Si do të ishte Shqipëria pa Edi Ramën? Përgjigja e saktë e kësaj pyetjeje kërkon angazhimin disa vjeçar të shumicës së tufës të akademikëve të Skënder Gjinushit dhe vënien në dispozicion të tyre të një fondi dhjetëra milionë lekë! Pas, e pakta, një viti pune të ethshme dhe rraskapitëse, mund të befasoheshim dhe lemeriseshim kur të lexonim raportin e tyre përfundimtar, me një "nivel shkencor të paparë" në asnjë sallë...kafeneje, lojërash fati, bilardoje; super dhe minimarketesh; estradash; sallonesh zbukurimi...!
-Me shumë gjasa, pa Edi Ramën si kryeministër nuk do të kishim as Skënderbe e Ballaban Pashë, as Ali Pashë Tepelenë, as Ismail Qemal dhe Isa Boletin..., as Ahmet Zog, as Esat Toptan, as Avni Rustem, as Hasan Prishtinë e Luigj Gurakuq...! As Fan Nol, Gjergj Fishtë, as Migjen, as Aleksandër Mojsi...?!
- As Enver Hoxhë me vëllezërit jugosllavë, Miladinin dhe Dushanin! As byroistë që t'u bënte tortura dhe gjyqe disa mujore e ti vriste pa u lënë emër, shenjë e varr njerëzor në vendet e ekzekutimit...
- As Nënë Tereza, as Ismail Kadare, as Bekim Fehmi, as Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha dhe as Ermonela Jaho, Rita Ora, Dua Lipa..., të cilat i ka pëlqyer dhe vlerësuar edhe bota!
- Pa Edi Ramën si kryeministër nuk do të kishim as Xhorxh dhe Alex Soros; as Baton Haxhiun si këshilltar të tij e si analist politik nëpër televizione, as Frok Çupi e as Mero Baze; as Lorenc Vangjel e Mustafa Nano; as Dritan Hila e Rudina Xhunga; as Iris Luarasi e Carlo Bolino; as Spartak Ngjela dhe Idajet Beqiri...!
- Pa Edi Ramën si kryeministër nuk do kishim as vëllazërim-bashkim me Vuçiçin, as "Ballkan të Hapur", as bust të Mitsotakis( babait) në Dropull; as falje apo shitje thuajse falas të Sazanit Jared Kushnerit; të Portit të Durrësit miliarderit arab Alabbar...!
- Pa Edi Ramën si kryeministër nuk do të kishim as vetura e fuoristrada; as televizorë, celularë, avionë...As edhe dushe, vaska, wc alla franga...!?
- As 1 milionë shqiptarë ikur si emigrantë në vende të Perëndimit dhe as 10 milionë turistë sufllaqesh, qoftesh, byrekësh...ardhur po prej kësaj ane të globit!
- Pa Edi Ramën si kryeministër nuk do të kishim as parcela kanabizi anë e kënd vendit dhe as kulla 20- 40 katëshe, sidomos në qendër të Tiranës, fryte të bashkëpunimit vëllazëror me bosë ndraghetas dhe latino-amerikanë ! As investitorë strategjikë e as inceneratorë mes plehrave ose nëpër dosje, nëpër mendje, si ide e projekte.
- Pa Edi Ramën si kryeministër edhe BOTA nuk do të kishte një lider global..., që qytetarët e vet i bën ose për spital, ose të braktisin sa më shpejt familje dhe atdhe dhe afrikano- aziatikët të ndjehen në Shqipëri si në shtëpitë e tyre në Somali, Etiopi, Jemen, Siri, Gaza, Sri Lanka, Bangladesh, Afganistan, Ekuador e Kolumbi...?
- Pa Edi Ramën kryeministër edhe FBI nuk do të kishte një Charles McGonigal, që të rekrutohej në Tiranë, me qindra mijëra dollarë qeveritarë e me joshje të tjera të parezistueshme...!?
- Pa Edi Ramën si kryeministër Shqipëria 2025 nuk do të ishte pa rreth 1 milion banorë më pak se më 2013, ikur emigrantë nëpër vende të Perëndimit, pa e menduar rikthimin një ditë sa më të afërt...!
- Pa Edi Ramën kryeministër Shqipëria nuk do të ishte vendi me pagën minimale dhe pensionet më të ulët në Europë sipas fuqisë blerëse; nuk do të kishte 47% të fëmijëve në varfëri ushqimore, duke lënë pas vetëm Taxhikistanin në Europë...!
- Pa Edi Ramën Shqipëria nuk do të kishte gati gjysmën e popullsisë së saj në buzë të nivelit ekstrem të varfërisë, një përqindje shumë më e lartë në krahasim me Rajonin dhe Bashkimin Evropian...
-Pa Edi Ramën si kryeministër Shqipëria nuk do të renditej në vendin e 37 -të për nga cilësia e jetesës, pra e fundit në Europë, edhe më keq se Ukraina, prej 3 vitesh në luftë me Rusinë...?!
-Pa Edi Ramën si kryeministër, Shqipëria, ndër vendet më të varfër në Evropë e botë nuk do të hidhte në erë apo si asfalt elektoral 7 milionë euro për "Giro d'Italia" nëpër rrugët e saj, thuajse "rrugica katundesh italiane" në krahasim me ato të Italisë!
- Pa Edi Ramën si kryeministër, Shqipëria nuk do të ishte e katërta në Europë dhe e para në rajon për numrin e të burgosurve në raport me popullsinë...
- Pa Edi Ramën si dopio kryetar PS nuk do të bëhej nga mini në maksi apo mega bordello; burim i pashtershem flirtesh dhe emocionesh trupore për shukrira e safetra si dhe shembull frymëzimi për partitë simotra në Evropë dhe Botë!
Nuk po zgjatem më se u bë e kuptueshme dhe e qartë se pa Edi Ramën Shqipëria do të ishte edhe si kafja pa sheqer; si bakllavaja pa sherbet; si byreku pa petë; si inceneratorët pa plehra; si kullat 20-40 katëshe pa themele; si Lana pa ujërat e shirave e të...burrave nën urat e saj...! Apo si e ëma e Zeqos pa thanën dhe si Ekuadori pa...bananen!
Së fundmi, pa Edi Ramën si kryeministër, Shqipëria nuk do të ishte larg anëtarësimit të plotë në BE jo sa Surreli nga Brukseli, por sa Tirana nga...New Delhi!
A kam harruar ndonjë “sukses” e “rekord” tjetër individual, institucional, ekipor...të Edi Ramës? Ah, po kam harruar ta uroj me sinqeritet:
-Rruga e mbarë më 12 maj 2025, o Edi Rama, për në Durrës tek Erion Veliaj apo në SHBA, tek Charles McGonigal! Përse jo: edhe në katin e tretë, dhoma 4, në neuro-psikiatrik spital, ku ke pas në dhomë një shok ideal dhe trajtim special...!