Fshatrat e Hasit të Prizrenit ndër vite u kanë bërë ballë vështirësive të shumta, duke u mbështetur në punën e palodhshme dhe traditat e trashëguara brez pas brezi. Terreni i thyer malor dikur e bënte të vështirë sigurimin e bukës së gojës.
Drithërat që banorët arrinin t’i siguronin nga tokat e tyre shpesh mjaftonin vetëm për tre deri në gjashtë muaj të vitit. Kështu kujton 81-vjeçari Pren Prenkaj, i cili i ka përjetuar kohët kur sigurimi i bukës kërkonte shumë mund dhe angazhim.
“E kam një moshë bukur të vjetër, i mbërrij 81 vjet. I kam mbërritur kohërat kur e kemi përgatitur lamën për ta përgatitur drithin për bukë. Në ato lama që ishin të rralla, është përgatitur drithi me qetë, sepse këtu ka pasur më pak kuaj. Ky ka qenë ushqimi kryesor që është siguruar së paku për tre ose gjashtë muaj dimër”, tha Pren Prenkaj, banor i Hasit:
Menjëherë pas përfundimit të shirjes së drithit, familjet hasjane duhej të mendonin edhe për sigurimin e ngrohjes për stinën e dimrit.
“Pas kësaj, çdo shtëpi ka filluar t’i siguronte drutë për dimër, sepse atëherë dimrat kanë qenë shumë të gjatë. Gjithashtu, drithin e bluanim në mullinjtë me ujë”, shtoi Prenkaj.
Për të mos harruar të kaluarën e brezave, në Gjonaj të Hasit, çdo të dytën vjeshtë organizohet aktiviteti tradicional “Dita e Bereqetit Hasjan”.
"Karakteristikë e veçantë në Has të Prizrenit është veshja popullore, e cila vazhdon të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj. Madje, kjo veshje ka gjetur përkrahje edhe te të rinjtë, të cilët shprehen të vendosur të mos heqin dorë nga trashëgimia kulturore e vendit të tyre", Haziz Hodaj, drejtor i SHKA-së “Malsori”:
"Tani jeta në Has është bërë shumë më e lehtë sesa para shumë dekadash, por asaj i mungon rinia, e cila, duke trashëguar brez pas brezi zejen e Hasit, është shpërndarë nëpër botë bashkë me familjet e saj, duke vazhduar punën si bukëpjekës", tha Ariola Osmanollaj, banore e Gjonajt.