‘Gripi rus’ i 130 viteve më parë mund të ketë qenë një koronavirus, thonë shkencëtarët

Shëndetësia

‘Gripi rus’ i 130 viteve më parë mund të ketë qenë një koronavirus, thonë shkencëtarët

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 16:21
Foto ilustrim

Në vitin 1889, një sëmundje misterioze e frymëmarrjes u shfaq në Rusi dhe më pas u përhap në të gjithë globin, duke shkaktuar të paktën tre valë infeksioni përgjatë disa viteve.

Tani, disa shkencëtarë dyshojnë se kjo sëmundje, e quajtur “gripi rus”, në fakt mund të jetë shkaktuar nga një koronavirus pandemik i ngjashëm me SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, raportoi The New York Times.

Ekzistojnë disa paralele ndërmjet dy pandemive. Për shembull, gjatë pandemisë së gripit rus, shkollat dhe vendet e punës u mbyllën për shkak të numrit të madh të njerëzve të infektuar.

Të infektuarit shpesh humbnin shqisat e shijes dhe nuhatjes, dhe disa duruan simptoma të gjata që zgjatën për muaj të tërë. Në përgjithësi, gripi rus dukej se vriste shumë më tepër të moshuarit sesa fëmijët, ndryshe nga viruset e gripit, të cilët priren të jenë në mënyrë të ngjashme fatale për të dy grupmoshat, sipas të dhënave historike të disponueshme, të cilat përfshijnë të dhënat shëndetësore të qeverisë, gazetat dhe artikujt e revistave.

“Edhe pse këto tipare të pandemisë së gripit rus ngjajnë në mënyrë të frikshme me ato të pandemisë aktuale, ideja se gripi rus mund të jetë shkaktuar nga një koronavirus mbetet ende spekulative.” – tha Peter Palese, një studiues i gripit dhe profesor i mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai në New York, për The New York Times.

Disa ekspertë i bënë jehonë këtij mendimi, por disa të tjerë thanë se dyshojnë se megjithëse mund të ketë prova të forta për të mbështetur idenë, por thjesht nuk është gjetur ende.

Dr. Jeffery Taubenberger, shefi i seksionit të patogjenezës virale dhe evolucionit në Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe John Oxford, profesor emeritus i virologjisë në Queen Mary, Universiteti i Londrës, janë në kërkim të provave të tilla.

Ata kanë gërmuar nëpër mostra të ruajtura të indeve të mushkërive që i paraprijnë pandemisë së gripit të vitit 1918, duke kërkuar për mbetje të viruseve të gripit dhe koronaviruseve. Ata shpresojnë të dallojnë virusin e pakapshëm të gripit rus.

Dr. Scott Podolsky, një profesor i shëndetit global dhe mjekësisë sociale në Shkollën Mjekësore të Harvardit, dhe Dominic W. Hall, kuratori i Muzeut Anatomik Warren në Harvard, po kërkojnë gjithashtu për indet e mushkërive të ruajtura nga e njëjta periudhë kohore, raportoi Times.  

Nëse materiali gjenetik nga virusi i gripit rus gjendet në këto mushkëri, ai mund të ofrojë sugjerime se si përfundoi pandemia, pasi arkivi i lajmeve nga ajo kohë ofron pak njohuri.

Dhe nëse pandemia e fundit të shekullit të 19-të u shkaktua nga një koronavirus, disa shkencëtarë mendojnë se virusi mund të qarkullojë ende si një nga katër koronaviruset që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, dhe jo sëmundje të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat