Alarmi i OBSH për barnat që blihen online, specialistët: Mbetet problem falsifikimi i tyre

Shëndetësia

Alarmi i OBSH për barnat që blihen online, specialistët: Mbetet problem falsifikimi i tyre

Më: 15 korrik 2025 Në ora: 17:01
Foto ilustrim

Ashtu si shërbimet e tjera, edhe tregu farmaceutik tashmë ka lulëzuar online. Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për medikamente të cilat janë të falsifikuara dhe që gjenden më së shumti online. Për këtë arsye ekspertët e farmakologjisë rekomandojnë pacientin që t’i drejtohet drejpërsëdrejti specialistëve për marrjen e medikamenteve të ndryshme.

“Ka pasur raste kur pacientët janë paraqitur në farmaci për produkte që kanë blerë online në site të ndryshme. Ata më shumë kërkojnë informacione në lidhje me përbërjen apo mënyrën e përdorimit. Në shumicën e rasteve ky informacion mungon. Kjo ndodh më shumë me suplementet dhe produktet dermokozmetike sesa me medikamentet, të cilat nuk mund të jepen pa recetë dhe nuk mund t’i marrësh në asnjë site”, shprehet farmacisti Gerian Sulmina.

“OBSH e ka ngritur këtë problem, që thotë se 1 në 10 barna është ose i falsifikuar ose nën standard. Ku është burimi kryesor i lëvrimit? Në përgjithësi nga rruga online. Produktet farmaceutike të falsifikuara targetojnë ato barna me kosto të lartë”, u shpreh Diana Toma, ish-drejtuese e Urdhrit të Farmacistit.

Përdorimi i medikamenteve të falsifikuara sjell kosto për sistemin shëndetësor dhe cënon jetën e pacientit.

“Nëse një diagnozë mbetet e patrajtuar, kemi përkeqësim, avancim të situatës së patologjisë, dhe kuptohet që trajtimi duhet të jetë më i intensifikuar”

Dëmi mbi jetën e qytetarit është dëmi parësor, por japin dëmë dhe goditje të forta edhe në financat e sistemeve shëndetësore, sepse nëse një patologji mbetet e patrajtuar nga medikamenti i falsifikuar, kemi një zgjatje të patologjisë dhe udhëton një intensitet më i lartë trajtimi, shoqëruar edhe me kosto më të mëdha.

Raste të tilla OBSH ka vërejtur së fundmi në disa shtete si Armeni, Liban dhe Turqi. Por edhe në Europë është një fenomen i hasur. Europol ka sekuestruar vitin që shkoi ilaçe të falsifikuara që kapin vlerën e 11.1 mln eurove.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat