Nga e hëna nis mësimi edhe në një shkollë në Pejë

Peja

Nga e hëna nis mësimi edhe në një shkollë në Pejë

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 20:45
Ilustrim

Shkolla e Mesme e Muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë të hënën e 26 shtatorit do t’i rikthehet procesit mësimor.

Në njoftimin e shkollës, thuhet se është momenti për të reflektuar në rolin madhor që ka edukimi në shoqëri.

“Të dashur nxënës dhe prindër, urimet më të mira për vitin e ri shkollor 2022/2023. Një urim i veçantë për të gjithë nxënësit dhe sidomos për ata fëmijë që ndjekin klasën e parë”.

Ndryshe, edhe një numër i shkollave tjera kanë vendosur të ndërpresin grevën, duke mos respektuar thirrjen e SBASHK-ut për vazhdimin e saj.

Aktualisht mësimi është duke u zhvilluar në 14 komuna të Kosovës, ku në disa shkolla mësimi po zhvillohet pjesërisht e në disa të tjera është duke u zhvilluar procesi i plotë mësimor.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat. E greva në arsim ka hyrë në javën e katërt dhe ende asnjë marrëveshje mes Sindikatës së Bashkuara të Arsimit (SBASHK) dhe Qeverisë së Kosovës.

SBASHK-u së fundmi ka dalë edhe me tri kërkesa të reja për Qeverinë e Kosovës. Kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj ka kërkuar që nga janari i vitit 2023 të ketë rritje prej 10 për qind të pagës për mësimdhënësit.

Ndërkohë deri në janar, mësimdhënësit sikurse edhe shërbyesit tjerë publikë do të marrin shtesat prej 50 eurove që i ka premtuar Kurti me pakon e re mbështetëse.

Në pikën dy të kërkesës së SBASHK-ut, kërkohet që të ndryshohet ligji për Skemat Pensionale, kushti 15 vite përvojë punë dhe pika tre që deri në fund të vitit 2022 të fillojë së zbatuari Ligji për sigurime shëndetësore nga viti 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat