​Gondolat veneciane lundrojnë në liqenin e Shkodrës

Shkodra

​Gondolat veneciane lundrojnë në liqenin e Shkodrës

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 14:37
Liqeni i Shkodrës

Liqeni i Shkodrës ka pritur vizitorë të veçantë të cilët kanë sjellë një atmosferë të gëzueshme në qytet. Kryetari i bashkisë, Bardh Spahia, ka postuar në rrjetet sociale një set fotografik me pamje të mrekullueshme të ujërave që rrethojnë Shkodrën, e në të cilat lundronin gondolat e famshme veneciane.

Varkat tradicionale të Venecias, për herë të parë kanë lundruar në liqenin e Shkodrës dhe Bunë. Pamjet befasuese sollën në kujtesë kohët kur Shkodra e Venecia kishin një komunikim më të ngushtë, nga pikëpamja e transportit ujor.

“Sa herë flitet për historinë e qytetit tonë, është e pamundur të mos ndalemi tek fakti se Shkodra e Venecia janë dy rajone me lidhje që datojnë shekuj më parë”, shprehet kryebashkiaku Spahia. Sipas tij është e natyrshme që këto lidhje mbeten ende të forta dhe kanë pika takimi në ekonomi, art e turizëm.

Bardh Spahia priti në brigjet e Shirokës, pas një udhëtimi fantastik me gondola në ujërat e liqenit të Shkodrës, miqtë e “Associazione Settemari Asd, Aps di Venezia”. “Bëhet fjalë për një grup intelektualësh të fushave të ndryshme por që i bashkon pasioni i lundrimit. Duke zgjedhur Shkodrën, ata kanë bërë promovimin turistik më të bukur për qytetin”, tha kryetari i bashkisë Shkodër, i cili i ka ftuar miqtë italianë të eksplorojnë të tjera mrekulli të zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat