Hapja e kapitujve me BE- punë ditësh, mbyllja-punë vitesh...”!?

Opinione

Hapja e kapitujve me BE- punë ditësh, mbyllja-punë vitesh...”!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 14 qershor 2025 Në ora: 09:36
Xhevat Mustafa

Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Instagram, kryeministri Edi Rama shkruan më 22 maj 2025 se Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3. Po sipas kryeministrit deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në 8 muaj dhe se mbeten 11 të tjerë për t’u hapur. Këtë ai e përsëriti edhe më 10 qershor 2025, gjatë fjalës së tij në rubrikën “Sy m’Sy” në faqen e tij në Facebook. Ashtu si edhe në serialin e mburrjeve e të premtimeve gjatë fushatës për gjase zgjedhjet e 11 maijit, edhe në deklarimet e tij më 22 maj dhe 10 qershor, “harroi” apo shmangu me qëllim t’u bënte të qartë shumicës së shqiptarëve se sa larg me vite janë hapja nga përmbyllja apo plotësimi i të gjithë kapitujve.

As nuk e çoi ndërmend të sqaronte se hapja e kapitujve të anëtarësimit të plotë në BE është detyrim e procedurë për çdo vend kandidat. As se mund të bëhet shpejt apo mund të zvarritet e shtyhet për në “kalendat greke”, nëse mungojnë nga lart, domethënë nga qeveria dëshira e vullneti. Pra, si kujtesë për kryeministrin dhe shumicën e atyre që shkrihen si akullore kur e dëgjojnë, kërkohet nga Tirana qeveritare dhe shtetërore nxitim dhe padurim, pa iluzionin, pa gënjyer veten dhe popullin se do të ketë pritje të ankthshme nga Brukseli për ta pasur sa më shpejt Shqipërinë në gjirin e tyre!?

Në rastin tonë, nuk ka arsye përse të vonohet më tepër, së pari nga ne vetë, duke i përmbushur kërkesat, kushtet dhe standardet, sa më shpejt e më mirë e jo duke pandehur se mund t’i hidhet hi e rërë syve burokratëve dhe vendimmarrësve në Bruksel! As të keqinterpretohet dhe të reklamohet me të gjitha bulçitë e “boritë” partiake dhe mediatike, nga Rama- qeveria si sukses dhe meritë e saj apo si nder, favorizim dhe privilegjim për atë! As si "dhuratë për ditëlindjen" e Edi Ramës (4 korrik) nga Ursula von der Leyen, Macroni, Meloni, Orbani...Kjo mund të ndodhë edhe brenda verës dhe vitit 2025, sepse është një akt formal, si një detyrë shtëpije për gjimnazistë e studentë! Ose, si një temë për master dhe doktoraturë...!? Apo si odisejada e marrjes së një pjese prone nga "ish pronarët", procedurë që për shumicën e pronarëve në Shqipëri ka fillim, por, për jo pak fund të lumtur për së gjalli...!?Merret me mend se pa u hapur kapitujt nuk mund të mendohet, flitet, të bëhen parashikime, hamendësime, mburrje, bilance...As të vijnë nga Brukseli ekipe për kontroll dhe turizëm...! Nënkuptohet, edhe për dietat, për një ditë sa një pension vjetor ish veterani dhe ish partizani shqiptar...,

Ndërsa mbyllja e tyre, sidomos e kapitullit të fundit, nuk mund të parashikohet as përafërsisht...apo edramisht, “duke i ngrënë” disa vite për ta afruar, propaganduar dhe reklamuar si punë të kryer..., kur, mç me shumë gjasa, mbetet për në kalendat greke! Ndoshta edhe deri atëherë, kur “i gjori gomar të ketë ngordhur duke pritur të mbijë bar...”!? Apo, edhe deri atëherë kur në këtë vend të jenë më shumë serbë, rusë, ukrainas, srilankas, bangladeshas, filipinas, afganë, afrikanë, latino- amerikanë,...se sa shqiptarë?! Për të qenë të bindur e të parapërgatitur, sidomos shpirtërisht dhe për nga nervat e durimi, mund të na ndihmojnë dy shembuj ose fakte.

Turqia "motër" i ka nisur negociatat e pranimit më 3 tetor 2005. Ndërsa "motra" tjetër, Serbia, i ka nisur negociatat e pranimit apo të anëtarësimit më 21 janar 2014! Të dyja janë akoma shumë larg Brukselit dhe me sytë drejt qiellit! Në këto kushte na mbetet të urojmë, siç “e kemi traditë shumëshekullore dhe praktikë të përditshme” në parlament e në lokale, me unanimitet apo njëzëri: mos paçim fatin e dy "motrave"! Të jemi realistë, me mendt në kokë e këmbët në tokë! Këto vende, ashtu si Shqipëria jonë, janë shumë larg shumicës së standardeve të vendosur e të kërkuar për anëtarësim në BE. Këtë të vërtetë apo fakt ne si vend e si shtet e dëshmuam, krahas fakteve të tjerë të moçëm, nëpër dosje të zverdhur apo “të harruar”, edhe me maskaradën e masakrën zgjedhore apo panairin e vota blerjes dhe vjedhjes më 11 maj 2025. Pra, edhe për vonesën në plotësimin një më një të kërkesave, kushteve, de tyrave të shtëpisë të kapitujve të anëtarësimit të plotë në BE, nuk do të na i kenë fajet BOTA, por...koka! Dihet mirë apo kuptohet lehtë se sa kapacitete, vullnet, dëshirë... ka qeveria Rama që të përmbushë sa më shpejt detyrimet, kërkesat, kushtet, standardet... për t’u futur si anëtare e denjë e jo për mëshirë e privilegjim në BE dhe për t’i pajisur qytetarët e Shqipërisë me pasaportat e Brukselit si aleancë apo union. Por, nuk mund të përjashtohet kategorikisht, se ndryshe nga Edi Rama individualisht e disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt e më besnikë, pa e ditur as ata vetë se deri kur do të jenë në zemrën dhe krahët e tij, në Bruksel, mes 27 presidentëve dhe kryeministrave të vendeve të BE-së, mund të ketë disa prej tyre, që kanë interesa ngushtësisht vendore apo qeveritare, për ta pasur Shqipërinë në BE. Nënkuptohet, jo si shtet dhe fuqi që do t’ia rrisë ndjeshëm Unionit Evropian potencialet, përfitimet politike, ekonomike, financiare, ushtarake si dhe ndikimin, imazhin..., por kryesisht si “thesar Ali Babe”, jo për flori, por për të spastruar vendet e tyre nga refugjatë dhe burgaxhinj problematikë për rend e siguri lëvizjeje dhe jetese e të kushtueshëm financiarisht për buxhetet shtetërorë të tyre. Se cilët janë këta të tjerët, pas Giorgia Melonit të Italisë, është bërë e kuptueshme nga disa veprime e mesazhe.

Kjo u kuptua edhe nga mesazhet e urimit në adresë të Edi Ramës për “fitoren” e tij të 11 majit 2025. Edhe më shumë u shpreh apo u bë e qartë në Samitin e 16 majit në Tiranë të Komunitetit Politik të BE-së. Pra, mes tyre dhe Edi Ramës, mund të bëhet, tani për tani, pa marrëveshje me firma dhe vula, edhe ujdia gojore “më jepni, t’ju jap!”. Edhe më zgjeruar e më konkretisht: më jepni sa më shpejt anëtarësimin e plotë në BE, t’ju jap në territorin e Shqipërisë sa më shumë vende për kampe apo për burgje, për refugjatë të padëshirueshëm nga ju, për të burgosur ordinerë dhe kriminelë!? Përse jo: edhe çfarë të dëshironi tjetër..., nga toka e nëntoka, nga deti e nëndeti, nga qielli i Shqipërisë!? Përveç qenies shumë larg, të paktën për 34 vjet nga standardet e BE-së për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, Shqipëria është larg BE-së, sa gjeografikisht, edhe për nga nivelet e zhvillimit, demokratizimit, shtetit ligjor e social funksional, të pagave, pensioneve, mirëqenies.... Edhe për demokraci dhe drejtësi të vërtetë e të përjetueshme; edhe për media plotësisht të lira e të pavarura nga partia në pushtet dhe qeveria e saj si dhe nga ortakët e saj oligarkë, “investitorë strategjikë” dhe bosë trafiqesh...! Duke ditur mirë se mendja e shumicës së shqiptarëve është lehtësisht e mashtrueshme dhe e manipulueshme nga fjalime, premtime dhe slogane kryetarësh dhe pushtetarësh të lartë apo se kuptojnë kryesisht enverisht dhe edramisht, po “ëndërroj” e përpiqem ta arrij këtë me gjuhën e disa fakteve dhe shifrave të publikuara jo larg si kohë..., domethënë që janë akoma të freskëta. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, publikuar edhe në mediat e Tiranës më 18 dhe 19 maj 2025, Shqipëria, edhe gjatë vitit 2024, ishte e para në Evropë për rreth 42 për qind të popullsisë, ose me më shumë se 1 milion banorë, në nivelin ekstrem të varfërisë!? Varfërimi është shtuar me shpejtësi dhe ndjeshëm sidomos edhe nga rritja e pafre apo e çmendur e çmimeve, në këto vitet e dhe muajt e fundit! Sot, shumica e tyre janë rreth 25-100% më të lartë jo vetëm se sa në Kosovë e MV, por edhe në Itali, Gjermani, SHBA... Lista e detyrave apo kushteve të papërmbushura e që do të jenë për një kohë shumë të gjatë e të papërcaktuar objektiva të paarritshëm nga Rama-qeveria apo Shqipëria për anëtarësim të plotë në BE si dhe të kujtuara Edi Ramës edhe në Samitin e 16 majit 2025, është e gjatë. Po e mbyll me nivelin e lartë të korrupsionit, ngjitur në këta 12 vjet të Rama-qeverisjes mbi majën e Dajtit apo deri në majën e Korabit. Apo me plotpushtetizimit e mafias shqiptare, deri në angazhimin me miliona dhe armë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Ekuador, Venezuelë, Kolumbi...Për këtë nivel të lartë dhe shtrirje gjithëpërfshirëse të korrupsionit, sidomos gjatë 12 viteve të fundit, dëshmon edhe fakti se një qeveri tjetër e Edi Ramës është nëpër qeli burgjesh, me akuza të faktuara dhe dënime mëshiruese pikërisht për korrupsion me dhjetëra e qindra miliona euro e dollarë dhe në miliarda lekë.

Një tufë tjetër ministrash, politikanësh, deputetësh, që “fituan” edhe në zgjedhjet alla edramjane apo alla alibabiane të 11 majit, janë me dosje hetimesh në SPAK e GJKKO...!? Është e lehtë kuptueshme se nga një integrim i pamerituar i Shqipërisë në BE, fitues do të jenë Meloni, Macroni, kryeministri laburist britanik Keir Starmer, Orbani..., natyrisht nëse do të jenë në postet aktualë deri atë ditë sa Shqipëria të gjendet në gjirin e BE-së si dhe Edi Rama me shoqe e shokë! Ndërsa humbës të mëdhenj dhe kohë gjatë, më së shumti për mendtë e tyre të kresë, do të jenë, ata që kanë qenë gjatë mbi 80 viteve, shumica e popullit të thjeshtë..., parë, llogaritur, vlerësuar, trajtuar, sidomos këta 12 vjet, si dhitë e dhentë!? Apo thjeshtë si emra e numra në lista dhe kuti mbush me vota, që nga erërat e shumë “duarve të palara”, që i kanë ndërruar, nuk u afrohen për t’i nuhatur as...qentë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat