Qëndrimi me rroba banje të lagura shpesh shkakton probleme të pakëndshme shëndetësore, nga infeksionet kërpudhore deri te infeksionet e dhimbshme të traktit urinar. Brendësia e rrobave banje të lagura është një ambient i ngrohtë dhe i lagësht, kushtet ideale për zhvillimin e baktereve.
Kur jeni në ujë, materiali i rrobave banje thith kimikate të ndryshme dhe baktere që gjenden në pishina ose në det. Sapo dilni nga uji, pjesët intime mbesin të mbuluara brenda materialit, bashkë me të gjitha këto substanca të dëmshme.
Kjo mund të prishë balancën e baktereve të dobishme në vaginë, ose të lehtësojë hyrjen e baktereve të dëmshme në kanalet urinare, duke shkaktuar probleme të shumta, përfshirë vaginozën bakteriale dhe infeksionet e traktit urinar (ITU).
Në rast të vaginozës bakteriale mund të shfaqen ndryshime në sekretin vaginal (aromë e pakëndshme, ngjyrë gri), kruarje, ënjtje ose dhimbje. Simptomat e infeksionit të traktit urinar përfshijnë dëshirë e fortë dhe e shpeshtë për të urinuar, djegie gjatë urinimit, dhimbje në pjesën e poshtme të barkut, urinë e turbullt.