Shtëpia e Komitetit të Kosovës në Shkodër, para rezikut të shembjes!

Shkodra

Shtëpia e Komitetit të Kosovës në Shkodër, para rezikut të shembjes!

Emin Azemi Nga Emin Azemi Më 27 tetor 2021 Në ora: 17:50
Shtëpia e Komitetit të Kosovës në Shkodër

Në Shkodër ndodhet një shtëpi e cila në vitin 1981 shteti shqiptar e kishte vënë në listë si “monument kulture”, por për ta gjetur atë nevojitet të bredhësh shumë dhe të pyesësh shumë njerëz, sepse pak kush e di se në atë shtëpi, në vitin 1918, ka qenë i vendosur “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, një organizatë kjo politike gjithëkombëtare, që kishte luftuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të interesave të mbarë popullit shqiptar. Në pamundësi që ta ketë përfaqësuesin e vet në paqen e Versajës, detyrën e përfaqësimit Komiteti ua beson atdhetarëve Atë Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri. Ky Komitet bënte thirrje që t’i tregohej “botës se Kombi Shqiptar, pa ndërlikim fejet e besimesh, ka një zemër e një dëshirë me e përngreh shtetin me lirina të plota. Kush të dojë me nderue vendin, shpin e atdheun le të përpiqët pa bjerrë asnjë dekikë rreth e qark dëshirës kombëtare”, thuhej në deklaratat e kryesisë së komitetit dhe të vet kryetarit të saj Hoxhë Kadriut.

Fati i kësaj shtëpie është shumë i pasigurt, dhe tepër i rrezikuar sepse ditën që e vizituam, hasëm në një rrethojë llamarine, që tregonte se pas një kohe aty mund të mbijë ndonjë përbindësh në formë pallati gjikant. Gjendja e shtëpisë ishte e degraduar deri në mjerim dhe askush nuk e ka të qartë se si është e mundur që një “monument kulture” të përfundojë deri në atë derexhe.

Objekti në pronësi private daton rreth shekullit XIX (1897‐1900) dhe ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë rrugës “Komiteti i Kosovës”. Më 1992 ajo do t’i rikthehej pronarit të saj të ligjshëm – një familjeje e vjetër shkodrane.

Bashkia e Shkodrës deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë sqarimi lidhur me thashethemet se mbi rrënojat e kësaj godine historike do të ngrihet një pallat shumëkatësh, por as Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër (DRTK) – institucion ky në varësi të Ministrisë së Kulturës – nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për këto spekulime dhe as nëse planifikon ndonjë projekt për restaurimin e saj.

Shkëputja e shiritit të kujtesës, duke e rrezikuar statutusin e historik e kulturor të kësaj shtëpie, po ndodhë para syve tanë dhe askush, asnjë institucion, asnjë shoqatë, asnjë personalitet me ndikim, nuk po reagon që ta pengojë shembjen e kësaj godine, sepse ajo nuk simbolizon vetëm një pjesë të historisë sonë nacionale, por simbolizon një vetëdije më të thellë kombëtare.

Nëse trashëgimia jonë historike e kulturore vazhdon të zhbëhet, duke injektuar një realitet bizar urbanistik, atëherë e kemi vështirë të mbajmë në këmbë shtyllat e mbamendjes sonë kolektive. Godina e “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” mund të restaurohet dhe pronarët të kompenzohen nga shteti, por do të ishte e pafalshme që në vend të kësaj godine të ngrihet një pallat shumëkatësh, i cili gjatë gjithë kohës do t’i bënte hije historisë sonë të lavdishme.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj.

Për të ndezur dritat e alarmit në mbrojtje të kësaj shtëpie historike, së shpejti nga Shkupi dhe Prishtina do të nisen disa peticione në adresë të institucioneve shtetërore relevante të Shipërisë, në funksion të pengimit të zhbërjes së kujtesës sonë kombëtare.

Image
Image
Image
Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat