Bisedimet Dardani-Serbi duhet t’i udhëheq Uashingtoni

Opinione

Bisedimet Dardani-Serbi duhet t’i udhëheq Uashingtoni

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 19 tetor 2018 Në ora: 14:55
Ashtu si e dëbuan Serbinë nga Dardania, SHBA mund ta dëbojnë edhe politikisht Beogradin pa ia dhënë territor tonin: - Avionët amerikanë duke bombarduar Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO duhej t’u prinin nga fillimi bisedimeve të Dardanisë me Serbinë, nëse kishte nevojë për bisedime të këtilla. ShBA-të e BE-ja nuk është dashur të lejojnë cirkun e vajtje-ardhjeve maratonike në mes të Prishtinës e Beogradit në Bruksel, sepse Serbia ka dëshmuar edhe në të kaluarën, dëshmon edhe tash se nuk dëshiron të zgjidh asnjë problem në Gadishullin Ilirik. Ndërkaq, shtetarët e Dardanisë nuk janë treguar as të shkathët në bisedime, as që i përfill kush në propozime. Por edhe sikur ta kishim diplomacinë elitare, bisedimet me Serbinë do të dilnin shterpe. 

Serbia është shkaktari i krizës, ndërsa shkaktari i krizës nuk mund të jetë çelësi i zgjidhjes. Është një gabim nismëtar diplomatik, që po na hakmerret, sepse çdo funksion elementar i shtetit tonë është paralizuar nga kushtëzimet serbe. Serbia e humbi luftën me 1999, prandaj bashkësia ndërkombëtare s’duhej t’ia pranonte diktatet. Kushtëzimet nuk duhej t’ia pranonte as shteti ynë, edhe atëherë kur s’mund t’i kundërvihej ushtarakisht, mjaftonte të tregonte vullnet kundërshtimi këmbëngulës. 

Prishtina duhej të hiqte dorë nga bisedimet shterpe në Bruksel, kur shihej se delegacionet tona kot shkonin atje, pa asgjë ktheheshin, sepse serbët i përsërisnin gjërat e njëjta si papagalli pa afruar asgjë. 

Serbët e nxitën luftën në disa shtete të gadishullit, bënë gjenocid në Dardani, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, prandaj bashkësia ndërkombëtare gaboi kur i dha mundësi të kushtëzonte bisedimet me shantazhe. Kroatët u dhanë fund që në fillim shantazheve serbe me sëpatën e dardharit e me diplomacinë e të mençurit. Ne nuk e patëm forcën ushtarake të kroatëve, nuk e patëm as mençurinë e diplomatëve. Ndërsa nuk ua kërkuam ndihmën, as nuk i përfillem shpëtimtarët tonë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë etj. 

Prandaj që të mos vazhdoj edhe më tutje cirku maratonik Beograd- Prishtinë, është mirë që bisedimet t’i udhëheq Uashingtoni, sepse pos që e kanë forcën ushtarake të zbatimit të marrëveshjes, ata e kanë edhe aftësinë që ta bindin Serbinë, ashtu si duhet t’i bindin. Serbët e kuptojnë gjuhën e amerikanëve më mirë se kushdo. 

Nëpër kuluare thuhet kinse “korrigjimet” i kërkon SHBA-ja, zyrtarët më të lartë amerikanë i mohojnë publikisht shpifjet e tilla. Pse të mos ua mbyllim gojën fjalëve të kuluareve? 

Është gabim tjetër i pafalshëm që iu dha mandati kryeministrit shqiptar Edi Ramës të zhvilloj bisedime me kryeministrin serb në Nish për fatin e Dardanisë. Ky shtetar i shantazhuar me dosje e i lëndueshëm politikisht e bëri rrëmujë shtetin e vet. Si mund të negocioj për neve atëherë? 

Shteti ynë i ri gjendet para një kthesë dramatike, të ngjashme me vitin 1998-99. Atëbotë, ia kërkuam Amerikës e NATO-s ndërhyrjen urgjente, sepse nuk mund ta dëbonim agresorin serbë, nuk mundem ta shpëtonim kombin nga gjenocidi e rreziku i shfarosjes. SHBA e NATO na çliruan e na shpëtuan. Do të na ndihmojnë e do të na nxjerrin nga situata kritike edhe tash, po i morën ata frenjë e bisedimeve. Përgjegjësinë do ta kenë shumë më të madh se sa tash si vrojtues pasiv. 

Jam i sigurt që nuk do t’ua kërkojmë ndihmën, por ata duhet të ndërhyjnë pa na pyetur sa s’është bërë vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat