Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të një shteti. Arsimi nuk duhet të matet vetëm me numrin e shkollave, universiteteve, studentëve apo diplomave, por me cilësinë e dijes dhe me aftësinë e sistemit për të përgatitur njerëz që mund të ndërtojnë të ardhmen e vendit.
Kosova ka bërë përparim në zgjerimin e arsimit, por sot duhet të shtrojmë një pyetje më të vështirë, a po prodhon sistemi ynë arsimor dije dhe kompetencë, apo thjesht diploma?
Problemi ynë nuk është mungesa e diplomave. Problemi është vlera e dijes që qëndron pas tyre.
Universitetet nuk duhet të shndërrohen në fabrika diplomash. Misioni i tyre është të prodhojnë dije, kërkim shkencor, mendim kritik dhe profesionistë të aftë. Një diplomë duhet të jetë dëshmi e përgatitjes dhe kompetencës, jo vetëm një dokument që mbyll një cikël studimi.
Një tjetër problem serioz është dobësimi i meritokracisë. Në arsim dhe në institucionet publike duhet të ketë përparësi më i afti, më i përgatituri dhe më i përgjegjshmi. Kur merita zëvendësohet nga lidhjet, ndikimet apo privilegjet, sistemi humb besueshmërinë dhe të rinjtë humbin motivimin.
Kur diploma nuk garanton të ardhmen, i riu kërkon rrugë tjetër,
këtu lidhet edhe një nga problemet më të dhimbshme të Kosovës, ikja e të rinjve.
Ne flasim shpesh për emigrimin, por duhet të flasim më shumë për shkaqet që e nxisin atë. Një i ri mund të largohet për një pagë më të mirë, për përvojë apo për studime. Por ai mund të largohet edhe sepse nuk sheh mundësi reale për ta ndërtuar jetën profesionale në vendin e tij.
Kur një i ri arsimohet, diplomohet dhe më pas largohet, pyetja nuk duhet të jetë vetëm, pse iku?, por edhe çfarë nuk i ofruam ne që të qëndronte?
Nëse arsimi nuk lidhet me tregun e punës, nëse diploma nuk shoqërohet me kompetencë dhe nëse meritokracia nuk funksionon, atëherë krijohet një hendek ndërmjet arsimit dhe së ardhmes së të rinjve.
Dhe ky hendek po bëhet gjithnjë e më i madh.
Një shtet mund të ndërtojë shkolla, universitete dhe institucione të reja, por nëse nuk arrin t’u krijojë të rinjve mundësi për të përdorur dijen e tyre, ai rrezikon të humbë kapitalin më të çmuar, kapitalin njerëzor.
Prandaj reforma e arsimit nuk mund të kufizohet vetëm në ndryshimin e programeve mësimore. Ajo kërkon standarde më të larta akademike, meritokraci, transparencë, investim në kërkim shkencor dhe lidhje më të fortë ndërmjet universiteteve dhe ekonomisë.
Duhet të ndryshojmë edhe mënyrën se si e vlerësojmë suksesin. Nuk mjafton të pyesim sa studentë diplomuan. Duhet të pyesim
Sa prej tyre janë vërtet të përgatitur?
Sa punojnë në profesionin e tyre?
Sa prodhojnë dije dhe inovacion?
Sa po ndërtojnë Kosovën?
Dhe sa po detyrohen të largohen?
Këto janë pyetje për sistemin arsimor, por edhe për shtetin dhe shoqërinë.
Sepse arsimi nuk është vetëm çështje e një ministrie. Është çështje e së ardhmes kombëtare.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për më shumë diploma. Ka nevojë për më shumë dije, më shumë meritokraci dhe më shumë mundësi që të rinjtë e saj ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Nëse vazhdojmë të prodhojmë diploma pa prodhuar mundësi, rrezikojmë të kemi një paradoks të dhimbshëm: më shumë të arsimuar, por më pak të rinj në Kosovë.
Dhe atëherë pyetja “Kush po e fundos arsimin në Kosovë?” nuk do të jetë më vetëm pyetje për sistemin arsimor, do të jetë pyetje për të gjithë shoqërinë.