Patër Andrea Gjekaj, kleriku Trieshjan që flijoi jetën për krishtin duke i ndihmuar popullit

Religjion

Patër Andrea Gjekaj, kleriku Trieshjan që flijoi jetën për krishtin duke i ndihmuar popullit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 13 janar 2022 Në ora: 08:56
Andrea Gjekaj

Shumë klerikë shqiptarë të krishterë e myslimanë u persekutuan, u torturuan, u pushkatuan e vdiqën, ndonëse të pafajshëm, nëpër burgje në periudha të ndryshme historike. Ata nuk e patën hirin e Zotit , që mbas kalvarit shumëvjeçar t’u shpëtojnë plumbave të pushtuesve të huaj dhe atyre të kuq gjatë regjimit komunist në Shqipëri, të cilët dënuan meshtarë me vdekje, duke menduar se bashkë me ta do të çrrënjosin Ungjillin nga kultura e një populli të tërë dhe do të dënojnë edhe Krijuesin, por siç pat thënë dom Simon Jubani ”Zoti nuk dënohet me vdekje”, “ Nji Zot i vetëm në botë, e ky Zot s’ka pasë fillim e as kurr s’ka për t’pasë mbarim”.

Këta kolos të kombit dhe krishterimit nuk arritën të gëzojnë lirinë e fesë. T’i shohin kishat e çliruara. Këta burra të veshur me zhgunin e meshtarit ”rrnuen për me tregua” se njëmend gjaku i tyre, vuajtjet e fëmijëve të pafajshëm, lotët e nënave dhe sakrificat e etërve tanë nuk kanë shkuar kot, por janë pranuar nga Zoti si dhuntia më e bukur që populli shqiptar i ka bërë ndonjëherë Krijuesit të gjithësisë. Ky gjak, këto vuajtje, lot e sakrifica u bënë një gurthemel për demokracinë e vërtetë që me kalimin e ditëve -siç thoshte dom Simoni- u shndërrua në demokraci.

Erdhi në këtë jetë si një dhuratë e Hyjit Atë

Patër Lul Vuksani Gjurashaj me emrin kishtar patër Andrea Gjekaj, ishte bir i familjes së mirënjohur nga shtëpia e Mal Vuksanit nga fshati Nimarash në Triesh - Malësi e Madhe. Për këtë meshtar françeskan nuk kemi dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se erdhi në këtë jetë si një dhuratë e Atit tonë qiellor rreth viteve 1874, nga babai Vuksan dhe nëna Mirja, nga një familje me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që në kohën e Perandorisë Osmane kishte dëshmuar përkatësinë e tyre fetare dhe kombëtare, të cilët ruajtën brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.

Dëgjoi thirrjen e Zotit dhe u bë meshtar

Atdhedashuria, edukimi i shëndosh familjar (edhe me rruzare të përditshme në dorë) madje nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë e nxitën Lulin e ri të dëgjonte zërin e Zotit, thirrjen e tij të meshtarisë, për t’u bërë meshtar. Dhe kështu edhe ndodhi! Qëndrimi i tij ishte tejet i guximshëm dhe mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç ishin edhe etërit tanë”. Me sa dihet përfundoi shkollën e mesme për meshtari në Zadër të Kroacisë, që gjithnjë i kishte në kujtime të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirteni të çiltër. Në saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin Filologjik dhe Teologjik në Romë - Itali të cilin e përfundon me sukses, në vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë të njohur nga bota shqiptare.

Kthimi në vendlindje gëzim për trieshjanët

Që ka qenë dhe mbetet atdhetar e ka dëshmuar me kthimin e tij në vendlindje në fillim të shekullit XX-të edhe pse në Itali kishte rast për një jetë më të sigurt dhe më të begatshme. Së paku sa i përket anës tokësore, financiare dhe materiale. Si meshtar i ri me përgatitje të lartë shkollore dhe me kulturë të jashtëzakonshme evropiane filloi detyrën misionare të përcjelljes së fjalës së Zotit tek besimtarët katolikë shqiptarë. Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël kufitar nën pushtetin malazez, pranë kufirit të sotëm me shtetin amë – Shqipërinë, ekonomikisht të varfër dhe me arsimim të ulët ishte në vetvete një gëzim i madh për të gjithë popullatën vendore. Sepse ishte njeriu më i ditur që kishte Trieshi dhe njëri ndër njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia. Prandaj trieshjanët kishin nevojë për këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së zellshme gjatë ditës, ndërsa urata gjatë natës.

Ardhja e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese të Malësisë së Madhe, tingëlloi fort edhe për të zgjuar zemrat dhe mendjet e popullatës vendore nëpërmjet predikimeve fetare, për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës, kulturës dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë emërtim. Kështu frati i ri u bë i dashur dhe njeri i çmuar dhe i nderuar në Triesh dhe në rrethinë aq sa zëri i mirë i trieshjanëve dhe fama përhapej dhe rritej dita-ditës. Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.

Popullata vendore, me vëmendje dhe interesim të madh, ndiqnin meshat e tij dhe e admironin fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha kulturore e shpirtërore Patër Andrea për të përçuar dhe rritur atdhedashurinë tek trieshjanët në fillimet e shekullit njëzet në Triesh themelon Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot bashkë me trieshjanët e tjerë atdhetarë ngriti flamurin shqiptar në fshatin Nikmarash, në vitin 1906 , duke i paraprirë kështu ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.

Shërbimi fetar në Ljare të Krajës dhe Salç të Ulqinit

Dokumentet kishtare të Kishës së Ljares të cilat i zbuloi patër Mirash Marinaj, famullitar i famullisë së sotme të Tuzit, tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea ka shërbyer një kohë të gjatë, prej tetë vitesh ( (1904-1912) në famullinë e Ljares në Krajë dhe famulli të tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit. Në këto dokumente 115 - vjeçare të shkruara nga vetë Patër Andrea, u zbardhën fakte të reja interesante nga jeta e tij, madje zbulohen edhe katër muajt e fundit të jetës së tij në Kishën e Shën Pjetrit ( e ndërtuar në vitin 1865) në fshatin Salç të Ulqinit.

Me interes të veçantë është një letër e cila zbardh shumë ngjarje dhe të dhëna të tjera ende të panjohura për arsyet e largimit të tij nga kjo famulli dhe shkuarja e tij si meshtar në Shkodër. Në këto regjistra figuron se meshën e fundit të jetës së tij e kishte thënë në Ljare. Në regjistrin e Patër Andreut , ndër të tjera, shihet se në vitin 1910 pagëzoi At Zef -Leonard Tagaj, fratin e Traboinit të Hotit, i cili u vra barbarisht nga ushtarët serbo-malazez më 19 shkurt 1945, në Lugje të Thella , në kufi të Hotit e Grudës.

Vrasja në Shkodër, humbje e madhe për Kishën Katolike dhe kombin shqiptar

Bazuar në dokumentacionin që disponuam dhe në kronikat e kohës Patër Andrenë e vranë të pafajshëm ushtarët turq, në Shkodër në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38 vjeçar. Arma e vetme që kishte në dorë ishte Kryqi me të cilin qëndroi me vullnetin e tij të palëkundur dhe vendimin e tij të guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e betejës për të çliruar Shkodrën nga turqit. Nuk kishte për qëllim të luftonte me armë, por në rast vdekje t’u jepte besimtarëve sakramendet. Sipas Nekrologut të Provincës Françeskane Shqiptare, u vra më 8 tetor 1912, kurse sipas Patër Donat Kurtit dhe Patër Marjan Prelaj vdiq më 22 nëntor 1912. U vra diku në Mal të Kolajve ose në Kukël.

Vrasja e Patër Andreut si kapelan , udhëheqës shpirtëror i besimtarëve të tij që kishin dëshirë të jenë afër Zotit deri në frymën e tyre të fundit, ishte një humbje e madhe për Kishën Katolike, por edhe për trevat shqiptare , edhe për arsye të moshës së tij . Ishte në moshën e pjekurisë , kur njeriu jep nga vetja.

Rënia tragjike e këtij françeskani të vërtetë dhe të devotshëm ishte vërtetë një pikëllim dhe dhimbje e thellë , por kjo është jeta dhe duhet pranojmë secili nga ne. Lajmin e vrasjes së meshtarit të tyre besimtarët e Trieshit, Ljares dhe Salçit, me të cilin ishin të lidhur shpirtërisht, e pranuan me lot në sy e dhembje në zemër. I paharrueshëm do të mbetet kujtimi i tyre për meshtarin e nderuar Patër Andrenë. (Vijon)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat