UNMIK-u dhe EULEX-i kanë dëshmi për motivin e vrasjeve politike dhe adresat se nga kush janë urdhëruar ato - Bota Sot
UNMIK-u dhe EULEX-i kanë dëshmi për motivin e vrasjeve politike dhe adresat se nga kush janë urdhëruar ato

Politika

UNMIK-u dhe EULEX-i kanë dëshmi për motivin e vrasjeve politike dhe adresat se nga kush janë urdhëruar ato

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 korrik 2019 Në ora: 22:08
Selia e Gjykatës Speciale

“Dëshmitarët në rastet e vrasjeve politike në vend, por edhe krimeve të tjera prapa të cilave qëndrojnë politikanë të fortë të Kosovës, mbrojtja e këtyre dëshmitarëve ka paraqitur dhe paraqet edhe sot e kësaj ditë një sfidë bukur të madhe për Kosovën. Sipas asaj që dihet një numër i dëshmitarëve edhe janë vrarë, disa kanë vdekur në rrethana mjaftë të dyshimta gjë që kanë vështirësuar teje mase zbardhjen vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë”, është shprehur Nexhat Haziri.

Zbardhja e vrasjeve të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës vazhdon të mbetet një nga çështjet mjaft aktuale në vend, dhe për të cilën çdoherë bëhet thirrje që kryesit e këtyre vrasjeve të dalin para organeve të drejtësisë.

Ani pse kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftës në Kosovës, edhe me tej vazhdojnë të mbesin të pazbardhura shumica e vrasjeve të këtyre zyrtarëve.

Mirëpo, e rëndësishme po del të jetë edhe fati i dëshmitarëve të këtyre vrasjeve, pasi së bashku me vitet, po shkojnë nga kjo jetë edhe këta të fundit.

Gazeta “Bota sot”, për disa ditë më radhë ka provuar të marrë përgjigje nga organet e drejtësisë në vend, por edhe ato ndërkombëtare rreth fatit të dëshmitarëve.

Nga Gjykata Speciale për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve në Kosovë është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ata konfirmojnë se kjo zyre është në shërbim të dëshmitarëve.

Ndërsa, avokati i njohur në vend thekson se përkundër që kanë kaluar 20 vite, nuk ekziston asnjë arsye ligjore dhe arsye tjetër që vrasjet e zyrtarëve të LDK-së të mbesin të pazbuluara.

E, njohësi i rrethanave politike në vend, potencon se një numër i dëshmitarëve tashmë janë vrarë, e disa tjerë kanë vdekur në rrethana mjaftë të dyshimta, gjë kjo për të cilën është shprehur se ka vështirësuar tej mase zbardhjen vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë.

“Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim edhe në adresë të Kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, për të marrë informata shtesë rreth kësaj çështje, mirëpo një përgjigje nga ana e tij edhe me tej nuk është kthyer.

Gjykata Speciale: Mbrojtja e dëshmitarëve një ndër prioritetet më madhore

Gjykata Speciale në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve në Kosovë është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Zyra për informim e kësaj gjykatë, duke mos dhënë detaje për dëshmitarët e mundshëm, ka theksuar se kjo zyre është në shërbim të dëshmitarëve.

Ndërsa, në fund, kanë nënvizuar se për shkak të sigurisë së dëshmitarëve nuk komentojnë punën e kësaj zyre.

Image
Gjykata Speciale

“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve (ZMMD) e Dhomave të Specializuara të Kosovës është plotësisht aktive. Për arsye sigurie, ne nuk komentojmë për punën e kësaj Zyre”, thuhet në përgjigjën e Gjykatës Speciale, të dhënë për gazetën “Bota sot”.

Avokati Musa: Gjykatat në Kosovë dhe Gjykata Speciale e kanë të obliguar që t’i mbrojnë dëshmitarët

Avokati Skënder Musa, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dëshmitarët nuk mund të jenë të rrezikuar, pasi ai tregon se të gjitha proceset gjyqësore që janë mbajtur në Kosovë, nuk ka ndonjë rast kur dëshmitarët janë kërcënuar.

Image
Skënder Musa

“Tash për tash, flas për vitet e fundit, nuk mendoj se dëshmitarët mund të jenë të rrezikuar për shkak se të gjitha proceset gjyqësore që janë mbajtur në Kosovë nuk ka raste që dëshmitarët janë kërcënuar, me kërcënime serioze apo edhe ndonjë formë të kërcënimit me jetë, në familje apo edhe për ndonjë pasojë në trupin e tyre, po flas për rastet që kanë të bëjnë me gjykatat e rregullta në Kosovë”, ka thënë avokati Musa, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, duke folur për hetimin vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, ka thënë se është mirë që çështjet të adresohen edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Sa i përket hetimit të vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së është mirë që çështjet të adresohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për shkak se tani është themeluar edhe departamenti special në kuadër të gjykatës dhe i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për t’i hetuar të gjitha veprat penale për krimet pavarësisht natyrës që mund të kenë”.

këtë rrafsh edhe Prokuroria Speciale dhe departamenti special që është krijuar, padyshim që e kanë obligim që t’i hetojnë edhe vrasjet që mund të jenë të inkriminuar edhe faktorët politik, këtu duke përshirë edhe zyrtarët e LDK-së”, është shprehur avokati.

