Reagon Spitali i Pejës: Persona të pandërgjegjshëm po fusin lopët në oborr

Peja

Reagon Spitali i Pejës: Persona të pandërgjegjshëm po fusin lopët në oborr

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 09:21
Spitali i Përgjithshëm në Pejë

Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ka shfaqur shqetësimin lidhur me futjen e bagëtive në oborrin e këtij spitali.

Përmes një njoftimi për media, Spitali i Pejës ka thënë se ky fenomen po ndodh tash e disa vite, ku bagëtitë futen në oborrin e tij nga personat e pandërgjegjshëm.

Nga ky Spital kanë bërë të ditur se përveç bagëtive, personeli dhe vizitorët rrezikohen edhe nga numri i madh i qenve endacak.

“Futja e bagëtive më konkretisht numrit të madh të lopëve në oborrin e Spitalit rrezikon në skajshmëri pacientët nga infeksionet, shkakton dëme në bimët që janë kultivuar dhe ruajtur për vite, dhe dëmton jashtëzakonisht imazhin e Institucionit tonë. Personat e pandërgjegjshëm futjen e lopëve në oborrin e Spitalit e bëjnë duke dëmtuar rrethojat e oborrit apo formave tjera dhe me gjithë përpjekjet e punëtorëve teknik që zakonisht një nga ta duhet tërë ditën të merret me largimin e bagëtive nuk po arrihet që të parandalohet futja e këtyre bagëtive”, thuhet në njoftim.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë tutje shton se në mënyrë të vazhduar për vite me radhë përmes shkresave, fotografive e videove ka kërkuar nga organet përgjegjëse: Inspektorati i Komunës së Pejës, Policia e Kosovës, Inspektorati Sanitar që të ndërmerren masa ndaj pronarëve të këtyre bagëtive por ky fenomen asnjëherë nuk ka arritur që të parandalohet.

“Përmes kësaj komunikate apelojmë tek të gjitha Institucionet e nivelit Komunal dhe atij Qeveritar që të na ndihmojnë duke marrë masa konkrete ndaj pronarëve të bagëtive dhe duke zgjedhur problemin e qenve endacak sepse kjo është pengesë e jashtëzakonshme për punën e Institucionit tonë shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat