I dërguari i Posaçëm I BE-së, Miroslav Lajçak ka qëndruar për vizitë në Kosovë dje dhe sot, ku është takuar me krerët e shtetit dhe liderët e partive politike.
Ai ka thënë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, ku do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.
Violeta Haxholli nga KDI, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vizita e tij është në vazhdën e përpjekjeve të BE-së për ta rikthyer Kosovën dhe Serbinë në tavolinë, duke shtuar se BE do të ketë rol aktiv në procesin e dialogut.
“Po vizita e z.Lajçak është në vazhdën e përpjekjeve të BE-së për të rikthyer Kosovën dhe Serbinë në tryezën e bisedimeve. Kjo vizitë tregon interesimin e BE-së që dialogu të vazhdojë sa më parë. Mendoj se BE do të vazhdojë të ketë rol aktiv në procesin e dialogut pasi ky proces është i ndërlidhur me proceset integruese të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ajo.
Sipas Haxhollit, roli i SHBA-së është pozitiv për Kosovën, si partner kryesor për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ndërsa roli i shtuar i SHBA-ve në dialog është pozitiv për Kosovën me që SHBA-të janë partneri kryesor për shtetndërtim dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, ka vlerësuar ajo.
Se çfarë mund të presim nga takimi i 27 qershorit, ajo thotë se mund të ketë përafrim të palëve për modalitetet e vazhdimit të dialogut, ndërsa sa i përket marrëveshjes finale, sipas saj ajo varet nga gatishmëria e të dyja vendeve.
“Nga takimi i 27 qershorit mund të ketë përafrim të palëve lidhur me modalitetet e vazhdimit të dialogut dhe dakordim mbi parimet e normalizimit të marrëdhënieve. Se a do të ketë marrëveshje finale kjo në fund varet se sa Kosova dhe Serbia janë të gatshme për të arritur atë marrëveshje”, ka deklaruar Violeta Haxholli për “Bota sot”.