Gjithashtu ai ka deklaruar se gjykatat vendore e ndërkombëtare e kanë për obligim mbrojtjen e dëshmitarëve.

“Gjykatat në Kosovë, por edhe Gjykata Speciale e kanë të obliguar me ligj që t’i mbrojnë dëshmitarët e saj, mirëpo, fillimisht duhet të hetohet rasti, të identifikojë kryesit e mundshëm të këtyre krimeve e pastaj mu kujdes për dëshmitarët”, deklaron ai.

Ndërsa, mes tjerash ai gjithashtu ka shpjeguar se përkundër që kanë kaluar 20 vite, nuk ekziston asnjë arsye ligjore dhe arsye tjetër që këto vrasje të mbesin të pazbuluara, prandaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që përveç orientimit nga Gjykata Speciale, të orientohemi edhe nga institucionet vendore.

“Kanë kaluar 20 vite pas përfundimit të luftës dhe nuk ekziston asnjë arsye ligjore dhe arsye tjetër që këto vrasje të mbesin të pazbuluara, prandaj është shumë e rëndësishme që përveç orientimit nga Gjykata Speciale, të orientohemi edhe nga institucionet vendore, në mënyrë të veçantë nga Prokuroria Speciale e cila e ka për obligim të merret me rastet e rënda. Është mirë se secila vrasje, fillimisht mos t’i jepet karakter personal derisa të ngritët aktakuza apo të kemi një aktgjykim të formës së premë, sepse legjilasioni në vend nuk jep asnjë falje për asnjë lloj vrasje. Kështu që nuk mund të arsyetohet askush me kalimin e shumë viteve nga ndodhja e vrasjeve, sepse ato mund të hetohen edhe pas 20 e 30 viteve dhe kurdo që gjenden kryesit mund të dalin para organeve”, ka përfunduar avokati Skënder Musa, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Një numër i madh i dëshmitarëve janë vrarë, e vështirë zbardhja e vrasjeve politike

Ndërsa, nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i rrethanave politike në vend, Nexhat Haziri, ka thënë se një numër i dëshmitarëve edhe janë vrarë, disa kanë vdekur në rrethana mjaftë të dyshimta gjë që kanë vështirësuar teje mase zbardhjen vrasjeve politike të pasluftës.

Image
Nexhat Haziri

“Dëshmitarët në rastet e vrasjeve politike në vend, por edhe krimeve të tjera prapa të cilave qëndrojnë politikanë të fortë të Kosovës, mbrojtja e këtyre dëshmitarëve ka paraqitur dhe paraqet edhe sot e kësaj ditë një sfidë bukur të madhe për Kosovën. Sipas asaj që dihet një numër i dëshmitarëve edhe janë vrarë, disa kanë vdekur në rrethana mjaftë të dyshimta gjë që kanë vështirësuar teje mase zbardhjen vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë”, është shprehur ai.

Sipas Hazirit, nga adresat e hetimeve për vrasjet e pasluftës duhet të fillohet me Sherbimin Informativ të Kosovës, i njohur ndryshe si SHIK.

“Megjithatë, ka ende të tillë që janë dëshmitar, disa janë siguruar duke i larguar nga vendi me statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe mendoj se vetëm duhet vullnet politik për të nisur proceset e zbardhjes së vrasjeve politike të pasluftës dhe kryesit e këtyre krimeve të nxirren para drejtësisë. Nga adresat e hetimeve për vrasjet e pasluftës duhet të fillohet me SHIK-un, si një organizatë kriminale e nëntokës së PDK-së, për të cilën organizatë dhe për dyshimet që bijën mbi të kanë folur edhe prokuror ndërkombëtar, shërbimet inteligjente të KFOR-it, dhe ka mjaft bazë për hetimin e saj”, tha ai.

Krejt në fund, Haziri, ka nënvizuar se do të ishte mirë për stabilitetin politik dhe të sigurisë, për të ardhmen e vendit që këto dëshmi për këto akte të krimit, t’i vihen në dispozicion institucioneve të drejtësisë në Kosovë, që në një kohë të përshtatshme, për t’iu dhënë një epilog hetimit dhe zbardhjes së vrasjeve politike.

“Po ashtu edhe ish-komandant të UÇK-së nga zona të caktuara, siç është ajo e Dukagjinit, Drenicës , etj. ku ka dyshime se grupet e tyre që i kanë udhëhequr edhe pasluftës, janë të implikuar në vrasjet qoftë të ish-ushtarakëve të FARK-ut, aktivistëve të LDK-së, po ashtu edhe të dëshmitarëve në proceset të ndryshme gjyqësore, ku janë përballur me drejtësinë ish-komandantët e fuqishëm të UÇK-së . Edhe misionet ndërkombëtare që kanë administruar me Kosovën gati për dhjetë vite kanë dëshmi për motivin e vrasjeve të personaliteteve politike e shoqërore të Kosovës dhe adresat se nga kush janë urdhëruar këto vrasje”, ka përfunduar Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...