9 mënyra për të humbur peshë pa bërë ushtrime

Shëndetësia

9 mënyra për të humbur peshë pa bërë ushtrime

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 08:05
Ilustrim

Pasi që shumë persona e kanë të vështirë të ushtrojnë apo nuk mund të shkojnë në fitnes, dietologët kanë dhënë disa rekomandime se si të humbet pesha pa bërë ushtrime.

Këshilla e parë është ngrënia e ngadaltë. Përtypja e gjatë e bën procesin e të ushqyerit më të ngadalshëm duke lejuar që ushqimi të tretet më mirë. Përtypja e shpejt bën që një copë bukë të gëlltitet pa u përtypur mirë duke krijuar vështirësi për procesin e tretjes në stomak. Të ngrënit më ngadalë ndihmon që të ndiheni të mbushur më shpejt duke ngrënë më pak kalori. Dietologët thonë se kjo mënyrë është efikase për humbje peshe, raporton “HealthLine”.

Këshilla e dytë është që të hahen më pak ushqime kalorike duke mos e mbushur përplot pjatën. Një pjatë e vogël ndihmon të hani më pak pasi që kur ushqimi servohet aty duket se ka më shumë. Në anën tjetër kur pak ushqim servohet në pjatë të madhe bën të kërkoni të shtoni më shumë ushqim në të.

Këshilla e tretë është të konsumohen më shumë proteina pasi që krijojnë ndjesinë e ngopjes duke mos pasur shumë nevojë të konsumohen kalori të panevojshme.

Këshilla e katërt është përgatitja e ushqimit në shtëpi. Në 2017 është bërë një studim që ka sugjeruar se njerëzit që gatuajnë në shtëpi kanë më pak gjasë të shtojnë peshë, pasi që ushqimi i përgatitur vetë është më cilësor për organizmin.

Këshilla e pestë është të konsumohen më shumë ushqime që përmbajnë fibra, pasi që fibrat ndihmojnë tretjen duke bërë që edhe apetiti të zvogëlohet.

Këshilla e gjashtë është pirja e shpeshtë e ujit. Duke pirë ujë rregullisht ndihmon që të hani më pak dhe kështu të humbni peshë më shpejt, sidomos kur pini ujë para se të hani ushqim. Çdo pijë e sheqerosur duhet të zëvendësohet me ujë dhe kështu zvogëlohet dukshëm marrja e kalorive të panevojshme.

Këshilla e shtatë është të hahet duke mos u shpërqendruar nga ndonjë pajisje elektronike si për shembull telefoni apo televizori. Njerëzit që hanë e ndërkohë shikojnë telefonin, televizorin apo duke luajtur ndonjë lojë, kanë shumë më shumë predispozita që të shtojnë peshë sepse nuk e kanë parasysh sasinë e ushqimit që konsumojnë.

Këshilla e tetë është gjumi i rregullt dhe evitimi i stresit. Gjumi jo i rregullt dhe stresi çrregullon disa hormone të cilat bëjnë që një person të hajë më shumë se që duhet.

Këshilla e nëntë është eliminimi i pijeve të sheqerosura. Pijet e gazuara si dhe ato të pemëve kanë shumë sheqer të shtuar e të procesuar si dhe agjentë të tjerë të dëmshëm për organizmin që shkaktojnë mbipeshë. Eliminimi i këtyre pijeve nga përdorimi do t’i bëjë mirë organizmit duke rezultuar edhe me rënie në peshë. Truri i njeriut nuk i regjistron kaloritë e shumta që merren duke pirë pije të sheqerosura sikur bën me ushqimin, duke bërë që të hani edhe më shumë nëse konsumoni këto pije.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat