Bardh Spahia betohet si kryebashkiak i Shkodrës

Shkodra

Bardh Spahia betohet si kryebashkiak i Shkodrës

Më: 31 mars 2022 Në ora: 18:31
Spahia

Bardh Spahia, kandidati i Shtëpisë së Lirisë, i cili fitoi zgjedhjet e 6 marsit është betuar sot, 31 mars si kryebashkiaku i ri i Shkodrës.

Ai falenderoi të gjithë ata që e votuan dhe e besuar, por edhe ata që për një arsye apo një tjetër nuk i dhanë votën.

Spahia u zotua se do të jetë kryetar i gjithë shkodranëve, pavarësisht zgjedhjes së tyre me 6 mars 2022.

Fjala e Bardh Spahisë:

"Sot është një ditë shumë e veçantë për mua. Nisim sot së bashku një mision për t’i shërbyer Shkodrës dhe shkodranëve, pasi ata më mbështetën e votëbesuan me 6 mars 2022.

Vij sot para jush me përgjegjësinë e besimit që më dhanë banorët e Shkodrës nga Shala në Velipojë, nga Ana e Malit në Gurin e zi, në qytet dhe njësitë administrative.

Falënderimi im është për të gjithë pa përjashtim, ata që më votuan dhe ata që për një arsye apo tjetër nuk votuan për mua. Unë kam bërë një premtim para banorëve të Shkodrës gjatë fushatës elektorale dhe e përsëris sërish para jush edhe sot: Do të jem kryetar i gjithë shkodranëve, pavarësisht zgjedhjes së tyre me 6 mars 2022.

T’i shërbej Shkodrës është nder por mbi të gjitha përgjegjësi e madhe për mua.

Është e vertetë që ky mandat që nis sot, është i shkurtër në kohë, por Ne do të japim maksimumin tonë, të gjithë bashkë, që jo vetëm të realizojmë projektet e prioritetet tona por të kërkojmë e të gjejmë edhe mundësi të tjera për të shtuar investimet dhe vëmendjen ndaj Shkodrës.

Kohën që kemi në dispozicion, duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, siç edhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë bashkë, pa asnjë dallim, për Shkodrën e shkodranët. Tani është momenti të nisim punën për shtëpinë tonë të përbashkët, për të ndërtuar të sotmen me veshtrimin nga e ardhmja.

Të nderuar të pranishëm,

Nga dita e sotme, unë si kryetar i bashkisë dhe ju si këshilltarë bashkiakë, nisim së bashku një rrugëtim me synimin t’i shërbejmë sa më mirë Shkodrës e shkodranëve. Përpara se të jemi në këto detyra, para se të jemi përfaqësues të një subjekti të caktuar politik që na ka propozuar a mbështetur, jemi shkodranë.

Nëse bashkojmë përpjekjet tona, zërat tonë për Shkodrën, jam i sigurtë se jo vetëm do të dëgjohemi më shumë e më larg, por edhe bashkia jonë do të ketë më shumë vëmendje, investime e zhvillim.

Të dashur bashkëqytetarë,

Dera e Bashkisë Shkodër, do të jetë e hapur për çdo shkodran, do të jetë një qeverisje me shkodranët e për shkodranët, pa asnjë dallim për askënd.

Mandati që nis sot, është i shkurtër, i mbushur me sfida e shumë punë. Unë shpresoj se në mbyllje të tij, kur të bëjmë një bilanc, të gjithë bashkë, të jemi krenar për atë që kemi bërë për Shkodrën, për familjet tona e sidomos fëmijët tanë.

Në këtë stafetë të pandalshme, është mundësia, privilegji e përgjegjësia jonë  që me përkushtim e ndershmëri, të japim kontributin tonë duke mësuar nga e kaluara dhe me vizion për të ardhmen. Ia kemi borxh të parëve tanë por edhe detyrim ndaj të ardhmes të fëmijëve tanë.

Sot është kënaqësi të falënderoj publikisht të gjithë kryetarët e bashkisë që ka patur Shkodra deri më sot sepse kontributi i tyre është tepër i çmuar në shërbim Shkodrës e të shkodranëve.

Unë besoj më shumë tek puna, tek rezultatet e saj se tek fjalët, të cilat sigurisht kanë rëndësinë e tyre në këtë fjalë të parë si kryetar i bashkisë Shkodër.

Uroj me zemër që në këto muaj të këtij mandati të shkurtër, të dalim faqebardhë të gjithë bashkë, duke lënë gjurmën tonë për të bërë Shkodrën ashtu siç i takon dhe i ka hije.

Na u  priftë e mbara të gjithëve bashkë, në shërbim të Shkodrës e shkodranëve!

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat