Dënimet drakonike, shqiptarët në shënjestër të (pa)drejtësisë sllavo-maqedonase

Opinione

Dënimet drakonike, shqiptarët në shënjestër të (pa)drejtësisë sllavo-maqedonase

Nga: Arben Sylejmani Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 11:40
Arben Sylejmani

Rasti i fundit i dënimit me 746 vjet burg nga ana e Gjykatës në Shkup ndaj 37 personave të akuzuar për pjesëmarrjen e konfliktit të armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë paraqet vetëm njërin nga rastet e shumta të dënimeve ndaj shqiptarëve nga ana e gjykatave maqedonase.

Montime dhe dënime me burg të përjetshëm ndaj shqiptarëve janë shqiptuar edhe më herët nga ana e institucioneve të Maqedonisë që janë të thirrur për të ndarë drejtësinë, por që praktika ka treguar se ato kanë qenë në funksion të qeverisë sllavo-maqedonase dhe shërbimit sekret të këtij shteti për dënimin e djemve më të mirë shqiptarë që dikur ishin pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë konfliktit të vitit 2001.

Rasti Stuhia Malore që ndodhi me 7 nëntor të vitit 2007 në fshatin Brodec të malësisë së Sharrit, humbën jetën shtatë persona, ndërsa dhjetë të tjera u dënuan me gjithsej 113 vite burg.

Të akuzuarit ishin Hebib Ahmeti, i cili u dënua me 12 vjet burg, ndërsa 12 të akuzuarit të tjerë – Nevzat Zyberi, Izmit Ahmeti, Mekdi Islami, Florim Ahmeti, Nevzat Arjani, Shehir Zyberi, Nadi Dauti, Bafkjar Bekiri, Tafil Dauti, Hanif Dervishi, Rametullah Dauti dhe Shkendim Dauti të gjithë nga Brodeci, u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie.

Me 30 prill të vitit 2010, Gjykata Themelore në Shkup dënoi me burg të përjetshëm edhe Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë të Kumanovës, Agim Islami (27) nga fshati Rashçe të Shkupit, dhe Almir Drlanjin (31) nga Shkupi.

Këta të dënuar u akuzuan nga gjyqësia maqedonase dhe Ministria e Punëve të Brendshme për pjesëmarrje në vrasjen e një polici të njësitit Alfa më 26 nëntor 2008 pranë Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup, ku mbetën të plagosur edhe tre policë të tjerë gjatë patrullimit të tyre.

Rexhail Qerimi dhe avokatët mbrojtës përmes dëshmive kanë dëshmuar për pafajësi ndaj tij, pasi që në ditën e vrasjes Qerimi ka qenë në fshat dhe është evidentuar nga shumë dëshmitarë në lokalin e tij në qendër të fshatit. Por, kjo nuk u morr parasysh nga ana e kësaj gjykate.

Rasti i Brodecit paraqet një padrejtësi tjetër të shtetit maqedonas ndaj shqiptarëve. Në këtë proces që sipas banorëve të kësaj rrethine kemi të bëjmë me montime nga ana e shërbimit sekret maqedonas.

Sopoti është një rast tjetër që janë shqiptuar 160 vite burg ndaj shqiptarëve, për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, me ç`rast nga shpërthimi i një mine në afërsi të fshatit humbën jetën dy ushtarë polak të NATO-s dhe dy persona civil, që gjendeshin në një mjet transportues ushtarak. 

Pafajësinë e të dënuarve të Sopotit e ka konfirmuar edhe Nikolas Bigman ish ambasadori i NATO-s në Maqedoni në bisedën që ka zhvilluar në atë kohë me ministrin e mbrojtjes Vllado Buçkovski rreth pafajësisë së të arrestuarve në rastin e Sopotit. ambasadori Bigman i cili tani jeton në Janjinë të Kroacisë thotë se asnjëherë nuk është dëshmuar fajësia e banorëve të Sopotit .

Rasti “Monstra” paraqet një montim tjetër gjyqësor ndaj shqiptarëve. Gjykata Themelore Shkupi 1 ka dhënë masën burg të përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Haziri, Sami Luta, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç. Vetëm njëri nga të akuzuarit Rami Sejdini është shpallur i pafajshëm.

Për rastin “Monstra” është folur shumë edhe në bombat e kryeministrit aktual maqedonas, Zoran Zaev ku dyshohet se vrasja e pesëfishtë është bërë nga ana e shërbimit sekret maqedonas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat