanë arsye zemrash ta ndjejnë dhe festojnë si ditë feste 29 nëntorin 1944!!! Kështu që mbetet të uojmë me gjithë zemër e me zë të lartë: GËZUAR 28 NËNTORIN!