Cilët janë faktorët që ndikojnë tek prodhimi i tepërt i hormonit të stresit? - Bota Sot
Cilët janë faktorët që ndikojnë tek prodhimi i tepërt i hormonit të stresit?

Shëndetësia

Cilët janë faktorët që ndikojnë tek prodhimi i tepërt i hormonit të stresit?

Më: 17 prill 2020 Në ora: 06:28
Ilustrim

Njerëzit që vuajnë nga stresi, kanë gjithnjë nivele të larta të kortizolit. Kortizoli është një hormon që prodhohet në mënyrë natyrale në organizëm dhe nxirret nga gjendrat mbiveshkore. Ky hormon luan një sërë rolesh ku përfshihet: mirëmbajtja e tensionit të gjakut, sheqerit në gjak dhe rregullimi i metabolizmit.

Nivelet e kortizolit janë të luhatshme gjatë ditës. Ato rriten ndjeshëm në mëngjes dhe ulen në mesnatë. Rritja e nivelit të kortizolit mundësohet si pasojë e një sërë faktorësh ku përfshihen:
Stresi kronik,
Stresi akut,
Stresi fizik,
Stresi psikologjik.
Siç mund të kuptohet, kortizoli njihet si hormoni i stresit sepse ky i fundit luan një rol kyç në rregullimin e niveleve të sekretuara të tij. Studimet konfirmojnë se gratë dhe vajzat janë më të predispozuara të vuajnë nga stresi psikologjik dhe rrjedhimisht vuajnë nga nivele më të larta të kortizolit se djemtë dhe burrat.

Cila Është Lidhja Mes Kortizolit Dhe Mbipeshës
Sipas studimeve të cilave u referohet AgroWeb.org, organizmi i grave dhe vajzat që janë mbipeshë (sidomos në pjesën e barkut), ka nivele më të larta kortizoli gjatë një situate stresuese se sa ato që kanë depozita dhjamore në pjesën e ijeve. Obezitet i përqendruar në zonën abdominale rrit gjithashtu rrezikun e sëmundjeve kronike siç janë ato të zemrës dhe diabeti i tipit 2. Ekspertët besojnë se kur një person është shumë i stresuar, niveli i lartë i kortizolit e shtyn atë të konsumojë më shumë ushqim por të djegë më pak kalori. Përpos të tjerave, nivelet e larta të kortizolit rrisin tensionin e gjakut, e bëjnë njeriun më të acaruar, shkaktojnë pagjumësi dhe rrisin ndjeshëm nivelin e sheqernave në gjak.

Si Të Luftoni Stresin Nëpërmjet Ushqyerjes
Ekspertët këshillojnë që të konsumoni perime me fibër dhe yndyrna të shëndetshme siç është vaji i ullirit. Proteina është gjithashtu një element i rëndësishëm i një regjimi ushqimor të përshtatshëm kundër stresit. Atë mund ta gjeni tek mishi i pulës dhe veza. Ekspertët gjithashtu rekomandojnë shmangien e ushqimeve dhe pijeve që kanë rol stimulues siç mund të jetë kafeina por edhe sheqeri, alkoli dhe karbohidratet e përpunuara.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat