Na jepni kohë për ta zgjatur bllokadën

Opinione

Na jepni kohë për ta zgjatur bllokadën

Nga: Ymret Reshiti Më: 31 gusht 2017 Në ora: 09:22
Ymret Reshiti

Enver Hoxhaj, diplomat i dështuar dhe tani kasneci i PAN-it,  në seancën e fundit për themelimin e Kuvendit, i drejtohet oponentëve politik me gjuhën e “odave, sikur po i lyp disa ditë  besë  kinse kanë ra në bela”. Ai kërkon  afat shtesë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Thuajse nuk i kanë mjaftuar tre muaj kohë diplomatit të dështuar, që tani “shkëlqimin” e tij  po e kërkon  përmes rolit të kasnecit të PAN-it. Kërkon  kohë shtesë kinse për ta  bërë të “mundshmen” e në realitet dëshiron ta realizoj “të pamundshmen”.  Dëshira për ta bërë të “pamundshmen” assesi nuk mund të kuptohet ndryshe pos si përpjekjet e koalicion PAN që ta zgjasë sa më shumë bllokadën  përmes kërkesave të vazhdueshme për afate shtesë,  të cilat afate fare nuk i respekton. Koalicioni PAN dëshiron që të përfitoj nga koha, kështu duke shfrytëzuar afatet shtesë për mosardhje dhe braktisje të seancave të Kuvendit, mos procedim të emrit për kryetar të Kuvendit, presion dhe joshje të deputetëve, instrumentalizim të mediave dhe ndërsyerjen e tyre kundër LAA-së dhe LVV-së, deri sa t’i “detyrojnë” këto subjekte që ta votojnë  Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

Përfytyrimi i “krizës politike”

Ajo që po ndodhë në skenën politike aktuale ka të bëjë me bllokim të një procesi ose  procedure kushtetuese, të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës  nga  subjekti politikë, të cilit i takon e drejta e zgjedhjes. Koalicioni PAN në pamundësi që të realizoj marrëveshjen politike për ndarjen e posteve shtetërore  në mes partive politike të koalicionit,  po e bllokon tërë procesin kushtetues të themelimit të Kuvendit të Kosovës! Duke ndërmarr një seri veprimesh obstruksioniste, koalicioni PAN po tenton që këtë “bllokadë teknike” ta ngritë në nivel të “krizës politike” në vend, me qëllim që ta faktorizoj vetveten  në rrethana të reja politike që i planifikon të ndodhin. Prandaj,  fjala “krizë politike”  zë vendin kryesor në fjalimet e  zyrtarëve të PAN-it . Në të vërtet nuk ka asnjë argument bindës se ka krizë politike në Kosovë siç po aludohet.  Kemi vetëm pengesë teknike procedurale, që ndryshe mund të kuptohet si bllokadë e njëanshme procedurale nga një subjekt politik, i cili me veprimet e tij të planifikuara dhe të qëllimshme  po e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe  obligimet që dalin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Shikuar në aspektin politik, të gjitha subjektet politike e kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve, zgjedhjet janë certifikuar nga KQZ-ja, dhe se, nuk ka kurrfarë trazirash në vend sa për të kualifikuar gjendjen aktuale politike në rangun e “krizës politike”. Thjesht kemi të bëjmë  me shkelje të obligimeve kushtetuese  nga koalicioni PAN, i cili në vend se të ketë rol prijës në realizimin e të drejtës së tij, plotësimin e pozitës së kryetarit të Kuvendit me deputet nga radhët e tij, ai  po bllokon procedurën.

Koalicioni i bllokadës PAN

Koalicioni PAN, jo vetëm që po i kushtëzon subjektet tjera jashtë koalicionit por po e kushtëzon edhe vetveten duke imponuar vetëm një emër të përveçëm  për kryetar të Kuvendit, kështu duke bllokuar çdo alternativ tjetër brenda këtij koalicioni. Një ngulfatje të alternativa të tjera brenda PAN-it  e kanë dëshmuar edhe  disa zëra kritik brenda këtij koalicioni, sidomos zëri i deputetit të Nismës, i cili bënë thirrje që përveç emrit të Kadri Veselit  të propozohen edhe emra tjerë për kryetar të Kuvendit. Në anën tjetër, edhe pse kemi një  reflektim pozitiv të  subjekteve tjera parlamentare LVV-së dhe LAA-së, të cilët janë të gatshëm të votojnë emra tjerë për kryetar të Kuvendit nga PAN-i përveç atij të Kadri Veselit, ky vullnet i mirë nuk po has në mirëkuptim dhe po  pengohet nga disa  forca politike brenda PAN-it. Kushtetuta e Kosovës dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 kanë sqaruar se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon subjektit politik që ka fituar vota ma shumë se subjektet tjera, por  as Kushtetuta dhe as Gjykata Kushtetuese nuk specifikon emër të përveçëm të personit që duhet të jetë medoemos kryetar i Kuvendit por përmendin pozitën e kryetarit si detyrë ose funksion publikë. Prandaj, insistimi i PAN-it që  medoemos Kadri Veselit i takon e “drejta kushtetuese” për me qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës është pretendim absurd  dhe kundër kushtetues. Këtu nuk ka asgjë të paqartë që duhet për tu interpretuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por kemi të bëjmë me kokëfortësinë e PAN-it që insiston të imponoj me çdo kusht emër të përveçëm për kryetar të Kuvendit edhe pse nuk e ka fuqinë politike në Kuvend të Kosovës respektivisht nuk ka 61 vota për ta realizuar një gjë të tillë vet. I vetmi fajtor në pengimin e realizimit të procedurës kushtetuese të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është koalicioni PAN,  i cili është bërë sinonim i koalicionit të bllokadës. Ky koalicion i bllokadës po e ngulfatë gradualisht funksionimin e shtetit të Kosovës, duke e lënë  pa themelimin e organeve kryesore, Kuvendin dhe Qeverinë. Mentaliteti i koalicioni të bllokimit ka bërë që fati i shtetit të lidhet me fatin e një politikani, prandaj kjo dëshmon qartë se këta politikanë nuk e kanë prioritet interesin e shtetit dhe qytetarëve por interesin e tyre  personal. Këta politikan janë të gatshëm me bllokuar shtetin, vetëm e vetëm me ia hap rrugët realizimit të ambicieve të tyre personale. Inati i tyre politik ka shkuar deri aty sa që një procedurë të qartë dhe të thjeshtë kushtetuese ta shndërrojnë në një proces politik të lidhur nyje rreth një emri të përveçëm politikani. Një procedurë kushtetuese për themelimin e organit më të lartë të shtetit-Kuvendit të Kosovës po mbahet pezull, vetëm për një emër të përveçëm politikani. Vetëm në Kosovë ndodh që pozita e një politikani është  më e vlefshme  se pozita e një populli të tërë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat