Të sëmurët me Covid-19 dyfish më të rrezikuar nga depresioni, ankthi e demencia

Shëndetësia

Të sëmurët me Covid-19 dyfish më të rrezikuar nga depresioni, ankthi e demencia

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 19:49
Gjetjet e studimit zbuluan se 6 përqind e të rriturve të prekur nga COVID-19, shfaqën shqetësimin e parë psikologjik brenda 90 ditëve. Foto:Flickr

Rreth 20 përqind e pacientëve të sëmurë me COVID-19, janë përballur me një problem të shëndetit mendor si depresioni, ankthi apo demencia.

Këto probleme, sipas një studimi të ri të cilit i referohet AgroWeb.org, shfaqen kryesisht brenda tre muajve që nga diagnostikimi.

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar analizuan të dhënat mjekësore të mbi 69 milionë njerëzve, përfshirë këtu ato të 62,000 personave të sëmurë me COVID-19.

Sipas tyre, infektimi me COVID-19 mund të shkaktojë një sërë problemesh psikologjike që burojnë jo vetëm nga stresi i pandemisë por edhe nga ndikimi i sëmundjes në organizëm.

Gjetjet e studimit zbuluan se 6 përqind e të rriturve të prekur nga COVID-19, shfaqën shqetësimin e parë psikologjik brenda 90 ditëve.

Ndërkohë, shqetësime të tilla prekën 3.4 përqind të njerëzve që nuk ishin infektuar me COVID-19.

Me fjalë të tjera, njerëzit e prekur nga COVID-19 janë dyfish më të rrezikuar nga përjetimi për herë të parë në jetë i luhatjetve të humorit apo çirregullimeve të ankthit.

Të moshuarit me COVID-19 ishin dy ose tre herë më të rrezikuar të prekeshin nga demencia.

Studiuesit thanë se njerëzit që janë diagnostikuar me një çirregullim psikiatrik në 2020 dhe janë infektuar me COVID-19, ishin 65% më të prirur të vuanin nga demencia.

Si Ndikon Koronavirusi Në Shëndetin e Trurit?

Thjesht diagnostikimi me COVID-19 nxit stresin dhe ankthin, thonë ekspertët.

Jessica Stern, psikologe pranë departamentit të psikiatrisë në NYU Langone Health thotë se izolimi si pasojë e infeksionit mund të ketë rol kontribues tek ankthi dhe depresioni.

Prania e virusit në organizëm dhe beteja me të është më traumatike se çido sëmundje tjetër, për shkak të faktit që ky armik është i padukshëm, izolimi është i domosdoshëm ndërkohë që shërimi është plot pikëpyetje.

COVID-19 prek shumë organe dhe mund të arrijë edhe tek truri.

Ky raport mjekësor ka treguar se pacientët me COVID-19 kanë përjetuar shpesh komplikacione neurologjike si: konfuzion, marramendje, delir dhe çirregullime të tjera në aftësitë e të nxënit.

Shkencëtarët dyshojnë se virusi i ri dëmton furnizimin me gjak të trurit dhe nxisin enjtjet e indeve të trurit.

Për më tepër, nëse sistemi respirator është vënë në vështirësi nga virusi, truri vuan sërish nga mungesa e furnizimit me oksigjen.

COVID-19 ndikon edhe tek ora e brendshme e trupit duke prishur cilësinë e gjumit, nxitur pagjumësinë kronike, e cila ka një efekt domino në shfaqjen e depresionit, ankthit dhe ndryshimeve të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat