Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po vazhdon punimet për rekonstruimin e rrugës Reçan – Lubinjë e Epërme – Lubinjë e Poshtme në Prizren, ku aktualisht është duke u realizuar asfaltimi i këtij segmenti rrugor.
Projekti përfshin një gjatësi prej 8.45 kilometrash dhe ka një vlerë të përgjithshme prej rreth 1.5 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 1.2 milionë euro financohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.
Në kuadër të projektit parashihet rehabilitimi i plotë i strukturës së rrugës, ndërtimi i rreth 100 pilotave, mureve mbrojtëse, si dhe lëshesave për largimin e ujërave atmosferike.
Përfundimi i këtyre punimeve pritet të ndikojë në përmirësimin e sigurisë rrugore dhe të kushteve të qarkullimit, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe lidhjen ndërmjet vendbanimeve të kësaj zone të Prizrenit.