Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Ali Dacit në spitalin e përgjithshëm të Pejës

Peja

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Ali Dacit në spitalin e përgjithshëm të Pejës

Nga: Ramiz Lushaj Më: 17 prill 2021 Në ora: 09:34
Ali Daci

Gjendja shëndetësore:

Ali Daci i Rrozhajës në Malin e Zi ka dy javë i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës në Kosovë. Të hënën e 12 prillit iu krye një operacion për gurë në tëmth, pasi iu kishte ënjtur, infektuar dhe gjendja shëndetësore e përgjithshme nuk paraqitej mirë.

Sot, më 17 prill, thuhet se: “gjendja shëndetësore e Ali Dacit është e përkeqësuar, ka infeksion në plagën e operuar (infeksioni i ka prekë dhe mushkëritë), ndodhet në shërbim mjekësor intensiv, përditë i japin gjak pasi ende ka gjakderdhje-humbje gjaku, ka temperature të larta”.

Ora 08.17 nga Rajoni i Pejës njoftohemi se Ali Dacit i duhet gjak i Grupit B-Negativ, pasi nuk ka në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Me një fjalë të vetme: Jeta e Ali Dacit është në rrezik për çdo ditë, orë e çast…!

Dyshime për gjendjen e tij shëndetësore:

1.-Ali Daci edhe mund të jetë helmuar në mënyra mafioze e kriminale për shkak të aktivitetet të tij për Çështjen Kombëtare Shqiptare, Gjuhën Shqipe, të Drejtat e Liritë Themelore të Njeriut në Malin e Zi e Sanxhak, për shkrimet e studimet e tij kundër asimilimit, diskriminimit e krimet kundër njerëzimit ndaj Shqiptarëve nga Mali i Zi e Serbia, etj.

Ali Daci ka qenë më 1999 Kryetar i Komisionit të Pritjes të mijëra Shqiptarëve të Shpërngulur me dhunë serbe nga Kosova për në Rrozhajë.

Ali Daci është denoncuesi i Masakres serbo-malazeze në Husaj të Rrozhajës, të 18 prillit 1999 (si tani-22 vjet ma parë) ku u vranë 21 refugjatë të pafajshëm të Kosovës; ka kërkuar në disa shkallë në Gjykatat e  Malit të Zi të dënohen kriminelët vrastarë, (çështja do të jetë edhe objekt i drejtësisë ndërkombëtare); ka botuar një monografi me 268 faqe “Shtigjet e Përgjakura” (Pejë, 2021) për këtë Masakër, vepër e cila u promovua në mars-prill 2021 edhe në Gjakovë e në Shkodër.

Shkolla Shqipe në Dacaj, e vetmja shkollë shqipe në komunën e Rozhajës, ku është mësues i gjuhës shqipe Ali Daci, u dogj nga një dorë kriminale vitin e kaluar.

2.- Ndoshta ka dhe paaftësi ose pamundësi nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës, tek i cili Ali Daci ia ka besuar jetën e tij.

Një ekip mjekësh i dërguar nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia mundet të dalin me konkluzionet e duhura e të dërgohet Ali Daci në Spitalin Qendror të Prishtinës, ose drejt Tiranës, ose jashtë: në Gjermani etj.          

Dy fjalë për Ali Dacin:

Shkurtimisht: Ali DACI është publicist, analist, studiues, veprimtar politik e shoqëror, nga Rrozhaja në Malin e Zi; Kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Mali i Zi e Sanxhak (gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike, që botohet në Tiranë); Drejtor i Manifestimit Tradicional Kulturor PanShqiptar “Ora e Maleve” (XII) në Rrozhajë; Nënkryetar i Shoqatës Kombëtare “Kosova për Sanxhakun”; “Qytetar Nderi” i Pejës në Kosovë; nënkryetar i të pares parti shqiptare-LDSH në Malin e Zi; i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta me Urdhrin e lartë “Naim Frashëri të Artë”; autor me libra poetik, studimor e publicistik si monografia “Shtigjet e Përgjakura”, vëllim me poezi “Shtigjeve të rinisë”, etj., i nderuar dhe me disa çmime (ndër)kombëtare.

Apel qytetar kombëtar:

Gjejmë rastin të ftojmë Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, kryetarin e komunës së Pejës e të Rrozhajës, krerët e lartë të Treshtetshit Ballkanik: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri, Trupin Diplomatik në Kosovë (veçmas Ambasadën e Shqipërisë, të Malit të Zi, EULEX) ambasaden e Kosovës në Tiranë, ambasadat e Shqipërisë e Kosovës në Malin e Zi), organizata Politike e të Shoqërisë Civile në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi, Sanxhak, që përveç interesimit të pritshëm e të mundshëm; të kryejnë edhe diagnostikimin e saktë mjekësor (me komision të posaçëm, ndoshta dhe qeveritar e ndërshtetëror), t’i sigurojnë e garantojnë jetën Ali Dacit, i cili ka nevojë emergjente edhe për gjak (Grupi B-Negativ)…, mundët të dërgohet edhe në spitalet qendrore në Prishtinë e Tiranë apo diku tjetër në Europë.

Askush nuk mundet t’i shpëtojnë përgjegjësisë për çdo përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes shëndetësore të gazetarit Ali DACI- kryeredaktor i "Gazeta e Alpeve" për Malin e Zi e Sanxhak...!

Ne po presim reagimet shtetërore e qytetare për çështjen e Ali Dacit! Ne po presim diagnostikimet e shërimin e plotë e të shpejtë të Ali Dacit!

 “Gazeta e Alpeve”  e shpall 17 Prillin 2021: “Dita e Solidaritetit Qytetar Shqiptar për gazetarin e atdhetarin Ali Daci”!

Na ndihmoni me interesim tuaj për gjendjen e tij shëndetësore! Zoti ju Ndihmoftë, ua shpërbleftë kujdesin tuaj njerëzor, qytetar e shtetëror!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat