Vërshimet në Istog ende pa kompenzime

Peja

Vërshimet në Istog ende pa kompenzime

Më: 8 maj 2023 Në ora: 21:12
Foto ilustrim

Në Istog qytetarët të cilët pësuan nga vërshimet e janarit akoma nuk janë kompensuar. Dëmet ishin të konsiderueshme në ekonomi familjare, objekte shkollore por edhe në biznese.

Megjithëse raporti vlerësues për dëmet me shumën për kompensim është dorëzuar në fillim të marsit, kompensimi ende  nuk është bërë.

Më shumë se gjysma e shtëpisë se Xhavit Dautajt nga fshati Drejë e Istogut, është e pabanueshme. Dysheme e mure janë dëmtuar nga vërshimet e janarit. Krejt këta muaj kjo familje pesë-anëtarësh po pret për kompensimin e premtuar nga shteti.

“Është një paketë gjanash ushqimore, kurgjo ma shumë. Dëmet janë shumë të mëdha, të pakrahasueshme, tash po presim qysh po presim krejtë...afat s’kemi të caktun, deri me sot asgjë”, tha Dautaj.

Deri më tash kjo familje është ndihmuar me pako ushqimore nga komuna, por nevojat e kësaj familjeje për rindërtim të të gjithë asaj që është dëmtuar nga vërshimet, janë shumë më të mëdha.

“Murin e kemi pastru, deri qatje u kanë, deri qaty ujë u kanë, krevetat i ka mlue, me të fëmijëve me krejtë, familjaret na kanë ndihmuar së s’ka mbet asgjë hiç, zero u met qitu”, tha ai.

Vetëm në Komunën e Istogut është dëmtuar një numër i madh i shtëpive, ekonomive familjare, bizneseve, objekteve shkollore, e kolektive, të cilat sipas komisionin  vlerësues, mbërrijnë shumën prej 2 milionë e  600 mijë eurove.

Abedin Kabashi- drejtor i shërbimeve publike në Istog tha se raporti është dorëzuar në Mars, me kohe, deri tani asnjë informate shtesë.

Megjithëse kjo komunë raportin e dëmeve me shumën për kompensim e ka dorëzuar  në fillim të  marsit, Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompensuar dëmet.

Përmes një bisede telefonike, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se kompensimi nuk është bërë ende në asnjë komunë.

Nga vërshimet e janarit ka pësuar edhe komuna e Klinës, Podujevës, Skenderajt e Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat