​Haskuka: 52 premtimet që kemi në programin e ri qeverisës, do t’i arrijmë në mandatin e ri 4-vjeçar

Prizreni

​Haskuka: 52 premtimet që kemi në programin e ri qeverisës, do t’i arrijmë në mandatin e ri 4-vjeçar

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 21:32
Foto

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka është zotuar se gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar do të vazhdojë me punët dhe projektet e mira për qytetarët e kësaj komune.

Ai gjatë një tubimi elektoral për garën e balotazhit më 14 nëntor, ka thënë se 52 premtimet e dhëna në programin e tij qeverisës do t’i realizojë në mandatin e ri.

Haskuka: Kemi plotësuar shumicën e premtimeve të dhëna

"Prandaj, na duhen edhe katër vjet. Përkundër bllokadave, sabotimeve dhe të gjitha problemeve, ne kemi arritur t’i plotësojmë shumicën e premtimeve që i kemi dhënë. Kjo është garanci që atyre 52 premtimeve që i kemi në programin e ri qeverisës do t’i arrijmë në fund të mandatit të ardhshëm 4-vjeçar... Prizreni kur e kemi marrë qeverisjen e ka pasur zero vend për investime në prodhimtari. Ne e kemi pasur zonën industriale të dytën pas Prishtinës, me 14 mijë punëtorë, me shumë fabrika të cilat pas luftës i privatizuan, makinat i shitën për hekur, fabrikat i kthyen në depo dhe në qendra tregtare. Nga 40 mijë punëtorë ajo ra në një mijë punëtorë, nga 40 mijë familje aty tash punësohen 1 mijë familje, ka pasur zero metër katrorë për investime në prodhimtari”, tha Haskuka.

Për më tepër, kryetari aktual i Prizrenit tha se kjo komunë gjatë qeverisjes së tij ka arritur të bëhet dy zona ku mund të ketë prodhimtari.

Haskuka: Më 14 nëntor do të fitojmë bashkë me juve

"Që nga viri 2014 ka qenë një zonë e industrisë së lehtë se asgjë s’kanë bërë sepse donin njëherë t’i blejnë tokat e më pas t’i hapin. Ne thamë se këtu është zona e industrisë së lehtë, duhet t’i hapet rrugë së bashku me Drejtorinë e Urbanizmit e që i hapëm të gjitha rrugët e industrisë së lehtë. Pra edhe aty-diku, 40-50 hektarë janë gati për investime, nga një Prizren që nuk ka pasur asnjë vend për investime në prodhimtari, ne momentalisht jemi qyteti i parë me tri zona, me dy vende ku mund të ketë investim në prodhimtari. Më 14 nëntor do të fitojmë bashkë me juve ashtu qysh kemi fituar më 14 shkurt," tha Haskuka.

Ndërsa, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka thënë se festa do të jetë më e madhe ditën e diel kur Haskuka do të marrë mandatin tjetër të qeverisjes në Prizren.

Çeku: Tashmë s’ka pengesa, na duhet edhe ky konfirmim ditën e diel

"Festa do të jetë edhe më e madhe në natën e zgjedhjeve kur përfundon gjithçka dhe kur konfirmohet edhe mandati i dytë për kryetarin tonë Mytaher Haskukën në mënyrë që gjithçka çka është nis në Prizren, të vazhdojë tutje. Kemi ide dhe projekte të reja, kemi një Qeveri qendrore që nuk i pengon Mytaher Haskukës, por e mbështet, sepse atë që e kemi filluar si ndryshim në Prizren, e kemi mbërri edhe në nivel qendror. Tashmë nuk ka pengesa, na duhet edhe ky konfirmim që do të vijë ditën e diel, mandati i dytë qeverisës për Mytaher Haskukën në bashkëpunim mes dy niveleve qeverisës për t’i realizuar projektet dhe programet të cilat synojnë Prizrenin të zhvillojë tutje dhe bashkërisht me ju, e kjo ka qenë edhe motoja jonë e kësaj fushate në një bashkëqeverisje në një bashkëpunim të rregullt," tha Çeku.

Edhe ministri i Financave Hekuran Murati ka shprehur bindjen e tij se qytetarët do ta mbështesin Mytaher Haskuka në garën e balotazhit.

Murati: Mytaher Haskuka do ta ketë mbështetjen e Qeverisë

"Ngado që po shkoj, po e filloj fjalimin që ndryshimi i madh në Kosovë ka ndodhë më 14 shkurt andaj edhe në këtë komunë duhet të bëhet ndryshimi. Prizrenin e keni kryer me kohë, këtu mund t’ju them që vetëm vazhdoni. Duhet të vazhdoni ta mbështetni profesorin e nderuar në punët e mira që i ka nisur, në punët e mira që i ka përfunduar, e tash e tutje do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë. Është me rëndësi që ky vullnet të konfirmohet më 14 nëntor, sepse kundërshtari nuk është duke fjetur, për të është treni i fundit. Po i shohim sa të egër janë bërë në komunat e tjera me shpifje, edhe montime, në mënyrë që t’i dëmtojnë kandidatët tanë, me shpresën se do të ndezë ndonjë nga shpifjet. Këto shpifje ia kanë bërë profesorit për katër vjet, por ai doli faqebardhë. Kështu që mund të sigurohemi se profesori edhe për katër vjet të tjera prapë do të jetë faqebardhë para juve, prapë bashkë do të vijmë për të kërkuar votën dhe do të dalim faqebardhë", ka thënë Murati

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat