Tetë foshnje janë lindur në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur material gjenetik nga tre persona, për të parandaluar sëmundje shkatërruese dhe shpesh fatale, thonë mjekët.
Metoda, e zhvilluar nga shkencëtarët britanikë, kombinon vezën dhe spermën e nënës dhe babait me një vezë të dytë nga një grua dhuruese.
Sipas BBC, teknika ka qenë e ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar prej një dekade, por tani ekzistojnë provat e para që po çon në lindjen e fëmijëve të lirë nga sëmundjet mitokondriale të pashërueshme.
Këto sëmundje zakonisht kalojnë nga nëna te fëmija, duke e privuar trupin nga energjia.
Kjo mund të shkaktojë paaftësi të rënda dhe disa foshnje vdesin brenda disa ditëve nga lindja. Çiftet e dinë që janë në rrezik nëse fëmijë të mëparshëm, anëtarë të familjes apo vetë nëna janë prekur nga këto sëmundje.
Fëmijët e lindur përmes teknikës me tre persona trashëgojnë pjesën më të madhe të ADN-së, pra të gjithë planin gjenetik, nga prindërit e tyre, por gjithashtu marrin një sasi të vogël, rreth 0.1 për qind, nga gruaja e dytë. Ky është një ndryshim që përcillet brez pas brezi.
Asnjë nga familjet që kanë kaluar nëpër këtë proces nuk po flet publikisht për të ruajtur privatësinë, por kanë dhënë deklarata anonime përmes Qendrës së Fertilitetit në Newcastle, ku janë kryer procedurat.