Totaj mbështetet nga Krasniqi: Prizreni, investim shpirtëror i PDK-së

Prizreni

Totaj mbështetet nga Krasniqi: Prizreni, investim shpirtëror i PDK-së

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 18:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i bindur se nga 14 nëntori në Prizren do të qeverisë PDK dhe kandidati i saj Shaqir Totaj, pasi sipas tij qytetarëve u ofrojnë një program konkret që siguron zhvillim e punësim.

Krasniqi gjatë një takimi me qytetarët e Prizrenit, tha se Shaqir Totaj do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe se ka programin adekuat për të gjitha familjet e Prizrenit.

Krasniqi: Programi i Totajt është programi adekuat për Prizrenin

"Sot 4 vite më pas njerëzit që e kanë mbështetur këtë kryetar janë edhe të pakënaqur edhe të zhgënjyer me të dhe kanë arsye që të jenë të zhgënjyer, kanë arsye për shkak se asnjë pothuajse nga ato premtimet para katër viteve nuk janë realizuar. Ne sot jemi përsëri në garë për të ofruar alternativën zhvillimore dhe ofertën programore të Shaqir Totajt, një koncept ndryshe të qeverisjes, jo një koncept të një politikani që jemi mësuar me e pa, po të një menaxheri që është i dedikuar për qytetarët e Prizrenit, për familjet tuaja. Andaj unë sot jam i sigurt që programi i Shaqir Totajt që konsideroj që është programi adekuat për Prizrenin, një program siç thotë populli për toke e jo një propozim apo premtim për qielli që është i parealizueshëm, është projekti që do të marrë mbështetjen e qytetarëve të Prizrenit", tha ai.

Krasniqi tha se me fitoren e PDK-së në Prizren do të kthehen investimet dhe zhvillimi i qytetit historik të Kosovës.

Krasniqi: Prizreni, investim shpirtëror i PDK-së

"Në Prizren ne garojmë edhe për të kaluarën dhe trashëgiminë tonë, por para së gjithash garojmë për të ardhmen tonë, sepse PDK Prizrenin e ka pasur, e ka dhe gjithmonë do ta ketë një nga investimet më të rëndësishme të vetat shpirtërore dhe jo vetëm politike. Ne jemi të lidhur ashtu siç ka qenë prej themelit të partisë tonë, ashtu siç ka qenë nën lidershipin e Hashim Thaçit dhe nën lidershipin e Kadri Veselit dhe ashtu do të jemi gjithmonë të lidhur me Prizrenin", tha ai.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se e do të qeverisë së bashkë me qytetarët për Prizrenin që e duan të gjithë.

Totaj: Fitorja e 14 nëntorit do të jetë fitore e konceptit për zhvillimin e Prizrenit

"Do të qeverisim shumë mirë, sepse kemi lidership, mbi të gjitha kemi përcaktim, determinim për këtë qytet. Ky moment nuk do të jetë fitore e një partie, nuk do të jetë aq më pak fitore e një personi, do të jetë fitore e një koncepti, konceptit qytetar për zhvillimin e komunës së Prizrenit, për ekonomi të tregut, për demokraci, për transparencë, për menaxhim të mirë, karshi një koncepti majtistë i cili i bllokon investimet, i cili nuk ka vizion, i cili është i mbyllur. Jam shumë optimist që do ia dalim dhe në këtë mënyrë jo veç deri te fitorja po edhe pas fitores ne do të vazhdojmë bashkë për Prizrenin", tha Totaj.

Gjatë ditës së sotme, Totaj ka shpalosur projektin për transformimin e Parkut të Qytetit me infrastrukturë moderne dhe parking nëntokësor.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat