Përparësi apo rrezik për Kosovën? Analistët komentojnë “faktorizimin” e Edi Ramës në dialog/ Kanë këto parashikime!

Politika

Përparësi apo rrezik për Kosovën? Analistët komentojnë “faktorizimin” e Edi Ramës në dialog/ Kanë këto parashikime!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 prill 2024 Në ora: 10:00
Albin Kurti, Besnik Bislimi dhe Edi Rama

Dialogu Kosovë – Serbi mbetët temë e ndjeshme për të dy palët negociuese, por edhe ndërkombëtarët.

Një marrëveshje ka një kohë që po flitet, mirëpo diçka finale nuk duket afër të ndodhë.

E së fundmi mori vëmendjen deklarata e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se sulmi i Iranit ndaj Izraelit përbën një situatë të re dhe gjendje lufte.

Ai është shprehur se formati i dialogut në Ballkanin Perëndimor, ku prioriteti i parë është Kosova dhe Serbia, sipas tij, nuk është vetëm nën kujdesin e treshes së BE-së Scholz-Macron-Meloni, por edhe kryeministri Rama nga regjioni ynë ka marr rol kritik.

“Sulmi i Iranit ndaj Izraelit përbën një situatë të re dhe gjendje lufte. Marrëdhëniet Kine e Korea e Veriut po avancohen. Po ndërtohet boshti i të keqes. Lufta në Ukrainë me krejt tragjedinë e saj po vazhdon. Duhet të dënohet por të shihet sa keq po ndikon në Ballkan dhe për ne.

Tashmë formati i dialogut në Ballkanin Perëndimor, ku prioriteti i parë është Kosova dhe Serbia, nuk është vetëm nën kujdesin e treshes së BE-së Scholc-Macron-Meloni, por edhe kryeministri Rama nga regjioni ynë ka marr rol kritik. Kjo ka rëndësi të madhe dhe duhet t’i gëzohemi”, shkroi ai.

Kujtojmë para katër vjetësh, ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajçak ishte emëruar në këtë post.

Mandati i tij përfundon në fund të gushtit.

Qarri: Nuk besoj se Qeveria Kurti, do t’i lejojë qasje Edi Ramës në bisedimet e Kosovës me Serbinë

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri.

Ai thotë se BE ka fajin që Kosova është udhëhequr nga kuisling të cilët nuk e trajtuan si shtet të pavarur.

Analisti tregon disa nga argumentet që Haziri mbanë anën e Ramës dhe ka të njëjtat qëndrime që më herët edhe Thaçi i ka pasur për Kosovën.

“Fatkeqësisht me vendosjen kokë më vete të "Fusnotës" nga Thaçi & Co, pas vendimit të njohur të GJND-së, Kosovës iu mvesh një status i paqartë për askënd, pas të cilës prej atëherë, u barrikaduan politikisht edhe NATO, si dhe Bashkimi Evropian, të cilat për vet fajin e udhëheqjes së atëhershme kuislinge të Kosovës, vendosën të mbajnë qëndrim neutral dhe mos ta trajtojnë më Kosovën si shtet të pavarur, gjendje që mjerisht vazhdon edhe sot, edhe pse Lutfi Haziri nuk e sqaron për publikun dhe qytetarët e Kosovës!

Në fakt, Lutfi Haziri nuk mund tu ik argumenteve dhe e pranon pjesërisht edhe vet, se qysh kur shefe e BE-së për Politike të Jashtme e Siguri, ishte baronesha Catherine Ashton, bisedimet me Serbinë fatkeqësisht u bazuan në një gjuhë me dykuptimësi dhe lëshime të mëdha ndaj Serbisë, madje duke zbehë edhe statusin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës!

Për aq më keq, Hashim Thaçi në Forumin Evropian, të mbajtur me 25 gusht të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, doli publikisht edhe me idenë renegate për ndarjen e Kosovës, duke paguar edhe firma të huaja, më parat e taksapaguesve të varfër, për propagandimin e ndarjes së Kosovës, në kryeqytetet evropiane dhe botërore,  ide të cilën që nga fillimi e ka mbështetur me këmbëngulje edhe Lutfi Haziri, siç e mbështeti të njëjtën, deri në fund edhe Edvin Kristaq Rama”, u shpreh ai.

Qarri më tej thekson që Haziri ka arsyet e veta personale që mendon se Rama do të jetë pjesë e dialogut si kritikues dhe ai përmend disa nga personat që kanë qenë pro ndarjes së Kosovës.

“Andaj nënkryetari i LDK-se Lutfi Haziri, ka arsyet e tij personale, tanimë të njohura kur thotë se formati i dialogut në Ballkanin Perëndimor, nuk është më vetëm nën përkujdesjen e treshes së BE-së Scholc-Macron-Meloni, por edhe të kryeministrit Rama, gjë që nuk e ka thënë askush deri më tani.

Për aq më tepër, as nuk dihet saktësisht se çfarë roli ka, apo mund të ketë Edi Rama dhe as për çfarë qasje të tij në dialog, po trumbeton Lutfi Haziri, apo këndë përfaqëson në të vërtetë Edi Rama aty, nëse deklarata e Lutfi Hazirit ka të bëj më realitetin, kur dihet se Kosova ka Qeverinë dhe përfaqësuesit e vet legjitim, që e kanë obligim kushtetues të merren edhe zyrtarisht me këtë detyrë.

Përndryshe, nga ajo që dihet, krimin më të madh politik, ndaj shtetit të Kosovës, përveç ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa për nënshkrimin e marrëveshjes për Zajednicën dhe deputetëve të asaj legjislature, që edhe e kanë miratuar zajednicën me kompetenca ekzekutive, në Kuvend, faj jo të vogël ka edhe Lutfi Haziri si dhe disa anëtarë të kryesisë së PDK-së, si Ramë Buja, Vlora Çitaku Enver Hoxhaj etj, të cilët në vijimësi e mbështetën ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, që  Thaçi madje e quante edhe tokë të Rankoviçit”, foli analisti.

Ndër të tjera ai shton që Qeveria Kurti nuk do të i lejoj qasje Ramës në bisedimet Kosovë – Serbi.

“Kështu që, megjithëse unë, fare nuk besojë se Qeveria Kurti, do t’i lejojë qasje Edi Ramës në bisedimet e Kosovës me Serbinë, edhe nëse kjo rastësisht ndodhë, duke njohur qëndrimet e hapura të Edvin Kristaq Ramës pro Vuçiqit dhe animin e tij të skajshëm ndaj Serbisë hegjemoniste, implikimit të Ramës, me siguri populli i Kosovës, nuk do ti gëzohej kurrë.

Të vetmit persona që mund t’i gëzohen implikimit të Edi Ramës, mund të jenë ndonjë nga mbetjet e Hashim Thaçit dhe ish tepricat teknologjike të ish kryesisë së PDK-së, si dhe Lutfi Haziri qëndrimeve kontraverse të të cilit ua ka pa pikën e sherrit edhe vet LDK, madje Luta është njëri nga shkaqet kryesore, që LDK, nga një parti e parë dhe e njohur si parti shtet formuese, të bie në pozitën e parafundit, të mbi pragut zgjedhor, ndërsa nëse Lumir Abdixhiku, para shkuarjes në zgjedhje të reja, nuk e spastron LDK-në edhe nga militantët e Isa Mustafaës, si Luta & Co, ka rrezik që kjo parti, të humbë edhe më tepër mbështetjen e elektoratit, veçanërisht tani, kur Kosova po zbrazet nga të rinjtë dhe votuesit potencial”, tha Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Prezenca e Ramës në dialogun Kosovë – Serbi mund të jetë e sukseshme

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti tjetër Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet se pjesëmarrja e Ramës në dialogun Kosovë – Serbi do ishte e sukseshme.

“Për mendimin tim, nëse politika zyrtare e Kosovës, do ta vlerësonte drejtë dhe pa xhelozi e interesa elektorale, rolin e Kryeministrit Rama, atëherë jo vetëm si Kosovë por edhe si shqiptarë në përgjithësi do të qëndronim shumë më mirë. Kryeministri Rama, për mendimin tim është kryeministri më i suksesshëm shqiptarë ndonjëherë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk është e imagjinueshme se si një shtet me fuqi të papërfillshme ekonomike apo ushtarake, të ketë kaq shumë ndikim dhe kaq shumë mbështetje në segmentet e diplomacisë ndërkombëtare”, shpjegon analisti.

Në fund, ai nënvizon që mes kryeministrit Kurti dhe Ramës ekziston një xhelozi dhe kjo penalizon dy shtetet të jenë krah njëri – tjetrit.

“Për fat të keq,  Ramën nuk e ka trajtuar si bashkëkombës i cili e do Kosovës minimum sa edhe ai vetë, por si konkurent politik, të cilin duhet luftuar me të gjitha mjetet. Vetë fakti, se çdo lëvizje politike e Ramës, përgojohet nga strukturat dhe militantet e VV-së në njërën anë dhe në anën tjetër të Sali Berishës, tregon çartë se sa e madhe është xhelozia ndaj Ramës, e që pastaj rezulton me lajme të rreme dhe propagandë kundër tij. Kurti, njëjtë siç e lufton Kryeministrin Rama, tashmë e bën edhe me z. Ali Ahmeti në Maqedoninë e Veriut”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat