Mashtrime me ‘Call Center” në Shkodër/ Arrestohet administratori dhe menaxherja

Shkodra

Mashtrime me ‘Call Center” në Shkodër/ Arrestohet administratori dhe menaxherja

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

Është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “North Forex 4”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Policia ka arrestuar në flagrancë administratorin dhe menaxheren e një subjekti call center ndërkohë janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tyre.

Gjithashtu janë proceduar penalisht 7 shtetas të tjerë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Evidentohen dhe goditen edhe 2 raste të organizimit të lotarive të palejuara, në këtë subjekt, procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “ C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në zbatim të planit të masave për “Kontrollin e territorit, parandalimin, identifikimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit të mashtrimit kompjuterik”, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “North Forex 4”, për goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:

J. P., 28 vjeç, banues në Vau i Dejës, administrator i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” kryer në bashkëpunimin dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”;

F. P., 36 vjeçe, shtetase rumune, banuese në Shkodër, menaxhere e subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. S., 34 vjeç, banues në Shkodër, D. Sh., shtetas izraelit, banues në Tiranë dhe L. Gj., 25 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist teknologjie pranë subjektit call center.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, për shtetasit: E. Sh., 25 vjeçe, K. G., 31 vjeç, O. J., 24 vjeç, E. Rr., 46 vjeç, M. Ç., 36 vjeçe, E. M., 31 vjeçe dhe A. K., 33 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në subjektin call center, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 pajisje kompjuterike të përshtatura për mashtrim nëpërmjet platformave të ndryshme.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 3 shtetasit e shpallur në kërkim, kishin punësuar disa operatorë, të cilët telefononin shtetas të ndryshëm dhe i mashtronin ata që të kryenin investime në bursa fiktive.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë subjekt janë sekuestruar edhe 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara. Në vijim të veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. U., 25 vjeç dhe S. R., 34 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat