Një opinion, si rrugëdalje e shpëtim të Kosovës

Opinione

Një opinion, si rrugëdalje e shpëtim të Kosovës

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 30 gusht 2018 Në ora: 13:16
Idriz Zeqiraj

Më kujtohet një intervistë, të dhënë RTV të Kosovës, nga një intelektual e kuadër kurd, i kthyer nga mërgimi i gjatë, pas përmbysjes të regjimit kriminal të kasapit Sadam, në Irak, i cili, i tmerruar nga toleranca që kishte UNMIK-u, ndaj kriminelëve faktik, në Kosovë, qofshin vrasje të kundërshtarëve politikë, të korrupsionit, thënë shqip, hajnisë zyrtare dhe krimeve tjera: "Nuk do të lejojmë zëvendësimin e një regjimi kriminal, me një administratë burokratike, e lodhur dhe e përgjumur, si UNMIK-u, e cila vjel buxhetin ndërkombëtar, me personelin e tij të fryrë e gjigant, që ndërrohen në çdo 6 muaj dhe nuk japin llogari dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi, për shërbimin e tyre!" Dhe, vërtet, pushteti i ri në Irak ishte shumë efikas.

Eksponentët kriminalë të regjimit të përmbysur, i vari në litar, i ekzekutoi me plumb, gjë që nuk do ta bënte ndonjë administratë si këto të UNMIK-ut, EULEX-it, sepse Evropa e ka obroguar, hequr masën e dënimit me vdekje. Nëse do të veprohej në këtë mënyrë, 30 vjetë më parë, me zyrtarët kriminelë të pëmbysur nga pushteti në Shqipëri, nuk do ta kishim shkatërrimin e shtetit në vitin 1997; nuk do ta kishim sabotimin e luftës në Kosovë më 1998; nuk do ta kishim bartjen e krimit nga Shqipëria, sipas modelit të Luftës së Dytë Botërore, vrasjet e kundërshtarëve politike, hajninë zyrtare, gadishmërinë e tjetërsimit të tokave shqiptare.

Ashtu siç nuk do ta kishim as nipin, përçarës të popullit, të një byroisti në krye të qeverisë në Shqipëri dhe as ministrin e brendshëm të monizmit, urdhërdhënësin për vrasësjen e Arben Brocit me shokë, Gramoz Ruçin, cinikisht, në krye të Parlamentit shqiptar sot! Marrja përsipër e administrimit, të një ose, së shumti, e dy shteteve të fuqishme dhe ligjore, për të përgaditur një popull, një administratë solide në Kosovë, me kriteret më të avancuara evropiane, p.sh. Gjermania dhe Austria apo Anglia, do të ishin të pranueshme, për një mision të tillë.

Shqiptarët në përgjithësi, të Kosovës në veçanti, pas krimeve enorme, në këto dy dekadat e fundit, nuk janë dëshmuar se mund të qeverisen. Mercënarizmi i trashëguar, në shërbim të pushtuesëve të huaj me shekuj, ka lënë gjurmë të thella. Dhe, lehtazi, janë përshtatur, për t`i shërbyer mafias kriminale vendore. Shqiptarët e sotëm të Kosovës, e dinë mirëfilli se koalicioni i partive-banda në PAN, është burimi i të gjitha të këqijave në Kosovë, ka gjakosur popullin, duke vrarë burrat dhe djemtë atdhetarë, pa kursyer as vajzat, njëra sosh, oficeren trime të Kosharës, shefen e Emërgjencës të Luftës, Sabahate Tolaj; kanë vjedhur e grabitur pasuritë e brezave shqiptarë; kanë përdhosur demokracinë dhe vazhdojnë ta terrorizojnë popullin.

Së fundi, banda e PAN-it, po dialogon me Serbinë, dhunshëm dhe pa qenë e autorizuar, as nga institucionet zyrtare dhe as nga populli, të tjetërsojë, falë edhe pjesë nga territori i Kosovës, ashtu siç bëri vitin e kaluar, me demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Dhe, megjithatë, një pjesë e këtij populli, e voton dhe vrapon pas PAN-it, si mizat në erën kutërbuese! Zot, na shpëto nga i ligu, sepse, siç thotë populli, "kur i ligu të hypë në shpinë, nuk dinë me zbritë", pa e tërhequr zhagë, zvarrë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat